Nga 30 qershori në treg kartëmonedha 10 mijë lekë, guvernatori për Report TV: Nevojë e zhvillimit ekonomik të vendit! Rimëkëmbja? E varur nga përfundimi i pandemisë, presim rritje 5.3% këtë vit

Më 15 qershor Banka e Shqipërisë prezantoi 2 kartëmonedhat që do të hidhen në qarkullim prej datës 30 qershor të këtij viti. Prerja 1.000 lekë dhe preja 10.000 mijë lekë që vjen për herë të parë në tregun shqiptar, janë me elemente të shtuara sigurie dhe të integruara me elemente kombëtare.

Kartëmonedha 1 mijë lekë që e kemi në përdorim çdo ditë, është me të njëjtat elemente kombëtare por me elemente të stilizuara, hologram dhe fill sigurie për të bërë të pamundur falsifikimin e saj. Ndërsa kartëmonedha 10 mijë lekë që është risi e serisë së re, është me portretin e poetit Asdreni i cili ka bërë edhe himnin kombëtar. Kjo prerje ka një varg të himnit dhe një sërë elemente sigurie.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një intervistë për ‘Report TV’ sqaron arsyet e emetimit të kartëmonedhës me vlerë 10 mijë lekë, e cila sipas tij vjen si nevojë e zhvillimeve ekonomike të vendit, dhe që ishte një kërkesë e tregut prej vitesh.

“Siç kemi informuar, ne kemi rishikuar të gjithë serinë e kartëmonedhave. Seria e kartëmonedhave në përdorim në Republikën e Shqipërisë kishte mbi dy dekada që nuk ishte rishikuar. Pra kishte mbi 23 vite që ne kishim në përdorim një seri të caktuar kartëmonedhash, e cila do të duhej të rishikohej për disa arsye që kishin të bënin qoftë me rritjen e cilësisë së kartëmonedhës për të arritur standardet ndërkombëtare të kartëmonedhave të cilat sot janë në qarkullim, për t’u përafruar me euron në disa drejtime, për të rritur standardin e sigurisë, elementet e sigurisë, por edhe në drejtim të përmasave dhe të përdorimit, njëkohësisht edhe në drejtim të administrimit të sasisë së parasë në qarkullim dhe stokut të parasë që ka Banka e Shqipërisë, por edhe sistemi bankar. Për të gjitha këto arsye, ne rishikuam serinë e kartëmonedhës dhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në vitin 2016, miratoi serinë e re të kartëmonedhës shqiptare”.- tha Sejko.

Aktualisht në thesarin e Bankës është stoku i mjaftueshëm për të nisur furnizimin e bankave me prerjet 1000 dhe 10.000 lekë.

“Qytetarët mund t’i përdorin, bizneset, ekonomia, do të furnizohen sigurisht bankat pasi këto do të kalojnë në përdorim nëpërmjet sistemit bankar. Procedura është e tillë që nga Thesari i Bankës së Shqipërisë furnizohen bankat e nivelit të dytë. Bankat e nivelit të dytë në sportelet e tyre ose nëpërmjet ATM-ve furnizojnë qytetarët ose bizneset m kartëmonedhat e reja. Dhe ky proces do të fillojë në datën 30 qershor. Stoku është aktualisht në Bankën e Shqipërisë. Këto janë arsyet dhe për këto arsye që u përmendën në vija të përgjithshme, pse ne e kemi rishikuar serinë e re dhe ku jemi tani me prerjet”.- tha Sejko.

Kartëmonedhat e reja do të jenë në qarkullim së bashku me ato ekzistuese dhe do të mund të përdoren nga bankat, bizneset dhe qytetarët si mjet pagese me kurs ligjor.

“Përfitoj nga rasti që ju kam juve për të informuar publikun që të gjitha prerjet e reja do të jenë në qarkullim paralel me prerjet e vjetra. Pra prerjet e reja do të kenë kurs ligjor dhe do të jenë në përdorim, por edhe prerjet e vjetra paralelisht do të jenë njëlloj në përdorim. Pra nuk do të dalin nga qarkullimi. Gradualisht ato do të dalin nga qarkullimi, me kohë, kur të jenë vjetruar dhe të asgjësuara sipas procedurave dhe rregullave që ka Banka Qendrore”.- u shpreh Sejko.

Por i pyetur se kur pritet që kartëmonedhat e reja do furnizojnë plotësisht tregun Sejko thotë se për këtë nuk ka një afat.

