Një vit nga tragjedia e Himarës
Besiana: Parandjeva aksidentin

Një vit nga tragjedia e Himarës<br /> Besiana: Parandjeva aksidentin
KAVAJË - Kisha një parandjenjë se do rrëzoheshim. Këtë ia thashë edhe të fejuarit tim Armandit” nis rrëfimin e saj për “Shqiptarja.com” e mbijetuara e tragjedisë së Himarës Besjana Xheneti, një vit pas aksidentit. Ajo më tej tregon, “mbaj mend që pas ndalesës në Apolloni, ku bëmë dhe fotot e fundit, autobusi vijoi rrugëtimin drejt Sarandës.

Po e shikoja që diçka nuk po shkonte mirë dhe se shoferi kishte probleme në manovrimin e mjetit. Pastaj vendosa të flija pak dhe të mos mendoja për këto gjëra negative, sepse ndihesha shumë e lodhur nga rruga. Ishin pikërisht ulërimat e vajzave dhe të shoferit të autobusit ato që më zgjuan nga gjumi. Hapa sytë dhe vërejta se poshtë ishte një humnerë mjaft e thellë.

Ngriva dhe u tmerrova e tëra. Mbaj mend që autobusi doli nga rruga dhe e kuptova se ishte në ajër. Më pas e gjeta veten të mbuluar në gjak, kisha dhimbje ne trup dhe pamundësi për të lëvizur. Gjatë gjithë kohës thërrisja të fejuarin tim Armandin, ndërkohë që përreth dëgjoja zërat e himarjotëve, të cilët na erdhën në ndihmë dhe për ata shpreh një falenderim të madh” tregon Besjana Xheneti, një prej vajzave të mbijetuar nga aksidenti i Himarës, që ndodhi një vit më parë.

Me lot në sy ajo na tregon edhe për momentin që i fejuari i saj Armandi e ka shtrënguar në krahët e tij dhe i ka premtuar se asaj nuk do t'i ndodhte asgjë e keqe dhe se ai do ta mbronte. Gjithashtu ajo rrëfen edhe sesi e mori vesh lajmin e tmerrshëm të humbjes së fejuarit. “Lajmin tragjik, që më ndryshoi jetën, e mora vesh nga familja e Armandit, pas dhjetë ditësh, ndërkohë që më ishte thënë që ai po kurohej në spital dhe ishte jashtë rrezikut për jetën.

"Mbas aksidentit, lajmi për humbjen e Armandit ishte goditja fatale për mua. Në ato momente hoqa aparaturat që kisha në trup dhe u largova me familjen e tij në Kavajë. Mund të them vetëm që dhimbjet e trupit nuk kishin të krahasuar me dhimbjen e shpirtit”. Ndonëse jeta vazhdoi me lot e dhimbje në shpirt askush nuk mund të fshijë nga kujtimet atë aksident tragjik".

Sot u mbush plot një vit nga tragjedia e Himarës dhe Besjana tregon se ai aksident ka lënë gjurmë të thella dhe dhimbje të pashërueshme në jetën e saj “Jeta ime nuk është më si më parë, ka ndryshuar çdo gjë. Kam akoma plagë dhe shumë dhimbje në trup, para dy muajsh bëra operacion këmbën. Dhimbjet e forta të kokës më shoqërojnë çdo ditë, dhe vazhdoj të marr akoma ilaçe.

Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në varreza, ndoshta kështu ndihem më pranë dashurisë time, Armandit. Familja e të fejuarit më qëndron pranë dhe vazhdoj të kem kontakte shumë të mira me ato”. Mbas marrjes së diplomës rinisa studimet për master në degën time “Gjuhë Letërsi”. U shkëputa nga shoqëria që kam pasur në tre vjeçare, pasi vetëm unë vazhdova me part-time, sepse e kisha të vështirë të jetoja në atë qytet, ku kisha shumë kujtime si me shoqet që nuk jetojnë më ashtu edhe me Armandin.

Me vajzat e tjera, që ishin të prekura nga tragjedia, takohem shpesh dhe kujtojmë momentet e aksidentit”. Por kur e pyesim Besjanën se sa e informuar është ajo në lidhje me kërkesën për dëmshpërblimin, që shoqet e saj i kanë drejtuar shoqërisë “Sigma” ajo shprehet se nuk është përfshirë në këto protesta, por ka informacione se dëmshpërblimi që ata pretendojnë të japin është tepër qesharak dhe i papërfillshëm nisur nga lloji i aksidentit, që ishte me pasoja të rënda për secilën prej tyre.

Besjana thotë se “Data 21 Maj e vitit 2012 ishte ditë e zezë, që tronditi të gjithë popullin shqiptar dhe ndryshoi rrjedhën e jetës të secilit prej nesh. Ajo që përjetuam ishte një tmerr me sy hapur, një makth që do më shoqërojë gjatë gjithë jetës. Gjatë një viti plagët e trupit mund të shërohen, por plagët e shpirtit do të dhembin gjithmonë”, përfundon ajo.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.05.2013
besiana xheneti
Në foto: Besiana Xheneti
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G