Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' zyrtarisht janë të hapura, pas ceremonisë që u zhvillua të premten në mitikun 'San Siro'. Shqipëria në këtë event do përfaqësohet nga katër sportistë, katër skiatorët alpinë që do kërkojnë të lënë shenjën e tyre në eventin më të madh dimëror që zhvillohet një herë në katër vite.
Mes përfaqësuesve të Shqipërisë është edhe Lisa Brunga. E lindur më 1 dhjetor 2008 në Kanada, 17-vjeçarja është me origjinë nga Lezha dhe familja e saj e ka edukuar me rrënjët shqiptare. Lisa nuk u mendua dy herë për të përfaqësuar flamurin kuqezi, edhe pse në moshë shumë të re dhe me presionin që dukshëm në këtë turne është i madh.
Lisa është e para shqiptare nga Kanadaja që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Ajo është formuar në një nga sistemet më të mira të skive alpine në Amerikën e Veriut, ku që në fëmijëri ka treguar disiplinë të lartë stërvitore dhe rezultate të qëndrueshme në garat FIS.
Ditët e fundit ajo konfirmoi formën me dy rezultate shumë të mira në garat FIS, vend i tretë dhe vend i gjashtë në Slalom, rezultate që flasin për potencial real olimpik, jo për rastësi.
Zgjedhja prej saj për të përfaqësuar Shqipërinë nuk ishte marketing. Dy vite më parë Lisa u angazhua vetë në një fushatë për mbledhje fondesh në ndihmë të Federatës Shqiptare të Skive, një akt i rrallë përgjegjësie për një sportiste të re.
“Është shumë e rëndësishme për mua të përfaqësoj Shqipërinë, pasi është vendlindja e prindërve të mi dhe ndihem shumë e lumtur për këtë. Motoja ime për këto lojëra është: 'Skijo shpejt dhe shijoje'. Pritshmëritë e mia për këto lojëra janë të përfaqësoj Shqipërinë sa më mirë, të jap më të mirën time dhe të përfaqësoj me dinjitet Shqipërinë”, shprehej Lisa në një videoprezantim për Federatën Shqiptare të Skive.
Lisa Brunga do të garojë më 18 shkurt, në Slalom, një disiplinë e preferuar për të. Ky është vetëm fillimi për të dhe pjesëmarrja në këtë moshë në një Olimpiadë tregon cilësitë dhe dëshirën e saj për të përfaqësuar vendin e origjinës.
Nga 6 deri më 22 shkurt, Shqipëria do të jetë pjesë e Olimpiadës Dimërore, e përfaqësuar nga ekipi kuqezi i përbërë nga skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Samire Dauti.
Komente










