"Njerezit", Artan Miza: Pyjet, shpirti im…

Udhëtim në qytezën e Ulzës , me një liqen piktoresk, dy hidrocentrale dhe Parkun Natyror. Në zemër të vjeshtës, udhëtoj me agronomin Artan Miza, drejtues i shoqatës mjedisore “Miqësia” në verilindje të vendit, në luginën e Shkopetit. 60 vjet më parë këtu, në një grykë malesh është ndërtuar një hidrocentral, mbi ujrat e lumit Mat. E quajtën hidrocentrali Karl Marks. Pikërisht këtu nis edhe kufiri i Parkut Natyror Rajonal të Ulzës, prej 1 viti Park Kombëtar, një park me një sipërfaqe prej 4.200 hektarë pyjesh, me një liqen piktoresk, me faun dhe florë të spikatur mes kurorës së maleve, në gjoks të të cilave banorët vendas prej shekujsh kanë ndërtuar shtëpitë dhe kullat e tyre tipike, me gurë dhe dritare të vogla. Peisazhe të rralla, brilante.

Të gërshetuara me një tjetër vepër hidroenergjitike: hidrocentralin e dytë mbi lumin Mat, ate të Ulzës, i ngritur edhe ai në të njëjtën kohë me hidrocentralin e Shkopetit dhe që, në atë kohë ndriçonin më shumë se gjysmën e Shqipërisë. Mirëpo jo shumë kohë më parë, vetëm dy vjet të shkuara, qeveria shqiptare i privatizoi dy hidrocentralet mbi lumin Mat. Ua “fali” turqve të Kurumit. Për një çmim qesharak, vetëm 100 milion euro. Ose baraz me Cristiano Ronaldon, thonë puntorët e dy HEC-eve, shumica e të cilëve sot pa punë. Për shkak të organizimit të ri të strukturave të hidrocentraleve nga pronarët e rinj. Të cilët, pa përfillur vendimet e sindikatave dhe kërkesat e punonjësve të urtë, i vunë gërshërët listave të kuadrove dhe punëtorëve të HEC-eve në Shkopet dhe në Ulëz, duke vënë në vështirësi të madhe ekonomike qindra familje ulzake.

Asnjë dëmshpërblim, sipas Artanit; asnjë masë mbrojtëse për njerëzit e nxjerë në rrugë. Por veç kësaj, shton ai, shfrytëzimi jo sipas kritereve i ujrave të liqenit për nevojat e hidrocentraleve, ka dëmtuar rëndë edhe vlerat e ecosistemeve në këtë perlë të rrallë, siç është Parku Natyror Rajonal i Ulzës. Tash, gjallesat e liqenit, mjedisi për rreth tij, flora dhe fauna në liqen, kanë marë goditje shumë të rënda. Ne, thotë Artani, kemi kërkuar disa herë takime me pronarët turq të dy hidrocentraleve. Po rata nuk kanë denjuar të flasin me ne. Sepse, e dijnë ku dhe çfarë kanë shkelur. Për këtë, shton ai, ne kërkojmë nga Ministria e Mjedisit dhe organet e tjera vendim’marrëse ndërhyrjen dhe penalizimin e turqve të Kurum, që sillen si zotër në tokën tonë, pas futjes në xhep të dy hidrocentraleve.



Ulza
Pak metra mbi hidrocentralin e Ulzës, kamera e A1 Report dhe Shqiptarja.com “zbulojnë” qytezën e bardhë. Një qytezë e ngritur në kohën e ndërtimit të hidrocentralit, në një vend me një origjinë të lashtë banorësh me prejardhje ilire. Ulza ngrihet mbi një kodrinë të butë veshur me makje, mbi liqenin e bukur të dritës, siç e quajnë ulzakët liqenin e hidrocentralit. Këtu, shpjegon Artani, miqtë e Parkut Natyror Rajonal, miqtë e ujrave dhe të pyllit, janë bujqit, peshkatarët, pylltarët, njerëz nga shoqëria civile.

Takohemi me Llesh Shpanin aty. Një burrë muskuloz, dikur futbollist me ekipin e Ulzës dhe sot trajner i ekipeve të moshave të reja. Lleshi e njeh mirë historinë e vendlindjes së tij dhe thotë se në Ulzë dhe fshatrat përreth saj, jeta ka nisur qysh në kohët ilire dhe për këtë, ai të kujton se, bash mbi malin ngjitur me hidrocentralin e Shkopetit, janë disa shpella të lashta, ku banorët vendas kanë vizatuar figurina kafshësh dhe gjahtarësh. Po kështu, thotë ai, Ulza është e njohur edhe për kishat e vjetra, mbi 1000 vjeçare dhe, sa i takon pyjeve, ulzakët kanë qenë gjithmonë miq me natyrën dhe me pyjet. Të parët tanë, thotë ai, kanë qenë blegtorë më së shumti. Por edhe zejtarë të rrallë, punues plugjesh dhe enësh bakri, punues armësh dhe orendish shtëpiake me dru lisi, bredhi dhe pishe.

Peshkatarët
Liqeni i Ulzës, ndër më të bukurit në Shqipëri, dhuron peisazhe fantastike në të gjitha stinët. Rrethuar me gjelbërim të përhershëm, ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një burim i konsiderueshëm jetese për dhjetra familje ulzakësh. Të cilët, kanë krijuar prej vitesh kooperativa private peshkimi dhe me këtë zanat sigurojnë ta ardhura të mjaftueshme ekonomike për familjet e tyre. Është Organizata e Manaxhim Peshkimit ajo që u siguron ligjërisht kontrata të regullta pune mbi 30 peshkatarëve, organizatë e drejtuar nga Gjon Rica, një peshkatar i vjetër dhe zemërbardhë.

Ai thotë se profesioni i peshkatarit në kushtet e ekonomisë së tregut është sa fitimprurës, aq edhe i vështirë. Sepse, sipas tij, peshkatari duhet t’i përballojë vetë të gjitha: blerjen e rrjetave, karburantin, barkën po se po dhe gjithçka i nevojitet për të peshkuar. Shto këtu, thotë ai, edhe konkurrencën e pandershme të mjaft peshkatarëve të palicensuar në anën tjetër të liqenit. Të cilët, në disa raste gjuajnë me dinamit, duke sjellë dëme të pallogaritëshme për gjallesat në liqen. Por, thotë ai, kohët e fundit, OMP ka pasur edhe mbështetjen e forcave të rendit për kapjen dhe bllokimin e kundravajtësve të peshkimit me dinamit.

Me Viktorin…
Në sheshin e bardhë të qytezës gati-gati alpine, ballpërballë me kishën e re dhe me shtatoren e Nënë Terezës, një burrë rreth të 40-tave po pret ligustrat, që gjelbërojnë sheshin, si vendpushim për qytetarët ulzakë. E quajnë Viktor Lleshi dhe ka tre fëmijë. Jeta e tij ndryshoi, pasi Viktori e la Ulzën në fillim të viteve ’90 dhe shkoi në emigracion, në Itali. Atje punoi fort, mësoi disa zanate dhe, kur u kthye sërish në vendlindje, ju përkushtua tërësisht asaj.

Ai thotë se punon në hidrocentralin e qytezës së tij (dikur mbante emrin Frederik Engels) se është anëtar i një shoqate për dhurimin e gjakut dhe se, punën e lulishtarit e bën falas, pa asnjë lek. Që qyteza, ku ai jeton bashkë me familjen, të jetë sa më e gjelbërt, sa më e pastër, sa më e bukur. Ai dëshiron të theksojë se puna, paqja dhe solidariteti janë kauza e tij dhe familjes së tij. Se atje, në Itali, ai ka dhuruar disa herë gjak, për të shpëtuar jetë njerëzish.

Dhe se, edhe këtu, do të bëjë të njejtën gjë: do të dhurojë gjak për fëmijët talasemikë sidomos; për fëmijë dhe njerëz në nevojë. Idhulli i Viktorit: Nënë Tereza, shenjtorja shqiptare. Pasuria më e madhe: familja, gruaja dhe fëmijët. Artani, si mik i vjetër me Viktorin, shton në dialog se, së shpejti do të sjellë si dhuratë për qytezën 100 rrënjë drurësh dekorativë, për ta gjelbëruar edhe më shumë Ulzën. Dy burrat përqafohen ngrohtësisht dhe pas pak, ne lëvizim në thellësi të qytezës, fare pranë ujrave të liqenit.

Epilog
Njerëz, miq, ejani dhe vizitojeni këtë perlë të natyrës shqiptare ndanë ujrave të lumit Mat, që i përngjan të bukurës së dheut, siç shprehen rapsodët tanë në këngët e moçme shqiptare. Ejani në qytezën e bardhë të Ulzës për të marë edhe një bekim të bardhë nga Nënë Tereza, shenjtorja jonë e madhe aty, në sheshin mikpritës të qytezës së Ulzës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja