Ky takim i ministrit, që fillimisht nuk është njoftuar nga Ministria e Brendshme, është pasuar nga ai i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, me shefat e komisariateve dhe sektorëve të ndryshme të Tiranës.
Shqiptarja.com mësoi se në takim edhe Burgaj ka kërkuar një analizë të hollësishme të punës së uniformave blu si dhe ka paralajmëruar lëvizje nga detyra për kë rezulton se nuk e ka kryer atë siç duhet.
LUTJA E VIKTIMAVE: AMAN NA SHPETONI JETEN
Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen thonë se motrat kishin arritur ta izolonin njërin prej grabitësve dhe pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë shoku i tij. Ai ka goditur me thikë gratë për të shpëtuar shokun dhe më pas të dy janë larguar përmes rrugës dytësore që të nxjerr tek Unaza e Re.
"Ndihmë, ndihmë. Dëgjova të bërtiturat dhe nga shtëpia dola në rrugë. Pashë 2 gra të plagosura- tregon Isa Meta, banor i asaj lagjeje
"Aman na shpëtoni jetën”- ishte lutja e Lumturies drejtuar këtij njeriu i cili tregon për gazetarin Arsen Rusta të TVA1 Report dhe vështirësitë për t’i dhënë ndihmën e shpejtë të plagosurave.
“Asnjë makinë nuk ndalonte, përveç një çuni të ri. E futëm në makinë, dhe të motrën e saj dhe u nisëm për tek spitali”- tregon minutat e para dëshmitari.
Isa Meta, banor pranë ish fushës së aviacionit tregon se ka pasur dhe raste të tjera grabitjeje në këtë zonë. “Kemi dalë për t'i ardhur në ndihmë.Është vend shumë problematik. Sidomos që kur është bërë rikonstruksioni i kësaj zone” - tregon Meta për tv A1 Report.
(Në foto dëshmitari i ngjarjes, Isa Meta duke rrëfyer për A1 Report)
116 TE SHOQERUAR, BURGAJ TAKON DREJTUESIT E POLICISE
Një aksion policor është ndërmarrë gjatë orëve të mbrëmjes. 116 persona janë shoqëruar në komisariat si dhe janë sekuestruar 70 motora, të ngjashëm me atë me të cilin u larguan dy grabitësit nga vendi i krimit.
Sot në mesditë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi se po punohet intensivisht për të zbuluar autorët e vrasjes “Po punohet intesivisht për zbulimin e ngjarjes”- deklaroi Burgaj menjëherë pas takimit që zhvilloi me të gjithë efektivët drejtuese të Tiranës. Burgaj e cilësoi një takim “normal” atë të zhvilluar sot në mesditë në ambientet e Pallatit të Kongresve, disa orë pas vrasjes për qëllim grabitje të Fatbardha Tafës, dhe plagosjen e motrës së saj Lumturie Gjana.
Burime jo zyrtarë bëjnë të ditur se mes 116 të ndaluarve dyshohen se janë dhe dy grabitësit, por do të jenë ekzaminimet e gjurmëve të gishtave që do të saktësojnë gjithçka.
Policia ka vënë 10 mijë euro shpërblim për kë ofron informacion që do të çojë në kapjen e autorëvë, ndërsa premton se do të garantojë anonimitetin e informatorit. Kush ka informacion në lidhje me ngjarjen mund të telefonojë në numrin 069 41 04 111 si dhe numrin pa pagesë 129.
(sg/shqiptarja.com)