20 artistë lezhjanë të artit figurativ u bënë bashkë dhe u prezantuan përmes 33 veprave të realizuara me teknika të ndryshme. Ekspozita tradicionale u hap në Galerinë e Arteve, duke sjellë art dhe emocion në kuadër të festave të Nëntorit.
Ky udhëtim përmes ngjyrave, formave dhe shpirtit krijues mblodhi bashkë dhjetëra artdashës, të cilët vlerësuan talentin dhe origjinalitetin e artistëve të moshave të ndryshme.
"Këtu është një pjesë e jetës time. Këtu kam marrë duatrotikjet e para, edhe vërejtjet, edhe sugjerimet, edhe lëvdatat. Një ekspozitë dinjitoze, me shumë vlera fisnike, me talente të reja, që debutojnë ndoshta për herë të parë. Janë në hapat e para por jashtëzakonisht me sukses. Them që Lezha është një treva që ka nxjerrë vazhdimisht, historikisht, artista të mëdhenj",- tha piktori Nikolin Ivanaj.
I pranishëm në hapjen e ekspozitës, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh se artistët lezhjanë janë një burim frymëzimi brenda dhe jashtë vendit, ndërsa garantoi mbështetje të vazhdueshme për ta.
“Numri i madh i talenteve, i piktorëve, muzikantëve, i gjithë aktorëve, i gjithë kulturës që ka Lezha është për t’u përshëndetur dhe për të na bërë optimistë që këto vlera që ne i kemi, që ju i keni shfaqur nëpërmjet kësaj ekspozite dhe të tjerave që ju keni pasur dhe punët e përditshme që ju i bëni, ne t’i inkurajojmë dhe t’i mbështesim”,- tha Ndreu.
Përmes kësaj ekspozite, artistët i dhanë qytetit zë, jetë dhe identitet artistik, duke dëshmuar pasurinë e trashëgimisë kulturore që karakterizon Lezhën.
Komente








