Kur intimiteti bëhet armë, Shqipëria në kurthin e spektaklit
Në Shqipërinë e këtyre orëve, një skandal që lidhet me publikimin dhe shpërndarjen e materialeve intime është shndërruar me shpejtësi në një prej temave më të diskutuara në hapësirën publike, duke sjellë në sipërfaqe jo vetëm një histori të jetës private të disa individëve, por edhe një problem shumë më të gjerë që lidhet me mënyrën se si shoqëria shqiptare konsumon informacionin, si mediat e ndërtojnë lajmin dhe si teknologjia ka ndryshuar kufirin ndërmjet asaj që i përket individit dhe asaj që përfundon në sheshin publik.
Policia ka nisur hetime mbi qarkullimin e videove intime në platformat online dhe rrjetet sociale, ndërsa raportimet e fundit flasin për marrje në pyetje dhe verifikime në kuadër të hetimit; paralelisht, në hapësirën publike kanë qarkulluar edhe emra të personave që janë përfshirë nga aludimet, duke detyruar disa prej tyre të reagojnë publikisht dhe të mohojnë përfshirjen në materialet që qarkullojnë.
Megjithatë, sa më shumë që kjo histori zgjerohet në ekranet tona, aq më e nevojshme bëhet të bëjmë një hap pas dhe të pyesim se çfarë po na tregon në të vërtetë ky episod. Sepse çështja më e rëndësishme nuk është përmbajtja intime e materialeve, por fakti se një pjesë e jetës private është shkëputur nga konteksti i saj dhe është futur në një mekanizëm publik ku njerëzit mund të gjykohen, emërtohen dhe ekspozohen pa pasur mundësinë të kontrollojnë më imazhin e tyre.
Sciologu amerikan Erving Goffman, në analizën e tij të ndërveprimit shoqëror, e përshkruan jetën e përditshme si një hapësirë ku individët lëvizin ndërmjet roleve dhe situatave të ndryshme, duke ruajtur një dallim të rëndësishëm ndërmjet asaj që shfaqet para të tjerëve dhe asaj që mbetet në prapaskenë. Kjo ndarje nuk është thjesht një konventë morale; ajo është një nga kushtet përmes të cilave individi ndërton identitetin dhe ruan kontrollin mbi mënyrën se si perceptohet.
Teknologjia digjitale e ka bërë këtë kufi shumë më të pasigurt. Një bisedë, fotografi apo video e krijuar në një rreth privat mund të shkëputet nga rrethanat e saj dhe të udhëtojë në një hapësirë ku nuk ekzistojnë më kufijtë fillestarë të marrëdhënies. Ajo që ishte menduar për një person mund të përfundojë te qindra, mijëra apo miliona të tjerë.
Në këtë pikë, problemi nuk është më vetëm individual. Ai bëhet social. Sepse kur një material privat del në publik, personi që shfaqet në të humbet kontrollin mbi mënyrën se si paraqitet, ndërsa publiku fiton një lloj pushteti mbi një histori që nuk i përket.
Një nga karakteristikat e mediave bashkëkohore është se ato nuk transmetojnë vetëm ngjarje; ato i organizojnë ato në rrëfime. Titulli, fotografia, renditja e lajmeve, mënyra e përzgjedhjes së detajeve dhe gjuha e përdorur ndikojnë në mënyrën se si publiku e kupton një episod.
Kjo lidhet me konceptin e framing, të zhvilluar në traditën sociologjike të Goffman-it dhe më pas të përdorur gjerësisht në studimet e komunikimit: një ngjarje nuk hyn në vetëdijen publike në formën e saj të papërpunuar, por përmes një kornize që përcakton se cilat elemente duhen parë si të rëndësishme.
Në rastin e skandalit të fundit, ekziston rreziku që historia të ndërtohet rreth pyetjes “kush është në video?”, ndërkohë që pyetja me interes më të madh shoqëror është “si është e mundur që materiali privat të ketë përfunduar në qarkullim publik dhe çfarë përgjegjësish lindin prej kësaj?”.
