Grupi i Berishës: Po shkojmë drejt mbledhjes së 5 mijë firmave! Bardhi: Deri tani asnjë s'është depozituar, në Elbasan 'Foltorja' po ndihmohet nga Suel Çela, e di dhe Noka

TIRANË- Edhe pse nga institucionet zyrtare të Partisë Demokratike gjithçka quhet një 'blof' nga Sali Berisha, mbështetësit e ish-Kryeministrit, Flamur Noka, Genti Strazimiri dhe Arben Ristani, kanë deklaruar sot se kanë mbledhur edhe 150 firma të tjera delegatësh, duke shkuar në 4350. Sipas tyre, firmat e mbledhura nga Foltorja e Sali Berishës do të verifikohen në datë 11 dhjetor përmes një komisioni të ngritur nga vetë Kuvendi.

Ish-deputeti Gent Strazimiri tha se firmat janë dërguar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe kushdo që ka kuriozitet t’i shohë ato mund ta bëjë, por verifikimin sipas tij mund ta bëjë vetëm Kuvendi. Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i PD-së zyrtare. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, është shprehur se asnjë firmë nuk është depozituar në parti, shoqëruar me kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.  Duke shpjeguar procedurën, Bardhi tha se përveç Statutit ka 3 tre rregullore në Partinë Demokratike. Njëra prej rregulloreve flet për mënyrën se si thirret Kuvendi Kombëtar i PD nga 1/4 e anëtarëve të këtij organi.

Bardhi tha se është Kryesia e Partisë që bën njoftimin e datës dhe orës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe jo përmes Facebook. Sipas tij, kërkesa për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Kryesia njoftohet me shkrim dhe rendi i ditës njoftohet 1 muaj para. 

"Nëse nuk verifikohen firmat para se të shkojmë në Kuvend kush e thërret Kuvendin, kasaforta? Si mund të thuash janë sekret të dhënat e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Ata janë zyrtarë të PD-së. Të dhënat mbahen gjoja konfidenciale sepse nuk janë firmat", tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD tha se nuk mund të ketë një komision verifikimi firmash në ditën e mbledhjes në Kuvend Kombëtar.

"Komisioni regjistron praninë e delegatit dhe i referon drejtuesit të mbledhjes nëse ka apo jo kuorum për të nisur mbledhjen. Dhe nuk verifikon firmat. Po këtë thonë bëjmë ndonjë listë shokësh, dhe e quajmë edhe Kuvendin Kombëtar të PD-së", tha ai.

Bardhi nuk u mjaftua me kaq, por akuzoi se Berishës në foltore i janë bashkuar njerëz që kanë punuar kundër PD. Nuk kurseu as emrat. Bëhet fjalë për Suel Çelën, në një kohë që më parë Sali Berisha ka hedhur akuza shumë të forta kundrejt tij duke e cilësuar si një kriminel shumë i rrezikshëm në Elbasan pranë mazhorancës, e që sot sipas Bardhit e ndihmon për mbledhjen e  firmave.

"Ai e di shumë mirë që unë nuk flas në telefon me Suel Çelën. E kam pasur përballë në fushatën e 25 prillit dhe sot Suel Çela punon për atë. Dhe sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i Partisë Demokratike, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit t’ua mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela", tha Bardhi.

Në konferencë për shtyp nga PD të mbështetësve të Berishës, deputeti Flamur Noka akuzoi Bashën si ministër i Ramës që paguhet për të shuar opozitën.

