Tërmet 6.3 ballë godet Kroacinë! 7 të vdekur, mbi 40 persona në spital Rama: Pranë me zemër, japim ndihmesën tonë! Basha: Lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave (VIDEO)

Në orën 12:19 një tërmet prej 6.3 ballësh tronditi Petrinjën dhe Zagrebin në Kroaci. Lëkundjet u ndien në të gjithë vendin, por edhe në Bosnjë Hercegovinë, Slloveni, Serbi dhe madje në Itali.

Lëkundjet të cilat zgjatën të paktën 20 sekonda, në një thellësi prej 10 km i morën jetën një të miture në moshën 12 vjeçare dhe më vonë u njoftua se numri i viktimave shkoi në 7 në Kroaci, 4 prej tyre në qytetin e Glinës. 

Të paktën 40 vetë u plagosën në Sisak, dy prej tyre gjenden në gjendje të rëndë.

Zagreb, njerëzit dolën në rrugë dhe parqe nga frika. Shumë thuhet se po largoheshin nga qyteti, duke injoruar ndalimin e udhëtimeve të vendosura për shkak të koronavirusit.

Presidenti i vendit Zoran Milanoviç i pranishëm në zonën e tëmetit tha se po dërgohen ndihma për të nxjerrë njerëzit nga rrënoja si dhe kërkoi ndërhyrjen e BE-së për të përballuar situatën.

"Ushtria është këtu. Kazermat mund të strehojnë disa qindra njerëz, familje. Por ... është një tmerr. Ishte një vit i vështirë, i tmerrshëm. Ky është si të shtosh  edhe një dhimbje listës me dhimbje pa fund. Kjo do të ndërtohet, por një njeri, një fëmijë humbi jetën. Vitin e kaluar tërmeti më i fortë ishte në Durrës, Shqipëri, 6, 4 ballë.  Kjo është praktikisht e së njëjtës forcë”, tha presidenti.

Ndërkohë të gjithë u bënë dëshmitarë të shpëtimit të një djali të vogël dhe babait të tij teksa  nxirren të gjallë nga një automjet thuajse i shtypur nga rrënojat e një ndërtese aty pranë.

E njëjta zonë u godit nga një tërmet 5.2 ballë të hënën. Në mars, një tërmet me madhësi 5.3 goditi Zagrebin duke shkaktuar  vdekjen e një personi dhe plagosjen e 27 të tjerëve.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:50
Tërmeti i fuqishëm, Kosova solidarizohet me Kroacinë

1609271614_yyyyy.jpg

Edhe Kosova është solidarizuar me Kroacinë pas tërmetit të fortë që ka rënë sot.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj- Stublla, ka reaguar pas tërmetit, duke shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, dhe solidaritet të plotë me Kroacinë dhe popullin mik kroat.

Haradinaj-Stublla është shprehur se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Kroacisë në këtë kohë të vështirë për popullin kroat dhe qytetarët e prekur atje, dhe është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj për çfarëdo që konsiderohet e nevojshme në këto momente.

 “Si institucione dhe si popull shprehim solidaritetin tonë të thellë me qytetarët e Kroacisë, shprehim ngushëllime familjeve të viktimave, lutemi për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve, dhe shpresojmë që të ketë sa më pak pasoja të tjera”, thuhet në reagimin e Ministres Haradinaj-Stublla, e cila në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qeverisë së Kosovës.

Ora 20:11
Tërmeti tragjik në Kroaci/ Basha: I trishtuar, lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllimet e tij kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç për tragjedinë që la pas tërmeti prej 6.3 ballësh. Basha shprehet i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa solidarizohet me popullin kroat dhe u shpreh shërim të shpejtë të plagosurve.

“I trishtuar nga lajmi i një tërmeti të dytë në Kroaci sot. Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Ne solidarizohemi me popullin dhe shtetin kroat dhe i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkruan Basha.

