Një vit pas aksidentit tragjik në rreth-rrotullimin e TEG-ut në Tiranë,ku gjeti vdekjen mjekut i njohur Vanion Çinari, ka ardhur vlerësimi nga Këshilli Bashkiak Dimal, që ka nderuar pas vdekjes djalin që u lind, u rrit dhe u edukua në këtë qytezë.
Me unanimitet, anëtarët e këshillit vendosën t'i vendosin Qendrës Shëndetësore të Dimalit emrin e Vanionit. Në ceremoninë përkujtimore, daja i Vanionit, Nezmi Troka, ka falenderuar Këshillin Bashkiak të Dimalit për vlerësimin e bërë pas vdekjes për nipin e tij, që shërbeu në hapat e para të karrierës së tij në profesion në këtë qendër shëndetësore.
"Përkujtojmë sot një njeri që jetën e kishte mision pasi ja përkushtoi atë "mjekësisë", duke bërë vetëm mirësi për këtë komunitet"-,është shprehur kryebashkiakia e bashkisë Dimal, Juliana Memaj,e cila i ka dorëzuar më pas babait të mjekut Vanion Çinari edhe një çertifikatë mirënjohjeje me motivacionin "Në nderim të kujtimit të paharruar të doktor Vanion Çinarit, mjek i përkushtuar, profesionist i dalluar, i cili me devotshmëri, integritet dhe humanizëm i shërbeu komunitetit gjatë gjithë veprimtarisë së tij, Bashkia Dimal vlerëson kontributin e tij të çmuar në shërbimin shëndetësor,përkushtimin e palodhur ndaj komunitetit dhe ndikimit të tij të mbetur në zemrat e njerëzve".
Në përfundim të ceremonisë përkujtimore u shpalosën edhe foto nga puna e mjekut Vanion Çinari, në Spitalin Rajonal Berat.
Komente