“ Peng kryetarit i kanë mësuar një gjë që mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të sulmosh, nuk ka qytetar që nuk e di se kush është pengu dhe i ka shërbyer Ramës prej 8 vitesh, kush i dogji  të gjitha kauzat e opozitës dhe për çfarë arsyesh. Të gjitha këto tregojnë se qeveria nuk ka 19 ministra por 20 minuta, atë të shuarjes së opozitës që quhet Luzlim Basha dhe se paguhet nga qeveria e Ramës, Në këtë panik ai sulmon për t’u mbrojtur, demokratët shprehën vullnetin e tyre për mbledhjen e Kuvendit. Sot janë mbledhur edhe 150 të tjera dhe do të vijojnë ende dhe shifrat do e kalojnë 5 mijë firma, është vullnet absolut i demokratëve. Paniku që ka zënë peng kryeartin duket tek histeria se si flasin dhe sulmojnë, asgjë nuk e ndal vullnetin e demokratëve.”, tha Noka

Nga ana tjetër Gent Strazimiri iu përgjigj Bashës si cili e quajti puç mbledhjen e firmave, duke thënë se puç janë shkeljet e rregullave të partisë nga ana e tij.

“Puç është gjithçka që nuk respekton rregullat e parisë. E keni pike për pike sipas statusit të PD, nuk është puc”, tha Strazimiri.

Ndërsa ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani nënvizoi se institucionet e partisë nuk janë legjitim se nuk janë zgjedhur me votë të fshehtë.

"I vetmi institucion legjitim është Këshilli Kombëtar dhe ne për transparencë po i çojmë atje. Shumica vendos, pakica duhet t'i ndjekë pas. Kuvendi vetëmblidhet dhe në këto kushte çdo Kuvend, duke nisur nga ai i Shqipërisë te ai i partive politike, Kuvendet vetëkontrollohen, nuk i kontrollon askush, Kuvendi do të ngrejë strukturën e vet të kontrollit dhe aty pakica e ka për detyrë të jetë. Në respekt të institucioneve të partisë dhe transparencës është dorëzuar në organin më të lartë të partisë. Procedura që ndiqet është kjo. Në rast se do kishte mbledhje normale të Kuvendit, organet e zgjedhura mund të kishin punuar, por kanë qenë të painteresuar për të bërë ndryshime. PD zyrtare është shumica e anëtarëve të PD, nuk ka PD zyrtare tjetë", tha ai.

Sali Berisha i ka depozituar 4200 firmat në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar për thirrjen e Kuvendit, i cili pritet të mblidhet më 11 dhjetor. Krahas kalimit në filter të drejtimit të Lulzim Bashës, Berisha ka paralajmëruar edhe ndryshime statutore, të cilat ende nuk janë përkthyer në një draft.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:40
Gazment Bardhi: Suel Çela në Elbasan i angazhuar në mbledhjen e firmave për Kuvendin e PD

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp nga selia blu, tha se Suel Çela në Elbasan, është angazhuar në mbledhjen e firmave për Kuvendin e PD. Suel Çela njihet si një person problematik me disa rekorde kriminale në qytetin e Elbasanit. Suel Çela ka qenë edhe subjekt i OFL.

"Unë nuk flas në telefon me Suel Çelën. E kam pasur përballë në fushatën e 25 prillit dhe sot Suel Çela punon për Berishën. Nuk jam marrë unë. Dhe sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i Partisë Demokratike, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit t’ua mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela."-tha Bardhi.

Ora 15:28
Bardhi: 'Qifja' që mbush sallat e 'Foltores' dhe bandat, nuk mund të thërrasin Kuvendin e PD

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, deklaroi se në krah të Berishës është një person që ka bërë fushatë për djalin e Aqif Rakipit, deputetin Ornaldo Rakipi. Bardhi theksoi se Kuvend Kombëtar me “Qifen” dhe shefin e shtabit të “Qifes” nuk ka për të pasur. Më tej Bardhi theksoi se kjo parti ka 650 mijë mbështetës dhe nuk është çudi që secili deputet të mbledhë 4-5 mijë veta në një sallë, aq më tepër kur e ndihmon edhe “Qifja”. Në përfundim të konferencës Bardhi u shpreh se bandat dhe krimi i organizuar nuk mund të mbledhin Kuvendin e PD. 