Ora 19:45
FOTO/ Shqiptari bën gjestin e veçantë, shpërndan bukë falas për të prekurit nga tërmeti në Kroaci

Kroacia u trondit ditën e sotme nga një tërmet i fuqishëm 6.3 ballë, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale. Kjo tragjedi ka sjellë dhe solidaritetin e shumë shteteve por edhe personave për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që tashmë kanë mbetur pa një çati mbi kokë. Një prej tyre është edhe shqiptari Alban Morina, i cili ka shpërndarë bukë për njerëzit e prekur nga tërmeti.

Morina ka publikuar foto në “Facebook” dhe ka shkruar  “Unë e di që nuk është koha për të agjëruar, por ata që nuk kanë ushqim sonte dhe nesër e që gjenden në shesh”.

Deri më tani nga tërmeti janë konfirmuar 7 të vdekur,  ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

 

Ora 18:32
Tërmeti tragjik në Kroaci, Ruçi: Solidaritet me popullin mik kroat! Ne e dimë mirë çdo të thotë kjo goditje

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër Kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, në të cilën i shpreh solidaritetin dhe mbështetjen për përballimin e pasojave të tërmetit të ditës së sotme.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal ju shpreh solidaritetin dhe mbështetjen për përballimin e pasojave të tërmetit të 29 dhjetorit, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në qytetin Petrinja.

Ne shqiptarët sepse i kemi ende të freskëta pasojat e  tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe e dimë mirë çdo të thotë të  goditesh  nga një tërmet i fuqishëm.

Shpreh bindjen se populli mik kroat dhe banorët e qytetit të Petrinjës do t’í përballojnë me sukses pasojat dhe vështirësitë e krijuara nga tërmeti, kjo sfidë e natyrës.”, shkruan Ruçi.

Ora 17:58
Tërmeti 6.3 ballë në Kroaci, Meta: Solidaritet njerëzor me popullin kroat! Krah për krah, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme

1609261198_metae1505069863936.jpg

Presidenti Ilir Meta ka shprehur solidaritetin e tij në lidhje me tërmetin e fortë 6.3 ballë që ka goditur sot Kroacinë.

Meta uron që ta përballojnë me të gjithë forcën këtë situatë të vështirë dhe të lehtësohen dhimbjet e familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre. Këtu ka shtuar se do të qëndrojmë pranë Krocisë, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë.

"I trishtuar nga tërmeti i rëndë, që goditi sot Kroacinë mike! Solidaritet njerëzor me popullin dhe autoritetet kroate, me urimin për ta përballuar me të gjithë forcën këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen e familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre.

Pranë Krocisë, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë", shkruan Meta.

Ora 17:38
Tërmeti tragjik në Kroaci/ Rama: Jemi pranë me zemër, do të japim ndihmën tonë modeste

1608806229_RAMAJJ.jpg

Kryeministri Rama, përmes një postimi në Twitter, ka shprehur solidaritetin me homologun kroat dhe me kreun e shtetit atje për tërmetin e fuqishëm që ka goditur sot zonën e Petrinjas në Kroaci.

Rama shkruan se Shqipëria është pranë me zemër dhe do të japë ndihmën e saj modeste.

"U kam përcjellë sot shprehjen e solidaritetit vëllazëror Presidentit Milanoviç dhe kryeministrit Plenkoviç, për fatkeqësinë mbi qytetin Petrinja! Shqipëria i është pranë me zemër Kroacisë mike e do të japë ndihmën e saj modeste për shërimin e plagës së hapur nga tërmeti i fortë", shkruan Rama.

Ora 17:13
TRAGJEDIA: Pesë persona janë vrarë në tërmetin shkatërrues deri më tani, mes tyre dy fëmijë

Zona e Petrinja të martën në orën 12.19 u godit nga një tërmet i fuqishëm me madhësi 6.2 të shkallës Rihter. Pasi policia konfirmoi se një vajzë 12-vjeçare humbi jetën në Petrinja, ndërsa nga Glina mbërriti lajmi për katër persona të tjerë të cilët humbën jetën si pasojë e tërmetit. Një informacion i tillë u konfirmua nga kryetari i Komunës së GlinësStjepan Kostanjević .

"Po, për fat të keq ne gjetëm një trup të pajetë nën rrënoja. Për shkak të forcës së goditjes, ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim identitetin e viktimës," tha Kostanjevic.

Një person tjetër nga Majske Poljane (pjesë e Glinës) vdiq ndërsa një familje po përpiqet të nxirren nga rrënojat, raporton nënkryetari i Komunës së Glinës.

Pak më vonë, dy vdekje të tjera u konfirmuan në Majske Poljane. Një baba dhe bir humbën jetën.

"Unë dyshoj në më të keqen - se do të gjejmë më shumë viktima. Të gjithë jemi në terren dhe po punojmë . Kjo është një katastrofë," tha kryetari i bashkisë së Glina. 

Ora 17:10
Solidaritet dhe mbështetje nga fqinjët për Kroacinë

Pas tërmetit që goditi Kroacinë sot kanë reaguar edhe liderët në Ballkan. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Serbia ishte e gatshme t'i siguronte çdo lloj ndihme Kroacisë pas tërmetit në Petrinja. 

"Shpresoj që tërmeti të ketë pasur një numër viktimash sa më të ulët dhe ne do të sigurojmë çdo ndihmë. Nëse mund të ndihmojmë në ndonjë mënyrë - ne do të ndihmojmë. Më vjen shumë keq dhe jam i gatshëm të jap çdo lloj ndihme, financiare, teknike," tha Vuçiç gjatë një vizite në Zajecar.

Ka reaguar gjithashtu edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut  Zoran Zaev. Qeveria e tij ka vendosur të dërgojë 6 milion denarë maqedonas ndihmë financiare për Kroacinë.

Sllovenia ofroi çadra, shtretër, ngrohje për viktimat e tërmetit.  Kryeministri Janez Jansa tha se ai foli me homologun e tij kroat Andrej Plenkoviç menjëherë pas tërmetit dhe ofroi ndihmë.

"Administrata jonë e mbrojtjes dhe shpëtimit është në gatishmëri dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me ata që janë përgjegjës," shkroi Jansa.

Sllovenia është gjithashtu e gatshme të ofrojë ekspertë për vlerësimin e dëmit.

Radio Sllovene raporton se tërmeti shkaktoi dëme të vogla materiale në zonat më afër epiqendrës, në provincat e Dolenjska dhe Bela Krajina, por edhe në disi më të largët në veri-lindje të vendit përreth Maribor dhe afër Ptuj.

Edhe presidenti malazez Gjukanoviç ka shprehur solidaritetin me Kroacinë, ai i dërgoi një telegram Presidentit Kroat Zoran Milanoviç .

"Ne jemi gati të ofrojmë ndihmë dhe mbështetje," tha Gjukanoviç, duke shtuar se Mali i Zi është i trishtuar kur sheh skenat e frikshme që vijnë nga Kroacia fqinje.

Ministria e Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës i ka ofruar Ministrisë së Brendshme të Kroacisë duke dërguar 60 trupa të kërkim shpëtimit.

1609258411_1332598316117737796016364099340028797231853n1.jpg

Ora 16:21
Kryetari i bashkisë së Pëtranjës: Qyteti im është shkatërruar plotësisht, kemi fëmijë të vdekur, kjo është si Hiroshima

Kryebashkiaku i Petrinjës Darinko Dumbović, qytetetit kroat që u “shkund” ditën e sotme nga tërmeti 6,3 ballë, është shprehur se qyteti është shkatërruar plotësisht.

“Qyteti im është shkatërruar plotësisht. Kemi fëmijë të vdekur. Nuk mund të përshkruhet. Kjo është si Hiroshima. Ne kemi nevojë për zjarrfikës, nuk e dimë se çfarë ka nën sipërfaqe, çatia e një makine ra, ne kemi nevojë për ndihmë”,  tha kryetari i Petrinja Darinko Dumbović.

"Ne po tërheqim njerëz nga vetura, nuk e dimë sepse kemi të vdekur dhe të plagosur, gjithashtu dëgjova që kopshti ishte shembur, por për fat të mirë nuk kishte fëmijë në kopsht, ndërsa fëmijët e tjerë arritën t'i shpëtonin", shtoi Dumbovic

Ora 15:11
VIDEO/ Dhimbje dhe shpresë nga Kroacia, babë e bir nxirren gjallë nga rrënojat

Të tjera pamje të dhimbshme vijnë nga Kroacia, pas tërmetit tragjik të mesditës së sotme.  

Në pamjet e mëposhtme shihet momenti kur një djalë i vogël dhe babai i tij nxirren të gjallë nga një automjet thuajse i shtypur nga rrënojat e një ndërtese aty pranë.

 

Ora 14:52
Presidenti kroat në Petrinja: "E tmerrshme! Çfarë tmerri! Milanoviç: Tërmeti i sotëm pothuajse me të njëjtën forcë si ai në Durrës vitin e kaluar

Presidenti Zoran Milanoviç dhe Kryeministri Andrej Plenković ndodhen në Petrinja pas tërmetit shkatërrues  që goditi vendin. Presidenti Zoran Milanoviç dhe Kryeministri Andrej Plenkoviç vizituan qendrën e Petrinja.

"E tmerrshme! Çfarë tmerri!, këto ishin edhe fjalët e para të presidentit të vendit Milanoviç.

"Ushtria është këtu. Kazermat mund të strehojnë disa qindra njerëz, familje. Por ... është një tmerr. Ishte një vit i vështirë, i tmerrshëm. Ky është si të shtosh  edhe një dhimbje listës me dhimbje pa fund. Kjo do të ndërtohet, por një njeri, një fëmijë humbi jetën. Vitin e kaluar tërmeti më i fortë ishte në Durrës, Shqipëri, 6, 4 ballë.  Kjo është praktikisht e së njëjtës forcë”, tha presidenti.

Dhe vazhdoi fjalën e tij duke thënë se këto raste, godisin më rëndë të varfërit.

“Gjithmonë godet më të varfërit. Dhe ky qytet është i varfëruar, ju e shihni, ka ndërtesa që janë ndërtuar me shumë se 150 vjet më parë," tha ai.

Ai theksoi se mbështetet në ndihmën e BE për rindërtimin, njëjtë siç ndodhi me Shqipërinë vitin e kaluar.

Intensiteti i tërmetit shkatërrues u vlerësua në shkallët VIII-IX të EMS dhe u ndie, sipas qytetarëve, në Slloveninë fqinje, në Maribor dhe në kryeqytetin Ljubljanë.

Ora 14:50
Video, Tërmeti me magnitudë 6.3 shkundi Kroacinë, reagimi i gazetares teksa ishte në transmetim ‘live’

Reagimet e qytetarëve ndaj tërmetit të fuqishëm që goditi Kroacinë ditën e sotme janë bërë virale në rrjetet sociale. Sipas mediave kroate situata më e rëndë është në Petrinja.

Në njërën prej tyre shihet edhe reagimi i gazetareve gjatë raportimit live.

#earthquake #croazia
giornalisti in diretta riprendono il momento in cui il terremoto ha inizio#Petrinja #Terremoto #zagreb #zagabria #croatia #croazia
pic.twitter.com/emuMfSk4fj

— Ale (@guastatore1) December 29, 2020
Ora 14:31
BE në krah të Kroacisë në këto ditë të vështira

Edhe Bashkimi Evropian ofroi mbështetje dhe ndihmë për qytetarët dhe autoritetet e Kroacisë tërmetit që e goditi ditë e sotme.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter” deklaroi se BE po monitoron situatën, pas tërmetit që goditi vendin.

