Ndërsa PS e LSI kishin deklaruar se do të prisnin Komisionin e Venecias para se të miratonin Byronë Kombëtare të Hetimit, ky opinion ka mbërritur. Në një dokument 20 faqesh, Venecia jep 2 variante për vartësinë e kësaj byroje, që në draftin e reformës në drejtësi merr emërtimin Njësia e Posaçme Antikorrupsion.
 
Njëri është ai si pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe një tjetër si zyrë e pavarur. Por në të dyja rastet ekspertët e Venecias theksojnë se kjo strukturë e re duhet të ketë pavarësi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe politika.
 
“Modelet për përzgjedhjen e këtyre lloj zyrave variojnë. Në disa raste, zyra e prokurorit të kësaj njësie mbetet zyrtarisht pjesë e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme por si një njësi e pavarur në mënyrë që të mos instruktohet nga të tjerë, zyrtarë më të lartë, prokurorë apo dhe qeveria. Në disa raste krijohet një zyrë krejtësisht e pavarur. Qartësimi i pavarësisë së prokurorëve special nga Prokuroria e Përgjithshme e përshkruar në draftin e rishikuar të amendimeve është një dispozitë e mirëpritur në implementimin e rekomandimeve të opinionit të brendshëm.” –thuhet në draft.
 
Nuk dihet sesi do të bëhet rakordimi mes këtij varianti dhe ligjit të qeverisë që e vendoste Byronë Kombëtare të Hetimit në varësi të Ministrisë së Brendshme por dhe bekimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Njësia e re që do të krijohet do të ketë edhe drejtuesin e saj që nuk specifikohet qarte se kush do ta bëjë zgjedhjen e tij. Metoda e zgjedhjes duhet të jetë e tillë që të mos ketë ndikim politik.

Gjithashtu është e paqartë se ku jep llogari drejtuesi i kësaj njësie, nëse kjo strukturë është e pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme. Pavarësia nuk do të thotë se ai nuk i jep llogari askujt. Këshilli i lartë i prokurorëve duhet të jetë në gjendje që në rast shkeljesh të rënda ta shkarkojë atë. 

Përsa i përket ngërçit të madh të 2/3 apo 3/5 të votave në kuvend për zgjedhjen e gjyqtarëve, Venecia sugjeron që në rast se palët nuk bien dakord për 3/5, atëherë duhet të zgjidhet një variant proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës.

“Në fushën e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare nuk ka kërkesa strikte që një shumicë e cilësuar me 2/3-at, e cila përdoret në zgjedhjen e drejtuesve më të lartë. Pragu i duhur i votave që duhen siguruar në rastin e fundit është në thelb më shumë politik sesa çështje ligjore. Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione apo një model tjetër, i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”, thotë Venecia e cila gjithashtu rekomandon mos ndërprerjen e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm.
 
Në fund të konkluzioneve, Komisioni i Venecias shpreh angazhimin e tij për të kontribuar në ecurinë e reformës dhe shpreson se ky proces do të shoqërohet nga fryma e dialogut konstruktiv në respekt të vlerave dhe praktikave europiane.
 
Venecia u rekomandon autoriteteve shqiptare vëmendje të veçantë në çështjet e mëposhtme:
 a) Nqs se palët politike të përfshira në proces nuk bien dakord me një shumicë të caktuar të cilësuar për zgjedhjet në KLGJ, KLP, KPK dhe Kolegjin e Posaçëm të Kualifikimit në GJL, atëherë duhet të zgjidhet një sistem proporcional që garanton që opozita të ketë përfaqësim në këto organe kolektive, apo çdo model tjetër të përshtatshëm që garanton që opozita të ketë ndikim në procesin e përzgjedhjes.
b) Drafti duhet të parashikojë mënyrën e emërimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe mekanizimin e llogaridhënies për të.
c) Mandati i organeve të verifikimit duhet të reduktohet në mënyrë të konsiderueshme dhe anëtarët e Kolegjit të Posaçëm duhet të vijojnë detyrën si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.
d) Gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen procesit të verifikimit duhet të gëzojnë të drejtën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese përsa i përket shkeljes së të drejtave themelore, me disa përjashtime të arsyeshme që diktohen nga nevojat e procesit të rivlerësimit.
 e) Kompetencat e vëshguesve ndërkombëtar duhet të qartësohen.