Vetëm një muaj e gjysmë pas konstituimit, Njësia e Kërkim-studimit të sizmologjisë dhe gjeoshkencës ka përgatitur raportin për masat që duhen marrë për futjen e Eurokodit si dhe për garantimin e ndërtimeve të qëndrueshme e rezistente.
Për këtë qëllim, më datën 26 shkurt 2020, në orën 13.00, kjo Njësi paraqiti punën e saj dymujore për procedurat e ndjekura për futjen e eurokodit 8, për garantimin e strukturave ndërtimore të qendrueshme e rezistente ndaj tërmeteve.
Kjo punë iu paraqit komisionit të inxhinierise dhe grupit të specialistëve në takimin që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Shkencave, para se t’i jepet Komitetit Shtetëror të rindërtimit për t’u përdorur në projektimin e ndërtimeve të reja
Është hera e parë në këto vite tranzicion që inxhinierët, shkencëtarët dhe specialistët e sizmikës përgatisin ekspertizën për organet ekzekutive në mënyrë që ata të hartojnë masat për garantimin e ndërtimeve të qëndrueshme e rezistente.
Njësia kërkimore shkencore e Sizmologjisë që vepron pranë Akademisë së Shkencave, së bashku me atë të Nanoteknologjisë dhe njësive të tjera që do të ngrihen në vijim, janë frut i reformës së thellë në të cilën është përfshirë Akademia e Shkencave për të rikthyer rolin aktiv të saj në fushat kryesore të kërkimit shkencor.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë akademikët, anëtarët e Komisionit të Inxhinierisë ngritur pranë Akademisë dhe përfaqësues e ekspertë të fushave të gjeoshkencës dhe ndërtimit nga Fakultetet e Universitetit Politeknik tëTiranës, IGJEUM-i dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin edhe z. Artan Shkreli zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, znj. Irola Andoni këshilltare e Ministres së Kulturës dhe Drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dr. Viktor Doda.
Mbledhja u hap nga kryetari i Akademisë akad. Skënder Gjinushi, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen bëri edhe një here shumë shkurt prezantimin e anëtarëve të Njësisë së Gjeofizikës dhe Sizmologjisë. Në fjalën e tij akad. Gjinushi u shpreh se që nga dhjetori i vitit të kaluar kur edhe u ngrit kjo njësi e deri tani puna e kryer nga Njësia ka qenë në përputhje me detyrat e shtruara para saj nga Akademia në kuadër të veprimtarisë dhe bashkëpunimit me Komitetin Shtetëror të Rindërtimit. Qëllimi i kësaj mbledhje tha akad. Gjinushi është
prezantimi i punës së kësaj faze të parë dhe marrja e mendimeve të ekspertëve të fushave përkatëse. Duke falënderuar për punën e mirë të bërë nga Njësia, akad. Gjinushi I dha fjalën prof. Shyqyri Aliajt dhe dr. Markel Barbullushit.
Në fjalën e tij prof. Shyqyri Aliaj bëri një hyrje mbi hapat e ndërmarra nga Njësia që nga dita e krijimit të saj. Pas tij dr. Markel Barbullushi prezantoi në mënyrë më të detajuar punën e bërë nga Njësia për mënyrën që duhet të ndiqet duke treguar hapat dhe institucionet e përfshira për adoptimin dhe zbatimin e duhur të Eurokodeve.
Të pranishmit në veprimtari shprehën mendimet e tyre por edhe kërkuan disa sqarime duke bërë pyetje të specializuara të cilave iu përgjigjën dr. Markel Barbullushi dhe prof. Shyqyri Aliaj. Nga këto diskutime u vu në dukje edhe njëherë rëndësia e adoptimit dhe zbatimit të Eurokodeve si dhe nevoja e studimeve për të bërë mikrozonimin sizmik aq të nevojshëm për ndërtimet e sigurta në Shqipëri.
Në përfundim të diskutimeve e mori fjalën zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës z. Artan Shkreli i cili falënderoi Akademinë për nismën dhe punën e saj në adoptimin dhe zbatimin e Eurokodeve dhe u shpreh se pikërisht në këtë kohë është i nevojshëm një specifikim i tillë pasi nga qeveria është vendosur të bëhet një auditim i ndërtesave 50 vjeçare dhe certifikimi i tyre në lidhje me sigurinë antisizmike.
Duke mbyllur këtë veprimtari akad. Gjinushi u shpreh se jemi në hapat e para të punës e cila lidhet edhe me rindërtimin dhe do të vazhdohet më tej me një Kongres ndërkombëtar, studime të reja që do të zëvendësojnë këto të tanishmet si dhe me aplikime për projekte ndërkombëtare.