TIRANË- Në Shqipëri nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrën e kurrës një tsunami. Është kjo deklarata e dy ekspertëve, sizmiologut Rrapo Ormeni dhe inxhinierit Arben Meçe.
Në një kohë kur shqiptarët janë në ankth, panik për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe pasgoditjeve, në rrjetet sociale ka qarkulluar një lajm se në Durrës do të ketë Tsunam. Kjo ka tmerruar qytetarët, por dy eksperët në emisionin "Pa Gjurmë" kanë vënë theksin se në Shqipëri nuk mund të bien kurrë Tsunami dhe për këtë kanë dhënë shpjegime konkrete.
"Tsunami në Durrës? Nuk ka asnjë lloj problemi. Që të ndodh Tsunami ka disa kritere, e para epiqendra duhet të jetë në det dhe baseni duhet të jetë shumë i thellë dhe të jetë magnituda mbi 7", tha sizmiologu Ormeni. Ndërkohë, edhe Meçe ka qenë i të njëjtit mendim.
"Tsunamet janë karakteristikë e oqeaneve, masë dhe shpejtësi. Mesdheu nuk ka masë, nuk ka volum, nuk ka energji. Vala do të ndodhë, por është qesharake dhe e papërfillshme. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrën e kurrës", tha Meçe.