Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës, në një letër të gjatë dërguar Mentor Kikisë, drejtuesit të gazetës “Idea” që publikoi i pari lajmin se Malaj ishte e punësuar te “Kristal”, i sqaron se si është e vërteta.

"E vërteta përballë të pavërtetës"
I nderuar Zoti Kikia,
Nëse para pak ditësh në median që ju drejtoni, nuk do të kishte një artikull tejet denigrues ku unë, Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit dhe e Shkencës, akuzohesha se isha e dypunësuar jo vetëm në postin që mbaj, që në datën 8 tëtor 2009, po dhe si shefe departamenti në IA "Kristal", natyrisht që nuk do të merresha më të vërtetat apo të pavërtetat, po do të diskutoja për fenomenet e ndryshme dhe për situatat me ulje-ngritje që po kalon arsimin ynë, me meritat dhe problematikat e tij.
Në të vërtetë do të doja ta hapja me shumë kënaqësi këtë debat( për zhvillimin e arsimit në Shqipëri) pasi mendoj se ka ardhur koha që disa gjëra duhet t'i themi të troçta, për fenomenin në fjalë, jo si palë kundërshtare, po si individë që kemi përgjegjësi para popullit dhe kauzës që përfaqësojmë, po kjo gjë nuk do tingëllonte e moralshme, nëse më parë, unë, në respekt të lexuesve tuaj dhe për arsyen e thjeshtë të transparencës qytetare, të paraqesë para audiencës tuaj, tanimë jo me komente dhe analiza shkak-pasojë po me dokumente, librezën time të punës( dokument shumë personal, po shumë ligjor dhe i pakundërshtueshëm), i cili, sipas kodit të punës, tregon qartë, si dokument autentik, marrëdhëniet e punëdhënësit dhe kontratën e individit, se deri në çfarë periudhe ke qenë në punë dhe kur je larguar, arsyen dhe pozicionin që kalon.
E vërteta kur është e dokumentuar është shumë kokëfortë dhe nuk i lë shteg të pavërtetës dhe kur ajo nuk do të besohet nga ndonjë syresh. Qartësisht, shumëkush mund ta shoh dhe të kuptojë se e gjithë akuza që m'u ngrit, dhe kjo nuk ishte e para (këtë gjë thonë dhe gojët e liga), pasi jo më shumë se tre javë më parë, një pjesëz e vogël e mediave që ende në treg janë anemike, bënë një insinuatë të kësaj natyre, me një tjetër artikull të pabazë, po që të gjithë në fund lanë duart si Pons Pilati dhe thanë ne nuk bëmë asgjë, vetëm se titullin e inkriminuam paksa, që ju zonjë e nderuar të filloni dhe të përbalteni nga pak. I vetmi institucion që u tregua korrekt dhe kërkoi falje zyrtare ishte ambasadori Italian, i cili shprehu keqardhje për të gjithë ketë katrahurë të pamerituar. Sigurisht, kishte shumë rrugë që mund të vihej në vend nderi i nëpërkëmbur, po i thashë vetes, tani po, ti erdhe në POLITIKË për këtë arsye edhe ti duhet të përbaltesh pak, se nuk shkon, prish rregullin e artë.
I nderuar Zoti Kikia,
Letra bashkëbiseduese që po bëj sot me ju është jo vetëm për t'u bërë të qartë lexuesve tuaj, po edhe lexuesve të ndonjë "pseudomedia të shkruar dhe vizive mjeranë" që me emra dhe pseudo skupe do të rrisë tirazhin e gazetës, kur nuk gjen dot sponsor apo njoftime e reklama. E gjitha kjo është një denigrim i turpshëm, jo për mua, po përtej saj, është për fenomenin denigrues që po krijojmë për faktin që ne kemi një kënaqësi të paparë të të kapim në gabim dhe nëse nuk e gjejmë, ta stisim, të marrim gurin dhe ata "Të pamëkatuarit" të godasin fort, të bërtasin në kor, ta dërrmojnë mëkatarin e radhës, në emër të ndershmërisë, "në emer të të drejtës së popullit", dhe harrojmë se në fakt kemi goditur besimet te institucionet, për të cilat të paret tanë kanë luftuar 100-vjet për t'i ngritur, të bërtasim fortë e "kapëm hajdutin", të lëmë titra të rreme për 72 orë në mediat mjeranë, që pasi të kemi pështjelluar mendjet e njerëzve të ndershëm, të rrisim shikueshmërinë me emra që duhen njollosur dhe në fund të darkës të themi: "Sa mirë ia bëmë dhe asaj që hiqet e ndershme".
Ju në artikullin tuaj më kërkuat të dorëhiqesha????? Për çfarë???? Se kam punuar ndershmërisht dhe me përkushtim???? Se garoj në politikë me integritet??? Se di të ndajë karrierën politike nga ajo profesionale???? Se si rrallë tjetër kur hyjë në garën politike, heq dorë nga posti drejtues në një institucion arsimor për të mos e politizuar atë dhe për ta bërë garën të ndershme, se kur më besohet një pozicion politik heq dorë nga institucioni tjetër në emër të respektimit të ligjit, për t'u përkushtuar detyrës institucionale me profesionalizëm dhe integritet.
Fjalën integritet e duan të gjithë, se është si puna e motit të mirë, po asaj pjese dashakeqe të medias vallë mos i duket e rrallë dhe gati e pabesueshme kur dikush mund të ketë integritet, se e tillë është edukuar ajo si njeri dhe ketë cilësi e sjellë me vete si vlerë të shtuar në qeverinë ku ajo bën pjesë dhe në politikë? Ndoshta ky është Mëkati më i Madh në morinë e mëkateve që unë kam bërë dhe tani, ju të gjithë armata e pamëkatarëve merrni një gur dhe bjermëni fort, po shumë fort ama???? Ky qenka "korrupsioni që sipas jush më ka bërë të hesht" që unë me të vërtetë duhet të dorëhiqëm??????
E dhimbshme për t'u besuar, po kjo është tragji-komedia që duhet të kalojmë.
Për t'i ndihmuar lexuesit dhe për të mos i lodhur shumë, unë në Universitetin "Kristal", (që ju me akuzoni në shtypin tuaj se jam e dypunësuar, për të qeshur dhe për të qarë), kam filluar punë në periudhën 08-09-2008 deri me 31-01-2009, si përgjegjëse e Departamentit të Sociologjisë dhe me kërkesën time, për arsye të kandidimit kërkova dorëheqjen nga posti i përgjegjëses së departamentit dhe nga periudha 10-02-2009 deri me 30-09-2009 kam qenë pedagoge e thjeshtë e këtij departamenti.
Shkëpus marrëdhëniet në 30.09.2009 me këtë subjekt dhe fillova punë si zëvendësministre me datë 8.10.2009. Me kënaqësi mund t'u them që pas universitetit publik të Tiranës, ky ishte institucioni i parë privat që unë me kolegun tim të nderuar Dr. Lekë Sokoli krijuam një departament të ri për studimet sociologjike. Nuk di të kem bërë deri këtu ndonjë mëkat dhe nuk di ku qëndroi gjithë ajo akuzë e pabazë??? ( nuk di që të punosh në një institucion arsimor të ligjshëm, licencuar që me 2003, jo nga kjo qeveri, po nga ajo tjetra, qenka mëkati më i madh i jetës tënde. Ndoshta po të isha në profesion analiste, si ndonjë syresh apo gazetare, si ndonjë tjetër dhe të pavërteta t'i shisja si të vërteta, të ngatërroja dynjanë me kulista dhe thashethemnaja të të gjitha tipeve, do të ishte vlera më e madhe e kontributit social, pasi kjo shoqëri ndoshta paska nevojë për lugë të zbrazet. Kjo është e rënde, po po shumë e rëndë. Ndoshta vlen për t'u marr në konsideratë, se fiton shumë, dhe njëkohësisht je në pjacë, se gjysmë të vërtetat janë më të shijshme sesa të vërtetat dhe kapërdihen lehtë, si produkte gjysmë të gatshme. E vërteta mbetet jetime dhe nuk e do kush atë. Rasti në fjalë e tregoi këtë gjë.
