POGRADECPas më shumë se 30 vitesh në kryeqytet, Ajet Hamolli është rikthyer në vendlindje dhe ka krijuar një biznes fitimprurës me treg të sigurt si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit, kryesisht në Itali.

“Njerëzit më paragjykojmë por unë e kam lënë Tiranën për fshatin. Ku ka më mire se këtu”, shprehet ai për Report TV.

Me mbështetje nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Hamolli solli për herë të parë ne kete zone kulturën e gështenjës së butë, e cila ndryshe nga gështenja e egër, hyn në prodhim që vitin e dytë, por kërkon kujdes.

“Kam mbjellë 33 hektarë me gështenja intensive, e cila ndryshe nga ajo e egër, hyn në prodhim që vitin e dytë, por për shkak të brishtësisë duhet të spërkatet dhe t’i kryhen të gjitha shërbimet si çdo pemë tjetër frutore,” shprehet Hamolli.

Fermeri tregon se kërkesa për gështenja është në rritje, ndërsa tregu përfshin si vendin ashtu edhe eksportin, kryesisht për industrinë e ëmbëlsirave dhe çokollatave. 

“Gështenja e Dardhasit shitet mirë në tregun vendas, nga 300 deri ne 500 lek për kg, por ka interes edhe nga tregu i huaj, sidomos në Itali. Çmimi është i kënaqshëm për prodhuesin,” shton Hamolli.

Sot, Pogradeci numëron rreth 700 hektarë gështenja të egra në masivet pyjore dhe 33 hektarë të kultivuara me gështenja të buta, duke u renditur ndër zonat më të njohura në vend për prodhimin e frutit të çmuar të vjeshtës.