Më 27 shtator të vitit të kaluar, Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u bë vendi ku Imzot Anastas Mamaj u fronëzua si Mitropolit i Korçës. Një vit më pas, në përvjetorin e parë të shërbesës, ai iu drejtua besimtarëve me një mesazh që e vendos në qendër të detyrës së tij jo titullin, por shërbimin dhe afrimin me komunitetin.
Që në ditën e fronëzimit, Imzot Anastasi kishte deklaruar se synimi i tij nuk ishte thjesht të bëhej Mitropolit, por të fitonte një vend në zemrat e njerëzve. Një vit më vonë, ai e riktheu këtë mesazh, duke e konsideruar afrimin me komunitetin një nga arritjet më të rëndësishme të këtij viti.
"Unë para një viti erdha këtu të fronëzohem nga Sinodi i Shenjtë me në krye Kryepiskopin si Mitropolit i Korçës. Dhe në qoftë se e mbani mend në meshën e parë kur fola, ju thashë se nuk është ky qëllimi im, sepse kjo është një gjë që të jepet shpeshherë pa pasur dhe merita të mëdha. Qëllimi im, ju thashë atë ditë, është që të fronëzohem, nëse mundet, në zemrat tuaja. Dhe në qoftë se në këtë vit kjo është arritur sadopak, që të mos jem mitropoliti juaj, por të arrij të bëhem sadopak ati dhe vëllai juaj, kjo është për mua arritja më e madhe", tha ai.
Gjatë 12 muajve të parë në krye të Mitropolisë së Korçës, prania e tij është shtrirë përtej qytetit të Korçës, në komunitetet ortodokse të Pogradecit, Devollit, Pustecit dhe zonave të tjera të qarkut.
Shërbesat fetare, kremtimet e festave të rëndësishme të kalendarit ortodoks, takimet me komunitetet dhe vëmendja ndaj të rinjve kanë qenë pjesë e veprimtarisë së tij gjatë këtij viti.
Në fjalën e përvjetorit, Mitropoliti kërkoi nga besimtarët lutje dhe jo vetëm urime, duke u lutur për urtësi në vendimmarrje, durim, guxim dhe përulësi. Por mbi të gjitha, ai kërkoi dashuri, duke theksuar se në shërbesën e tij nuk duhet të ketë njerëz të rëndësishëm dhe të parëndësishëm, të afërt apo të largët.
Një mesazh që e shoqëroi edhe urimi për vitet që do të vijnë, me synimin që përparimi i komunitetit të mos matet vetëm me vepra materiale, por mbi të gjitha me besim, përulësi dhe dashuri.
"Ato që kemi bërë këtë vit, që nuk kemi bërë pothuajse asgjë, por ato gjëra që kemi bërë, janë të gjitha për lavdi të Perëndisë dhe për të gjitha ato gjëra që duheshin bërë dhe që nuk janë bërë, përgjegjësia është personale e imja. Në këtë ditë do të thoja që nuk i dua duartrokitjet tuaja. Jo se nuk i dua, i dëshiroj, por nuk dua që të më jepni duartrokitje sot. Edhe urimet patjetër që i dua. Por ajo që unë pretendoj edhe kërkoj dhe ju lutem me përulësi të më jepni, janë lutjet tuaja. Të luteni tek Perëndia që të më japë urtësi kur duhet të marr vendime; të më japë durim atëherë kur unë duhet të pres; të më japë edhe guxim atëherë kur duhet të flas; edhe të më japë përulësi atëherë kur është e udhës që të hesht.
Por t'i luteni Perëndisë para së gjithash që të më japë dashuri; që të mos ndaj njerëzit në të rëndësishëm apo të parëndësishëm; që të mos i ndaj njerëzit në të afërt ose në të largët; por të shikoj vetëm një kategori njerëzish: atë për të cilën Perëndia më dërgoi në këtë qytet dhe në këtë Mitropoli, grigjën e Perëndisë, popullin e zgjedhur të tij, të gjithë bashkëqytetarët, të gjithë banorët e kësaj zone, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër do të vijnë në kontakt me mua. T'i shikoj të gjithë njerëzit njësoj e të përpiqem që të shfaq tek ata dashurinë e Perëndisë nëpërmjet mësimit të Kishës dhe nëpërmjet asaj të paktës që ne mund të bëjmë", tha ai.
Në ceremoninë e përvjetorit, një tjetër moment i rëndësishëm ishte dhënia e ofiqit të Stavroforit Ekonomit për At Kostandin Mujon, në vlerësim të viteve të shërbimit të tij në Mitropolinë e Korçës.












Komente
Komento