Me Microsoft dhe Nokia bëhen bashkë dy kompani të cilat duhet të luftojnë me ndryshime të mëdha në biznesin e tyre.Marrëveshja arrihet në kohën kur dy gjigandët po kalojnë ditë të vështira.

Ka kohë që është spekuluar por tani është e vërtetë: gjigandi i programeve kompjuterike Microsoft blen degën kryesore të biznesit të kompanisë për telefona celular, Nokia. Microsoft-i do të paguajë 5,44 mliardë euro për këtë kontratë e cila pritet të lidhet në fillim të vitit 2014. Microsoft-i paguan 3,79 miliardë euro para të gatshme për biznesin me pajisje dhe shërbime dhe do të japë edhe 1,65 miliardë euro të tjera për marrjen e licencave të patentës për dhjetë vitet e ardhshme. Përveç kësaj Microsoft-i do të shfrytëzojë edhe shërbimet me hartë që ofron aktualisht Nokia.

Sipas marrëveshjes, rreth 32.000 punonjës të kompanisë telefonike finlandeze do të kalojnë në Microsoft. Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet njëherë nga aksionarët dhe autoritetet e konkurrencës. Për blerjen e degës së Nokias ka kohë që është spekuluar. Këto dy kompani kishin hyrë në një partneritet të ngushtë në fillim të vitit 2011. Që atëherë, Nokia ka prodhuar telefona të mençur (Smartphone) të cilët funksionojnë me sistemin operativ Microsoft Windows.
Bashkimi i dy gjigantëve në ditë të vështira

Me këtë kontratë bëhen bashkë dy gjigandë të cilët po ballafaqohen me ndryshime masive në biznesin e tyre. Prodhuesi i telefonave celular Nokia ka humbur hapin gjatë kalimit në prodhimin e telefonave të mençur (smartphone) dhe është në këtë pikë larg prapa konkurrentëve të saj si Apple iPhone apo pajisjet që përdorin sistemin Android Google, të tilla si Samsung-u. Megjithë bashkëpunimin e kohëve të fundit me Microsoft-in, modeli i saj i hedhur në treg, Lumia LG nuk ka qenë shumë fitimprurës për kompaninë.

Po ashtu edhe Microsofti është duke luftuar me një ndryshim në biznesin e saj kryesor. Aktualisht janë duke u shitur gjithnjë e më pak kompjuterë për shkak se përdoruesit preferojnë më shumë telefonat e mençur apo kompjuterat tabletë.

Marrë nga "Deutsche Welle"

Redaksia Online
(sg/a.ç/shqiptarja.com)