“Po tani çfarë na u tha, “ejani atë ditë dhe verifikojini, ndonjë emër na e jep edhe “Qifja” (Aqif Rakipi) ta fusim aty, që të mbushim sallën. Kështu dëgjova dje se ky grupi nismëtar do të bënte certifikimin dhe aty ishte shefi i shtabit të Ornaldo Rakipit, e ka pasur përballë Flamur Noka (i referohet Keltis Krujës, ish-deputetit të PD). Dhe ky shefi i shtabit do të verifikojë mandatet? Organizator i shtabit organizator të “Foltores. Banda dhe krimi i organizuar nuk thërret Kuvend të Partisë Demokratike. ” - tha ai.

1636641786_Screenshot2.jpg

Keltis Kruja në konferencën e Berishës 
Ora 15:20
Bardhi: Nuk arritën t’i mbledhin firmat për Kuvendin Kombëtar, sot bërtasin dhe shpikin procedura

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD tha në një konferencë për shtyp nga selia blu tha se nuk u arrit mbledhja e firmave për Kuvendin Kombëtar nga Berisha dhe mbështetësit e tij. Bardhi theksoi se për shkak të dështimit, shpikën procedura, vetënumëro e vetëmblidh duke i mbyllur votat në kasafortë. Sakaq, ai tha se statuti i PD është shpjeguar qartë prej tij, dhe nuk mund të ndryshohen rregullat, ndërsa shtoi se nëse i kanë, le ti sjellin firmat.

"Jam i bindur që firmat nuk janë mbledhur, do duhet t'i kishim parë po të ishin. Kryetari i Këshillit Kombëtar as në dorëzim nuk i ka marrë. I sollën tha dhe i ka mbyllur në kasafortë. E trajtojnë kryetarin e Këshillit Kombëtar si rojen e partisë. Kryetari i Këshillit Kombëtar nuk është roje dhe as specialist i zyrës së protokollit. Firmat dhe kërsa siç ua lexova depozitohen në protokollin e partisë dhe i përcillen kryesisë së partisë. Si u mbyllkan në kasasfortë, silli pra, pse të jenë sekret firmat. Kush më ka njoftuar mua si sekretar i përgjithshëm i PD, për Kuvendin Kombëtar, më duhet të hap FB që të marr vesh se mblidhet organi i partisë ku jam Sekretar i Përgjitshhëm. Për këtë procedurë që shpjegoj unë, njëri që bërtet sot më fort, e ka thënë një javë më parë që nuk nuk është kështu procesi, po ju lë 24 orë kohë ta gjeni vetë. Bërtet se nuk është kështu procesi, ka thënë identik një javë më parë këtë që po them unë sot. Firmat nuk i tregojnë dhe i mbyllin në kasafortë. Ky është fakt. Procedurën që po shpjegoj unë sot, me zë dhe figurë në RTH e ka thënë njëri prej këtyre që sot bërtet fort. Ishte para një jave, ishin 90 për qind të firmave të mbledhura, pastaj shkoi 110 për qind, e panë që as 10 për qind të firmave nuk i kanë, shpikën procedurë, vetënumërojnë, vetëmblidhen, shpikin një gjë që ka vetëm 'vetë' përpara. Askush tjetër nuk duhet të di gjë se mbyllemi vetë te kasaforta. Pse ndryshuan mendje një javë më vonë. Nuk u arrit të mblidheshin firmat e 1/4 së anëtarëve të Kuvendit për të vënë në lëvizje procedurën për të thirur Kuvendin Kombëtar. Të sjellin kërkesën sipas procedurave për të mbledhur kuvendin e PD.”-tha Bardhi.

Ora 14:50
Bardhi: Nuk jemi pengje të askujt, tregoni provat kur ngrini akuza edhe ndaj kryetarit të partisë

 

Sekretari i Përgjitshëm i PD, Gazment Bardhi, komentoi pas pyetjes së gazetares së Report Tv Danjela Maloku, atë që deklaroi Flamur Noka pak më parë në shkallët e selisë. Noka e quajti Bashën si peng. Bardhi tha se s’ka asgjë për të fshehur ndërsa thekoi se për çdo akuzë duhen paraqitur provat. Sakaq, Bardhi bëri me dije se po luftojnë çdo ditë kundër Edi Ramës dhe se nuk janë pengje të askujt.

Pyetja nga gazetarja e Report Tv Danjela Maloku: Përpos intepretimit të ndryshëm që i bëni statutit të PD, Noka ju listoi në listën e pengjeve? Si nëkëmbës i zotit Basha jeni dhe ju në listën peng?

"Nuk kam ndërmen ta kthej këtë çështje në çështje epitetetesh. Di të them që peng është ai që ka diçka për të fshehur, për të dhënë apo për të marrë. S'kam dhënë e as skam marrë kurrë asgjë asnjëherë. Jam i hapur ndaj cilitdo që bën akuza të tilla, përfshirë dhe ndaj kryetarit të partisë, të tregojë provat. Berisha ka ngritur gjyq për Departamentin Amerikan të Shtetit. I thotë më paraqisni provat, ndërkohë që ka dy muaj që akuzon lidershipin e partisë, ne që jemi në betejë me ramën përditë qenkemi peng të tij? A ka njeri në Shqipëri më të interesuar se Basha për të qenë kryeministër dhe për të mundur Ramën? Nuk ka. Historitë me pengje e pengmarrje do duhet t'i bëjnë me seriozitet sepse po u flasin demokratëve në një moment të vështirë. Masakra zgjedhore e 25 prillit është dicka e vështirë. Nuk mund ti vendosim halleve të deokratëve hallet tona personale. E themi partinë do e bëjmë bunker e të rrijmë me sytë nga qielli se po vjen ndonjë rraketë nga SHBA. Hallet ti mbajnë larg PD-së. Hallet e PD-së do i mbajmë bashkë se e kemi për detyrë."-tha Bardhi.

Ora 14:47
'Firmat nuk ekzistojnë', Bardhi: Deri tani asnjë firmë nuk është depozituar  në parti! Paloka s'ka zyrë

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, ka përsëritur edhe një herë deklaratën se në PD asnjë firmë nuk është dorëzuar nga Sali Berisha për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.

"Ne nuk jemi një organizatë që funksionojmë në ilegalitet. Ne kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të respektuar rregullat e brendshme të PD, Statutin e PD. Dua të konfirmoj për çdo demokrat se në PD nuk ka ardhur deri në këto momente që flasin asnjë kërkesë, e asnjë anëtari të vetëm, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Ajo që mbështetësit e PD dhe shqiptarët kanë parë deri më tani ka qenë një blof i madh, një tallje me sakrificat e demokratëve për interesa personale. Ata nuk mundën të mblidhnin 1/4 e firmave. Në momentin kur skadon afati jo vetëm që nuk depozitohen firmat por bëhet shou. Besoj jeni edhe ju dëshmitarë që deri në këtë moment në PD, në zyrën e protokollit, nuk ka ardhur asgjë. E përsëris. Nuk jemi institucion në ilegalitet. I vetmi hall i demokratëve në këtë moment është largimi i Edi Ramës. Unë sikur nuk e kuptoj ku qëndron problemi i depozitimit zyrtar të firmave në protokollin e Partisë Demokratike. Nuk vijnë firmat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm por në protokoll. Protokollohet çdo kërkesë në Partinë Demokratike. Nëse këto firma do të ekzistonin dhe do të ishin firma të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar do të depozitoheshin. Punonjësit e zyrës së protokollit të PD kanë qenë në pritje të kësaj procedure. Unë mora masa që të ishin në punë edhe jashtë orarit. Zyra nuk është e kryetarit të Këshillit të Kombëtar, z. Paloka e ka si ish-nënkryetar. Kryetari i Këshillit Kombëtar nuk ka zyrë sepse është pozicion honorifik", tha Bardhi në një deklaratë për mediat nga Selia e PD.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meti: 11/11/2021 21:20

    Kur ka ngalur PD ne dore te ketij personi, bateu! Se me cfare fytyre nje i tille flet per norma dhe ligj kur ne zgjedhjet e fundit i binte gjoksit se grupet paramilitare i kishte organizuar partia me akte te saj????? Cte thoc me, injorance totale.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë