/ATSH-AFP/ - Rreth 2,7 milionë persona kanë vizituar në një vit muzeun e 11 shtatorit në Nju Jork, njoftuan sot zyrtarët me rastin e përvjetorit të tij të parë.
"Këta vizitorë vijnë nga të gjitha shtetet amerikane dhe 150 vende", theksuan ata.

Në shifra krahasuese "Metropolitan Museum" muzeu më i vizituar në Nju Jork, ka pritur vitin e kaluar 6,2 milionë vizitorë dhe "MOMA", muzeu i artit modern ka pritur tre milionë vizitorë. "Statuja e Lirisë", një prej monumenteve më tërheqëse të Nju Jorkut ka pritur rreth 4,2 milionë vizitorë.

Muzeu i 11 shtatorit, që u hap më 15 maj 2014 vetëm për familjet e viktimave dhe banorët vendas, para hapjes për publikun më 21 maj, është vizituar veçanërisht nga presidenti amerikan, Barack Obama, ish-presidenti George Bush, princi William dhe bashkëshortja Kate, kryeministri indian, Narendra Modi dhe kryeministri australian, Tony Abbott, sipas zyrtarëve.

Për të shënuar këtë përvjetor të parë, muzeu, i ndërtuar në po të njëjtin vend ku ndodhej ish-qendra World Trade Center, në jug të Manhattanit, hapi një ekspozitë të re foto, titulluar "Beyond Ground Zero" ("Përtej Ground Zero") kushtuar solidaritetit pas atentateve dhe homazheve për viktimat.
Atentatet e 11 Shtatorit shkaktuan 2 753 të vdekur në Nju Jork.