TIRANE - Është mbushur plot një vit nga largimi nga jeta në moshën 82-vjeçare të shkrimtarit dhe politikanit Sabri Godo. Ministria e Kulturës dhe përfaqësues të lartë të Partisë Republikane ku ai aderoi, e nderoi kujtimin e tij në Teatrin Kombëtar. Ishte një mbrëmje përkujtimore dhe një film dokumentar ku fokusohej gjithë veprimtaria e tij me kujtimet nga rinia, krushqia me familjen e Vrionëve të dënuar nga diktatura dhe jeta e peripecitë e shkrimtarit dhe politikanit të njohur Sabri Godo.

Në përkujtimoren e tij kishin ardhur Kryeministri Berisha me bashkëshorten, ministri i Kulturës Aldo Bumçi, e bija Anila Godo, ambasadorë të vendeve të ndryshme dhe ish-presidenti Alfred Mosiu, si dhe përfaqësi të ambasadave të huaja dhe studiues të letërsisë.

Pjesëmarrja e tij në moshë të re në Luftën Nacionalçlirimtare duke lënë shkollën e mesme përgjysmë, besimi në idealin komunist, lëkundjet në bindjen e tij dhe shkarkimi nga detyra si ushtarak e çoi përfundimisht Sabri Godon që të “strehohej” në tempullin e krijimtarisë.

Sabri Godo u nda nga jeta një vit më parë pas një sëmundje të rëndë në mushkëri. I lindur në Delvinë më 8 gusht 1929 ai e kreu shkollën fillore në vendlindje dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë, të cilën e la në mes për të marrë pjesë në Luftën Antifashiste në vitet 1943-1945.

Sabri Godos iu desh të largohej nga Shqipëria së bashku me nënën e tij, sepse përndiqej politikisht.

Në janar të vitit 1991, me legalizimin e pluralizmit, Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet, e me pas president nderi i saj. Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura.

Në fushën e letrave Sabri Godo do të kujtohet për disa nga veprat më të spikatura në letërsisë shqiptare, sidomos në zhanrin e romanit historik, ku mund të përmendim "Ali Pashë Tepelena" "Skënderbeu" etj.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)