“Nuk kemi një parashikim ekzakt kohor. Tregu shqiptar do të furnizohet me kartëmonedhat e prerjeve të reja. Aktualisht do të furnizohet me këto dy prerje që ne kemi, që i prezantuam. Në fund të vitit edhe me dy prerjet e tjera, do të jenë në qarkullim. Pra vitin që vjen do të jenë të gjitha prerjet e serisë së re në qarkullim, në përdorim për tregun shqiptar. Por sikurse e thashë, do të jenë paralelisht edhe me prerjet e vjetra dhe kur do të hiqen prerjet e vjetra nga qarkullimi këtë nuk e themi dot sepse kjo varet nga qarkullimi i parasë, i cili nuk parashikohet ekzaktësisht”, shprehet Sejko.

 

Intervista e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
Norma bazë e interesit do jetë 0.5% deri në fund të 2022, Sejko: Mund të ulet edhe më shumë në rast nevoje

Me qëllim uljen e kostove të huamarrjes Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 1% që ishte në 0.5%. një masë që në fillim u prezantua e domosdoshme për të mbështetur bankat e nivelit të dytë dhe që do krijonte një frymëmarrje për institucionet financiare. Teksa ka kaluar më shumë se një vit ky vendim është ende në fuqi, dhe Sejko zbulon për Report TV se norma 0.5% do jetë në këtë nivel deri në fund të 2022.

“Nëse ne do të arrijmë objektivin tonë të inflacionit prej 3% në fund të vitit 2022, atëherë do të shikojmë edhe politikën tonë monetare. Por për të kaluar nga politika monetare lehtësuese, pra me norma të ulëta interesi, në një politikë monetare shtrënguese, siç e quajmë, që të kalojmë në rritjen e normës së interesit, sigurisht që ne duhet të kemi një situatë më të mirë ekonomike dhe besoj që kjo nuk do të ndodhë para fundit të vitit 2022. Por gjithçka është për t’u parë. Në situatën ekonomike që jemi, unë me analizat dhe informacionin që kam nga zhvillimet ekonomike, po ashtu edhe Këshilli Mbikëqyrës dhe Banka e Shqipërisë, e ka komunikuar për publikun që politika monetare lehtësuese do të vazhdojë për një periudhë të gjatë. Të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit 2022 ne nuk do ta ndryshojmë politikën tonë monetare, do të vazhdojmë me normën e interesit që ne kemi”, shprehet Gent Sejko.

Në rast se do të jetë e nevojshme Gent Sejko thotë se do të ulet përsëri norma e interesit, por që aktualisht pritshmëritë janë për përmirësim të situatës ekonomike.

“Nëse do të ketë një përkeqësim ekonomik, do të duhet ta lehtësojmë më tej politikën monetare. Ka edhe pak hapësirë pasi norma e interesit është 0,5%. Ka edhe pak hapësirë, por sigurisht që parashikimi është që të kemi përmirësim, ringritje ekonomike, pra të mos e thellojmë më tej politikën monetare lehtësuese, nuk është e nevojshme. Dhe për më tepër, nëse do të kishte përkeqësim të vazhdueshëm ekonomik, mund të na duheshin edhe masa kontigjence të cilat sigurisht s’i kemi përdorur dhe nuk i parashikojmë që t’i përdorim. Presim përmirësim të ekonomisë, presim ringritje dhe politika monetare do të vijojë dhe do të përshtatet me zhvillimet ekonomike”, tha guvernatori.

Ora 13:53
Pse të gjitha kartëmonedhat kanë figurë mashkullore? Përgjigjet Sejko: S’ka diferencime, kemi ndjekur etapat historike

 

6 kartëmonedhat që janë pjesë e serisë së re kanë si portret figura të rëndësishme historike dhe që kanë dhënë kontribut për Shqipërinë. Por në asnjë prej kartëmonedhave nuk është pasqyruar figura e gruas shqiptar. Guvernatori Sejko shpjegon arsyet e kësaj përzgjedhjeje, dhe sqaron se nuk ka të bëjë me diferencime, por me etapa kyçe të historisë së vendit.

