Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale do të kushtojë 25 milionë lekë, ose rreth 250 mijë euro, sipas kërkesës për buxhet të posaçëm që kryetari i tij, Arbjan Mazniku, i ka drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Pjesën më të madhe të buxhetit të kërkuar, 16.2 milionë lekë, ose 64.8% të totalit, parashikohet ta zënë pagesat për ekspertët e jashtëm.
Sipas dokumentit, Komisioni synon të angazhojë 30 ekspertë, të ndarë në pesë grupe pune, me nga gjashtë ekspertë secili. Këto grupe do të trajtojnë funksionet infrastrukturore, funksionet sociale, funksionet ligjzbatuese, financat vendore, si dhe qeverisjen dhe rajonalizimin.
Nga një përllogaritje e thjeshtë, fondi prej 16.2 milionë lekësh përkthehet në një mesatare prej 540 mijë lekësh për çdo ekspert për angazhimin e parashikuar.
Një tjetër zë i rëndësishëm është organizimi i eventeve publike, për të cilat kërkohen 6.8 milionë lekë, ose 27.2% e buxhetit.
Komisioni parashikon zhvillimin e të paktën tri aktiviteteve të mëdha jashtë ambienteve të Kuvendit, të cilat do të shërbejnë për konsultimin publik mbi reformën territoriale.
Aktiviteti i parë do të organizohet me përfaqësues të qeverisë, agjencive kombëtare, bashkive, anëtarëve të komisionit dhe ekspertëve.
Në aktivitetin e dytë parashikohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit, universiteteve shqiptare, shoqatave të bashkive dhe anëtarëve të komisionit.
Ndërsa aktiviteti i tretë do të shërbejë për prezantimin e gjetjeve kryesore dhe ballafaqimin e tyre me një audiencë më të gjerë.
Për këto aktivitete, shuma mesatare e planifikuar rezulton rreth 2.27 milionë lekë për event, nëse realizohen vetëm tri aktivitete.
Dy milionë lekë të tjera, ose 8% e buxhetit, kërkohen për udhëtime, media, komunikim dhe mbështetje shtesë. Në dokument nuk jepet një ndarje më e detajuar e kësaj shume për secilin prej këtyre shpenzimeve.
Lajmi kryesor:
Report Tv zbardh kërkesën/ Kuvendi kërkon mbi 40 milionë lekë për projektin 'Media Hub', platforma e re digjitale për inteligjencën artificiale dhe punimet parlamentare









