Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka kërcënuar të gjithë punonjësit e policisë që kanë dëshmuar për sulmet me molotovë të militantëve në protestën e 17 prillit.
Në një postim në rrjetin e tij social, Noka ka publikuar pjesë nga kërkesa e Prokurorisë për masat e sigurisë për protestuesit, ku dallohen edhe emrat dhe firmat e policëve që kanë dëshmuar për sulmet e militantëve me molotovë drejt tyre, por edhe godinës së Kryeministrisë.
Krahas postimit, Noka u bën thirrje të gjithë demokratëve të memorizojnë emrat e policiëve, të cilat i quan falsifikatorë dhe fajtorë për arsyen përse 5 prej militantëve u lanë në qeli.
“Vëllezër e motra demokratë, memorizoni këta falsifikatorë! Prej tyre protestuesit gjenden në burg paligjshmërisht”, shkruan Flamur Noka.
5 prej protestuesve, Klemend Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Tocilla dhe Semi Bici u lanë në burg pasi për herë të parë u kapën në flagrancë me çanta me molotovë, ndërsa policët I kishin identifikuar gjatë protestues duke sulmuar me lëndët piroteknike.

Komente