Janë dy mënyra krejt të ndryshme për ta parë të njëjtën ngjarje.
-E para prodhon kureshtje.
-E dyta prodhon debat.
Në epokën e mediave sociale, kufiri ndërmjet prodhuesit dhe konsumatorit të informacionitështë bërë gjithnjë e më i paqartë. Publiku nuk pret më vetëm lajmin; ai e komenton, e përshtat, e ripublikon dhe i jep një jetë të dytë, shpesh shumë më të gjatë, materialit fillestar.
Këtu hyn në lojë ekonomia e vëmendjes, në të cilën përmbajtja që prodhon reagim emocional ka mundësi të qarkullojë më shpejt. Një histori që ngjall kuriozitet, indinjatë apo skandal bëhet më e dukshme se një analizë e gjatë mbi një problem strukturor, jo domosdoshmërisht sepse është më e rëndësishme, por sepse është më e aftë të tërheqë reagim të menjëhershëm.
McCombs dhe Shaw e përshkruan këtë mekanizëm përmes teorisë së agenda-setting, sipas së cilës media ndikon në përcaktimin e çështjeve që marrin rëndësi në perceptimin publik. Në mjedisin digjital, këtij mekanizmi i janë shtuar algoritmet dhe sjellja e përdoruesve, duke krijuar një sistem ku ajo që tërheq më shumë ndërveprim mund të fitojë edhe më shumë ekspozim.
Kështu krijohet një paradoks: një shoqëri mund të ketë shumë më tepër informacion se më parë dhe, megjithatë, të ketë më pak hapësirë për të menduar mbi atë informacion.
Në vitet ’60, Guy Debord e përshkroi modernitetin përmes konceptit të shoqërisë së spektaklit, ku marrëdhëniet shoqërore ndërmjetësohen gjithnjë e më shumë përmes imazheve. Sot, kjo ide merr një dimension të ri në hapësirën digjitale, ku imazhi mund të bëhet më i fuqishëm se konteksti dhe ku një fragment i shkëputur nga realiteti mund të prodhojë një histori të tërë.
Skandali intim është veçanërisht i ekspozuar ndaj këtij mekanizmi, sepse përmbajtja private mbart një ngarkesë të lartë emocionale dhe morale. Pikërisht për këtë arsye, ajo mund të shndërrohet lehtësisht në spektakël. Por spektakli ka një efekt të veçantë: ai e zhvendos vëmendjen nga struktura te personazhi.
Në vend të pyetjeve mbi teknologjinë, edukimin, përgjegjësinë institucionale apo etikën e medias, debati mund të reduktohet në identifikimin e individëve dhe në gjykimin e jetës së tyre private.
Në këtë histori shfaqet edhe një dimension gjinor që nuk mund të anashkalohet. Në diskutimet publike mbi rastin, sociolog dhe komentues të tjerë kanë ngritur çështje që lidhen me viktimizimin, gjykimin moral të grave dhe mungesën e edukimit seksual, duke e zhvendosur diskutimin nga thashethemi drejt pasojave shoqërore të ekspozimit.
Në shoqëritë ku reputacioni seksual mbetet i lidhur fort me moralin publik, ekspozimi i një gruaje mund të prodhojë një dënim social shumë më të madh se vetë akti fillestar i publikimit. Këtu turpi funksionon si mekanizëm disiplinues: individi nuk gjykohet vetëm për atë që ka bërë, por edhe për faktin se është bërë i dukshëm.
Kjo shpjegon pse në raste të tilla pyetja “pse e ka bërë?” shfaqet kaq shpejt, ndërsa pyetja “kush e ka publikuar dhe pse?” shpesh mbetet në plan të dytë. Në këtë përmbysje qëndron një nga problemet më të thella të kulturës së ekspozimit: përgjegjësia rrezikon të zhvendoset nga ai që cenon kufirin te ai që është cenuar.
Metafora e “perdes së tymit” ose “cortina de humo”: është e dobishme pikërisht këtu, por duhet përdorur me kujdes. Nuk ka prova të mjaftueshme publike për të deklaruar se ky skandal është organizuar apo prodhuar qëllimisht për të larguar vëmendjen nga një çështje politike tjetër. Një përfundim i tillë do të ishte spekulativ. Por një ngjarje nuk ka nevojë të jetë e organizuar për të pasur efektin e një perdeje.
Në një hapësirë publike ku kapaciteti njerëzor për të ndjekur njëkohësisht shumë çështje është i kufizuar, një histori me ngarkesë të fortë emocionale mund të zërë vendin e ngjarjeve të tjera pa pasur nevojë për një dorë të fshehtë që ta drejtojë atë. Ky është një mekanizëm sociologjik, jo domosdoshmërisht një komplot politik. Në këtë kuptim, “perdja e tymit” mund të kuptohet si një pasojë e mënyrës së organizimit të vëmendjes publike: një histori bëhet qendrore dhe, duke u bërë qendrore, e shtyn pjesën tjetër të peizazhit në hije.
Jürgen Habermas e ndërtoi konceptin e sferës publike mbi idenë se qytetarët duhet të kenë mundësi të diskutojnë çështjet e përbashkëta përmes argumentit dhe arsyetimit. Realiteti mediatik i sotëm është shumë më kaotik. Në vend të një hapësire ku argumentet përplasen, kemi shpesh një treg ku përplasen emocionet. Në këtë treg, lajmi që shkakton reagim të menjëhershëm mund të marrë më shumë hapësirë sesa problemi që kërkon kohë për t’u kuptuar. Një video mund të bëhet më e diskutuar se një raport. Një emër i përfolur mund të marrë më shumë vëmendje se një fakt i verifikuar. Një konflikt personal mund të mbulojë një debat institucional. Kjo nuk do të thotë se çdo ngjarje spektakolare është e parëndësishme. Do të thotë se rëndësia e saj duhet të ndahet nga intensiteti i vëmendjes që merr.
Janë dy gjëra të ndryshme.
Kur zhurma të bjerë dhe lajmi të zëvendësohet nga historia tjetër, ajo që do të mbetet e rëndësishme nuk është kureshtja mbi përmbajtjen intime, por mënyra se si institucionet, media dhe shoqëria kanë reaguar ndaj cenimit të privatësisë.
Do të mbetet pyetja se sa mirë jemi të përgatitur për të mbrojtur individin në një realitet ku një material mund të kopjohet pafundësisht dhe të shpërndahet në pak minuta. Do të mbetet pyetja se sa përgjegjësi merr media kur raporton mbi jetën intime të njerëzve. Do të mbetet edhe pyetja më e pakëndshme: çfarë roli luajmë ne, si audiencë, në prodhimin e këtij realiteti?
Sepse teknologjia nuk e shpërndan vetë një material; pas çdo shpërndarjeje ekziston një zgjedhje njerëzore. Ndoshta kjo është pika ku duhet të fillojë një kulturë tjetër mediatike: jo te pyetja se sa larg mund të shkojmë për të parë, por te pyetja se ku duhet të ndalemi.
Sepse një shoqëri që e kthen çdo kufi të shkelur në argëtim rrezikon të humbasë vetë kuptimin e kufirit; ndërsa një shoqëri që mëson të dallojë informacionin me interes publik nga kureshtja mbi jetën private, fiton diçka më të rëndësishme se një lajm i bujshëm, fiton një hapësirë publike më të përgjegjshme.
Dhe pikërisht këtu “perdja e tymit” merr kuptimin e saj më të thellë: jo si një dorë e padukshme që domosdoshmërisht e kontrollon skenën, por si mjegulla që krijohet kur spektakli, kureshtja dhe ritmi i pandalshëm i rrjeteve sociale e bëjnë të vështirë të dallojmë atë që është thjesht interesante nga ajo që është vërtet e rëndësishme.







Komente
Komento