“Ne po e ndjekim nga afër situatën në Zagreb pas tëermetit shkaktërrues që goditi vendin sot. Mendimet tona janë me të plagosurit dhe ata në vijat e para të mbrojtjes,” shkruan ai.

Michel  theksoi se BE është në ndihmë të qytetarëve dhe qeverisë së drejtuar nga Plenkoviç.

 

Ora 14:02
Viktima e tërmetit në Kroaci, një vajzë 12 vjeçare, Kreyministri i vendit arrin në Petrinja

Fëmija i cili humbi jetën sot në tërmetin në Kroaci është një vajzë në moshën 12 vjeçare, njoftimin e dha kreu i bashkisë së Petrinjës, Darinko Dumbović.

Tërmeti gjithashtu shkaktoi dëme të mëdha në Sisak. Rrugët u shkatërruan, tubat shpërthyen dhe uji përmbyti rrugët dhe shtëpitë e zonës.

Ekipet e shpëtimit nga e gjithë Kroacia shkuan në Petrinja për të ndihmuar në kërkimin dhe shpëtimin pas tërmetit shkatërrues. Edhe kryeministri i vendit Andrej Plenkoviç tashmë ka arritur në vendngjarje.

 

Ora 13:58
Tërmeti shkund Parlamentin, deputetët sllovenë boshatisin sallën të tmerruar (Video)

Tërmeti magnitudë 6.3 me epiqendër në Kroaci është ndjerë edhe në Slloveninë fqinje. Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur lëkundjet ndërpresin punimet në sallën e parlamentit dhe detyrohen të largohen.

Për arsye sigurie, Sllovenia ka mbyllur edhe një impiant bërthamor në vend.

Vetëm një ditë më parë, një tërmet me magnitudë 5.3 ballë u regjistrua në Kroaci, duke shkaktuar edhe dëme në disa banesa. Ndërsa javët e fundit janë ndjerë dhjetëra tërmete, të magnitudave të ndryshme.

Ora 13:17
Tërmeti në Kroaci, Plenkoviç: Duhet të shpëtojmë ata që gjenden nën rrënoja

Menjëherë pars tërmetit që goditi vendin, të tretën herë brenda këtij viti ka reaguar edhe kryeministri Andrej Plenkopviç i cili me anë të një postimi ka theksuar se prioritet tanimë është shpëtimi i qytetarëve. 

"Gjatë rrugës për në Petrinja pas një tërmeti tjetër shkatërrues në Qarkun Sisak-Moslavina, i cili u ndie në shumë pjesë të Kroacisë. Ne mobilizuam të gjitha shërbimet për të ndihmuar njerëzit dhe për të shkatërruar pjesët e shkatërruara. Gjëja më e rëndësishme është të shpëtojmë jetë njerëzish".

Kanali i lajmeve N1 raportoi se epiqendra ishte në qytetin Petrinja, 50 kilometra nga kryeqyteti i Kroacisë.

Reuters raporton se ekipet e  shpëtimit atje janë duke u munduar të shpëtojnë personat nën rrënoja. Është arritur të nxirret deri tani  një burrë dhe një fëmijë të dy ishin gjallë.

Në pamje të shumta tregohen shtëpi të shembura dhe ende nuk dihet sa persona mund të kenë mbetur nën rrënoja. 

Ora 13:13
Tërmeti në Kroaci, qindra shtëpi të rrënuara

Kanë kaluar pak minuta qëkur Kroacinë e goditi një tërmet i fuqishëm dhe në mediat sociale kanë filluar të bëhen publike pamjet e ndërtesave të shkatërruara. Qytetarët rrëfejnë momentet e frikës. Ende nuk raportohen viktima. 

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Braktisen punimet prej 12.5 milionë eurosh për rrugën e Lurës', Elda Hoti: Fondet po vidhen nga investitorët strategjikë dhe qeveritarët

'Braktisen punimet prej 12.5 milionë eurosh për rrugën e Lurës', Elda Hoti: Fondet po vidhen nga investitorët strategjikë dhe qeveritarët