Nocioni taktik i Sylvinhos dhe ndikimi social që do të ketë ky sukses i Kombëtares

Nocioni taktik i Sylvinhos dhe ndikimi social që do të ketë ky sukses i Kombëtares

Sylvinho

Ekipi jonë kombëtar e nisi epokën Sylvinho menjëherë në një ndeshje zyrtare kundër Polonisë, e humbur në Varshavë, dhe të gjithë menduam se kjo humbje erdhi si paso që trajneri i ri nuk e njeh skuadrën dhe vendosi në fushë një sistem të ri taktik 4-2-3-1 ndryshe nga paraardhësi i tij Edi Reja që luante vazhdimisht me skemën 3-5-2 në fazën ofensive dhe 5-3-2 kur ekipi mbrohej, me këtë skemë ekipi kombëtar kishte shumë probleme në fazën mbrojtëse dhe sidomos nga krahët ku topat në thellësi në shtyllën e dytë përfunduan në gola për kundërshtaret.

Me ardhjen e trajnerit Sylvinho u vu re menjëherë që ai forcoi mbrojtjen ose më saktë shkuan në fazën mbrojtëse dhe që nuk ndryshoi në asnjë ndeshje sistemin taktik me 4 mbrojtës në vije të drejtë, Hysaj në pozicionin e tij natyral nga e djathta që rilindi dhe ishte një nga më të mirët. Zbulimi i trajnerit ishte Mitaj, mbrojtës i majtë që ishte thjesht fantastik dhe shpesh herë manovra ofensive nga linja e fundit nis pikërisht nga krahu i majtë. Ndërsa dyshja e qendrës Gjimshiti-Ismajli ishin një siguri dhe patën rritje në çdo ndeshje.

Pika më e forte e kësaj skuadre është mesi i fushës me dyshen përpara mbrojtjes Ramadani-Asllani (double six), kimia midis tyre është e dukshme, Ramadani është muri i parë në mesfushë, për çdo aksion të kundërshtarit dhe Asllani që nuk e kam parë asnjë herë të pasojë pa adresë dhe është ai që e nxjerr topin nga mbrojtja dhe të lidhi repartet kur ne kemi topin, gjithashtu goditjet nga distanca e bëjnë këtë lojtar të një niveli shumë të lartë.

Bajramin mund ta quaj pa frikë futbollistin vendimtar në këto eliminatore, ai merr pjesë në çdo aksion sulmues të Kombëtares, ka shënuar gola shumë të rëndësishëm, sidomos ai me Republiken Çeke në Pragë, ky futbollist ka lirshmeri nga trajneri Sylvinho të shkeli të gjithë fushën dhe të kërkojë topin në zona të lira midis repartit të mbrojtjes dhe mesfushës kundërshtare dhe shpeshherë është shumë i rrezikshëm me diagonalet e shkurtra nga vija e dytë dhe elementi suprizë për kundërshtaret bën që trajneri Sylvinho të ketë një rruge dalëse të sigurtë në manovrën ofensive me këtë lojtar.

Risia që solli trajneri Sylvinho me ardhjen e tij ishin sulmuesit anësorë që i kërkoi të ishin me këmben e kundërt në krahun e kundërt, pra Asani një majtosh luan nga e djathta, ndërsa Seferi luan me këmben e djathtë dhe luan në anën e majtë të sulmit. Trajneri kërkon në çdo rast që sulmuesit anësorë të futen nga qendra dhe të godasin portën (na kanë dhuruar gola spektakolarë) të asistojnë, të futen ne triblime, në lojën 1vs1, të shkojnë gjithmonë në shtyllën e dytë kur topi luhet në krahun e kundërt dhe më e rëndësishmja të kthehen në fazën mbrojtëse deri në linjat e fundit. Gjithashtu trajneri Sylvinho preferon që sulmuesi kryesor të sakrifikojë shumë, të tërhiqet dhe ti lirojë hapsira sulmuesve të krahut, por dhe nr.10 që vjen në befasi. Cikalleshi ka sakrifikuar shumë duke e berë në mënyrën më të mire atë që i kërkon trajneri dhe kjo është arsyeja që ai është një titullar në çdo ndeshje. Goli kundër Moldavise me penallti do ta zhbllokoje këtë lojtar. Kemi parë gola spektakolarë nga distanca dhe jemi mahnitur nga Asani-Bajrami-Asllani por mendoj që akoma nuk kemi parë gol me goditje jashtë zone nga Cikalleshi, unë e pres dhe mendoj qe do bëj goditjen e tij.

Berisha, po e le në fund si qershia mbi tortë, në vlerësimin tim modest mendoj qe ky portier është me i miri që unë kam parë dhe kam patur fat ta kem shok skuadre. Siguri-eksperiencë-talent-zgjuarsi dhe mbi të gjitha njerëzor dhe shpirt grupi.

Shqipëria e Sylvinhos është një skuadër që ka një pjekuri taktike, ka durim e pret kundërshtarin gjithmonë nën linjen e topit, shpeshherë ne 1/3 e fushës, menjëherë sapo futbollistët tanë rikuperojnë topa në zona të rëndësishme, ata nisen menjëherë përpara duke shfrytëzuar shpejtësinë e repartit të avancuar. Kjo mënyre loje e bën që skuadra jonë kombëtare të jetë shumë e rrezikshme në kundërsulm.

Alternativat në pankine, që trajneri Sylvinho përdor zakonisht pas minutës së 60’ nuk e ndryshojnë nocionin e lojës që ai kerkon. Kemi parë shpesh herë Dakun-Uzuni-Laci-Bare-Muci-Muja-Veseli-Strakosha-Kastrati-Balliu-Ajeti-Gjasula-Sadiku-Roshi sa herë që jan thirrur në apel janë pergjigjur pozitivisht në fushën e lojës, nuk ka gjë më të mirë për një trajner sesa të ketë një stol të kompletuar. Sigurisht nuk duhet te harrojmë që me rikthimin e Brojës ekipi kombëtar merr formen e një ekipi te madh që mund te konkurrojë edhe skuadrat e nivelit të parë.

Arkitekti i këtij suksesi madhështor për Shqipërinë pa diskutim është presidenti Armand Duka, në 8 vite ekipi kombëtar shkon dy herë në Europian dhe merita kryesore është e Presidentit, lotët e tij pas çdo suksesi të Kombëtares tregojnë që ai ka bërë gjithçka që të arrijmë në këto nivele, jam dëshmitar për këtë fakt.

Për ta mbyllur analizën time, në aspektin sportiv është një ëndërr, ndërsa në aspektin social të vendit do të ndikojë pozitivisht, sidomos tek rinia që është e rrezikuar nga veset që ata përballen çdo ditë, ata do të dynden në akademitë e futbollit (akademia Triumph) që të ndjekin ëndrrën dhe të behen si idhujt e tyre të rinj. Historia vazhdon….

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë