Norma bazë e interesit do jetë 0.5% deri në fund të 2022, Sejko: Mund të ulet edhe më shumë në rast nevoje

Me qëllim uljen e kostove të huamarrjes Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 1% që ishte në 0.5%. një masë që në fillim u prezantua e domosdoshme për të mbështetur bankat e nivelit të dytë dhe që do krijonte një frymëmarrje për institucionet financiare. Teksa ka kaluar më shumë se një vit ky vendim është ende në fuqi, dhe Sejko zbulon për Report TV se norma 0.5% do jetë në këtë nivel deri në fund të 2022.

“Nëse ne do të arrijmë objektivin tonë të inflacionit prej 3% në fund të vitit 2022, atëherë do të shikojmë edhe politikën tonë monetare. Por për të kaluar nga politika monetare lehtësuese, pra me norma të ulëta interesi, në një politikë monetare shtrënguese, siç e quajmë, që të kalojmë në rritjen e normës së interesit, sigurisht që ne duhet të kemi një situatë më të mirë ekonomike dhe besoj që kjo nuk do të ndodhë para fundit të vitit 2022. Por gjithçka është për t’u parë. Në situatën ekonomike që jemi, unë me analizat dhe informacionin që kam nga zhvillimet ekonomike, po ashtu edhe Këshilli Mbikëqyrës dhe Banka e Shqipërisë, e ka komunikuar për publikun që politika monetare lehtësuese do të vazhdojë për një periudhë të gjatë. Të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit 2022 ne nuk do ta ndryshojmë politikën tonë monetare, do të vazhdojmë me normën e interesit që ne kemi”, shprehet Gent Sejko.

Në rast se do të jetë e nevojshme Gent Sejko thotë se do të ulet përsëri norma e interesit, por që aktualisht pritshmëritë janë për përmirësim të situatës ekonomike.

“Nëse do të ketë një përkeqësim ekonomik, do të duhet ta lehtësojmë më tej politikën monetare. Ka edhe pak hapësirë pasi norma e interesit është 0,5%. Ka edhe pak hapësirë, por sigurisht që parashikimi është që të kemi përmirësim, ringritje ekonomike, pra të mos e thellojmë më tej politikën monetare lehtësuese, nuk është e nevojshme. Dhe për më tepër, nëse do të kishte përkeqësim të vazhdueshëm ekonomik, mund të na duheshin edhe masa kontigjence të cilat sigurisht s’i kemi përdorur dhe nuk i parashikojmë që t’i përdorim. Presim përmirësim të ekonomisë, presim ringritje dhe politika monetare do të vijojë dhe do të përshtatet me zhvillimet ekonomike”, tha guvernatori.


Lajmi kryesor:

Nga 30 qershori në treg kartëmonedha 10 mijë lekë, guvernatori për Report TV: Nevojë e zhvillimit ekonomik të vendit! Rimëkëmbja? E varur nga përfundimi i pandemisë, presim rritje 5.3% këtë vit


K.T./I.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën