Më 14 prill Ambra Marku do të ngjitet në skenën Teatrit Ariston në finalen e “Sanremo Junior”. 12-vjeçarja lezhjane do të konkurrojë me “Valsin e Lumturisë” të ikonës Vaçe Zela, duke përcjellë vlerat e muzikës shqiptare.

Nxënësja e shkollës “Besëlidhja” thotë se ngjitja në një skenë të tillë, është një ëndërr e bërë realitet.

 “Muzikën e kam nisur që në klasën e parë, kur u bëra pjesë e shkollës së muzikës në ‘Besëlidhja’ në Lezhë, fillimisht me pianon. Më pas vazhdova me kanton dhe së fundmi edhe me kitarën”, thotë Ambra Marku.

Ambra është lezhjania e dytë që përfaqëson Shqipërinë në Sanremo Junior, pas Kiara Ibraj në vitin 2024 e cila arriti vendin e tretë.

Për mësuese Albana Përvathin, kjo nuk është rastësi, por rezultat i punës dhe talentit.

“Është një fëmijë që, krahas talentit, ka punuar shumë. Përveç talentit, është shumë këmbëngulëse dhe ka objektiva të qarta për të ardhmen. Është një fat i madh për qytetin tonë dhe për Shqipërinë që përfaqësohemi sërish në Sanremo me një këngëtare të re”, shprehet Albana Pwrvathi.

Ambra Marku ka nisur rrugëtimin muzikor që në moshën 6-vjeçare dhe numëron mbi 40 çmime në aktivitete kombëtare. Tashmë, ajo synon të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në Sanremo Junior, ku do të dalë në skenë me fëmijët e përzgjedhur në fazat e para kualifikuese.