Një 25-vjeçare është vënë në prangat e policisë për shkak se në rrjetet sociale ka me anë të njoftimeve të rrem ka përhapur panik tek qytetarët për sa i përket tërmetit që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës. E arrestuara është Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Gjatë monitorimit të rrjeteve sociale nga struktura të Drejtorisë së Antiterrorit është konstatuar se shtetasja Xhuljana Aliaj, ka postuar nga profili i saj në rrjetin social “Facebook”, në linkun https://ëëë.facebook.com/xhulja.aliaj shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëpërmjet efekteve të këtyre lajmeve.

Ndërkohë Shqiptarja.com ka siguruar edhe statusin e 25-vjeçares e cila bënte thirrje qytetarëve që të largohen nga Porto Romano për shkak se nga tërmeti ishte çarë hidrovori dhe mund të shpërthente depozita e gazit.

"Ju lutem ikni nga Porto-Romanoja. Eshte kris hidrovori dhe mund te shperthejne depozitat e gazit nqs bir prape termet. Ikni!"

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme pak orë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se në kushtet dhe kuadrin ligjor të gjendjes së jashtëzakonshme do të marrë masa të forta kundër portaleve që përhapin panik me lajme të rreme, policia e shtetit ka vendosur në hetim dy administratorët e faqes 'Jeta Osht Qef'.

Ata akuzohen se kanë përhapur lajme të rreme me qëllim destabilizimi. Personat që janë proceduar janë; Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të  faqes së internetit.

Po kështu Drejtoria e Antiterrorit bën me dije se kanë evidentuar edhe raste të tjera për të cilat në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve përkatëse po vijon  me procedimet penale.

Në fund Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të lajmeve  që shpërndahen në rrjete sociale, të cilat krijojnë panik dhe fton cilindo që has në të tilla njoftime paniku të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 112, apo në Komisariatin Dixhital.