Të gjithë punëdhënësit privatë në qytetin e Nju Jorkut do të duhet ta bëjnë të detyrueshëm vaksinimin kundër Covid-19 për punonjësit e tyre, njoftoi kryebashkiaku Bill de Blasio të hënën, duke vendosur një nga rregullat më agresive të vaksinimit në vend.
Vendimi i kryebashkiakut Bill de Blasio vjen pasi infeksionet po rriten përsëri në Shtetet e Bashkuara dhe varianti shqetësues, Omicron, për të cilin dihet shumë pak, po përhapet në Nju Jork dhe zona të tjera të vendit.
“Ne në qytetin e Nju Jorkut kemi vendosur të ndërmarrim një masë parandaluese dhe të guximshme për të ndalur rritjen e mëtejshme të rasteve të Covid-19 dhe rreziqet që ai po shkakton për të gjithë ne”, tha ai.
De Blasio, një demokrat me vetëm disa javë të mbetura në detyrën e kryebashkiakut të qytetit më të madh të vendit, tha se masa e re do të hyjë në fuqi më 27 dhjetor, kur punëtorët do të duhet të japin dëshmi se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Kjo masë do të vlejë për rreth 184,000 biznese në qytetin me 8.8 milionë banorë, tha një zëdhënës i kryebashkiakut.
De Blasio tha se masa e re synon të shmangë një rritje të infeksioneve mes tubimeve me rastin e festave të fundvitit në ambiente të mbyllura për shkak të motit të ftohtë, ku virusi ka më shumë gjasa të përhapet./VOA/