Për të vërtetuar këto që thashë më lartë keni bashkëngjitur fotokopjen origjinale dhe të vetme të skanuartë librezës time, që verteton gjithçka lidhet me këtë histori të tejstisur me super dashakeqësi.
I nderuar Zoti Kikia,
Pak rëndësi ka fakti sa më dhembi mua kjo histori, ajo që mua më dhemb, po shumë fare, është fakti se ju( jo personalisht) me apo padashje( herën e parë e mendoja jo profesionalizëm, rasti me gazetën italiane dhe pata keqardhje për miqtë e mi gazetarë që unë i çmoj pafund, po tani po me vërtetohet një tjetër gjë e dhimbshme, fakti që gazetaria është në rrezik si rezultat i jo profesionalizmit dhe se) po krijoni me dëshirën e fortë që të humbisni besimin e institucionet për popullatën që ka nevojë jo vetëm të besojë, po edhe të vlerësojë historinë e institucioneve dhe njerëzve që punojnë në të. (Kjo është edhe më e rëndë pasi lidhet me vlerat e identiteti dhe integritetit kombëtar)
I nderuar zoti Kikia,
E bëra këtë sqarim se e vlerësoj shumë profesionalizmin tuaj dhe kam bindje se ju këtë letër bashkëbiseduese do ta botoni të pacensuruar, jo për përgënjeshtrim, pasi subjekti në fjalë, jo unë e ka bëri këtë gjë, sipas rregullave dhe ligjeve mbi të cilët mbështetet gazetaria, po këtë sqarim e bëj për studentët dhe bashkëpunëtoret me të cilët unë punoj si në institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në fushën akademike, në atë politike, në atë të biznesit, po edhe në atë mediatike që ka integritet. E bëra për të gjithë ata njerëz që kanë besuar dhe besojnë të unë, për të gjithë ata që e duan sadopak vendin e tyre, për të gjithë ata që vlerësojnë shumë raportin midis ligjit dhe moralit, për dhimbjen e thellë që ndjej për të gjithë ata gazetare, analistë që nuk dinë të jenë profesionistë, po vetëm njerëz të vegjël dhe mjeranë në mjerimin e tyre mediokër dhe të trishtë.
Së fundmi, e kisha të nevojshme ta bëja këtë bashkëbisedim me ju, për t'i kërkuar publikisht atyre pak mediave që dhanë një lajm të gënjeshtër dhe më kërkuan të jepja të paktën dorëheqjen, të ëe kërkojnë falje publike në mediat e tyre, në blogjet e stisur për lajmin e rremë, i cili u realizua me një profesionalizëm të dështuar, për përbaltjen që u munduan t'i bënin figurës sime, institucionit ku unë punoj, besimit të qytetarëve shqiptarë dhe dhimbjes së shpirtrave të njerëzve që nuk duan t'u shitet më e pavërteta si e vërtetë, të paktën nga ata që e quajnë veten profesionistë.
Këtu përfundon e vërteta për të pavërteta e stisura dhe tani moralisht, pasi ligjërisht isha me kohë dakort, jam me ju Zoti Kikia të hapim një forum debat për vlerat dhe problemet e arsimit shqiptar.
Së fundmi po e mbyll me një thënie të Brehtit: "Luftova me luanët, ma pinë gjakun çimkat, me vdiqën mediokrit".
Mendoj se të gjithë ne duhet të bëjmë mirë detyrën tonë. Mendoj se përpara se t'ia hedhim topin njëri- tjetrit duhet të dimë se ti ende nuk e di nëse ai apo ajo po shkel rregullat, derisa të mësosh se cilat janë rregullat për zbatimin e rregullave. Mendoj se tashmë ka ikur koha e thënies se dhimbshme proverbiale:" Gënje, gënje se diçka do të mbetet".
Mendoj dhe besoj se ju do ta bëni detyrën si gazetar profesionist, për të publikuar këtë bashkëbisedim me ju.
Ka gjithnjë një herë të parë.
Miqësisht
Nora Malaj
(sg/shqiptarja.com)