“Në serinë e kartëmonedhave, Banka Qendrore është përpjekur që të reflektojë të gjithë historinë e kombit dhe figurat më të ndritura të kombit shqiptar. Sigurisht që në lashtësi, pavarësisht që mbretëresha Teuta është një nga figurat dhe ne kemi një femër që në lashtësi, por në momente kyçe të historisë është gjykuar dhe vlerësuar nga historianët dhe nga komiteti, jo vetëm nga Banka, që të ishin këto figura, të cilat lidheshin me disa momente kyçe historike që dihen dhe që janë në kartëmonedha, duke filluar pastaj që nga mbreti Gent. Skënderbeu ishte prerja më e lartë. Sipas epokave të historisë kemi edhe figurat që kanë bërë histori për kombin shqiptar. Komisioni, komiteti i ekspertëve, i historianëve, i albanologëve, i numizmatëve dhe i punonjësve tanë të Bankës së Shqipërisë, vlerësoi dhe miratoi Himnin e Flamurit për kartëmonedhën me prerjen më të lartë dhe figura e lidhur me Himnin e Flamurit ishte poeti kombëtar Asdreni, pasi ai ka bërë tekstin e Himnit të Flamurit. Kjo është edhe arsyeja pse Asdreni është në kartëmonedhë, pasi tematika kryesore e kësaj kartëmonedhe është Himni i Flamurit. Nëse Himni do të kishte një poete grua, do të ishte edhe një grua. Është edhe një nga vargjet e Himnit të Flamurit”, sqaron guvernatori.

Sa i takon mundësisë për të pasur portretin e ‘Nënë Terezës’ në një nga kartëmonedhat, Sejko e përjashton si mundësi pasi ajo është në proces shenjtërimi.

“Në monedhën me kurs ligjor 100 lekë kemi mbretëreshën Teuta, pra nuk janë vetëm kartëmonedhat por edhe monedhat. Do të dëshironim ndoshta të kishim Nënë Terezën, por Nënë Tereza është një shenjtore tashmë dhe do të ishte e pamundur që të ishte në kartëmonedhë. Është një monedhë numizmatike që ka shumë vlerë, një monedhë floriri shumë e bukur, ku kemi Nënë Terezën. Por këta janë vlerësuar dhe gjykuar sipas historisë së kombit shqiptar, që të jenë personalitetet që të prezantojnë kartëmonedhën tonë.

Ora 13:48
Rimëkëmbja ekonomike, Guvernatori: E varur nga përfundimi i pandemisë, pritshmëritë për rritje 5.3% këtë vit

Sa i takon situatës ekonomike guvernatori Sejko thotë se masat e ndërmarra nga institucionet shtetërore ndikuan në mbajtjen nën kontroll të ekonomisë dhe nuk lejuan që rënia të ishte e lartë. Sipas tij turizmi ishte një faktor kyç që Shqipëria e mbylli vitin me 3.3%.

“U ndërmorën disa masa në reagim të krizës, siç ishin paketat e garancisë sovrane, ndihmëse, të lëshuara nga qeveria e Shqipërisë dhe të lëvruara nëpërmjet sistemit bankar; masa të marra nga ne në raport me individët, me bizneset dhe me bankat e nivelit të dytë, siç ishte moratoriumi dy herë nga 3 muaj apo 6 muaj për shtyrjen e kredive; ulja e normës bazë të interesit për të stimuluar kreditimin, investimet dhe konsumin; ndalimi i shpërndarjes së dividentit për bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që bankat të ishin më të shëndetshme, të cilat ndikuan pozitivisht në menaxhimin e situatës së krizës nga pandemia. Një efekt pozitiv pati edhe turizmi gjatë vitit të kaluar. Parashikimi ishte që të kishte një rënie në sektorin e turizmit, edhe më të thellë, por fatmirësisht duke qenë që ne pritëm turistë nga vendet e rajonit, nga vendet afër nesh, dhe gjithashtu turizmi i brendshëm”, u shpreh ai

Ndërsa për këtë vit Sejko thotë se përpos pritshmërive që janë pozitive, ekonomia vijon të jetë nën presionin e pandemisë. Sipas tij rritja këtë vit do të jetë 5.3%, dhe do të ndihmohet më shumë nga suksesi i sezonit turistik.

“Ka një parashikim aktualisht një rritje nga Banka e Shqipërisë dhe nga FMN-ja, jemi në të njëjtët parametra për rritje ekonomike në nivelin 5,3%. Sigurisht që rritja varet nga pandemia sepse gjithçka varet nga pandemia. Sigurisht, nëse do të vazhdojë kjo ecuri, pra ka një situatë optimiste, numrat e të infektuarve janë të ulët, fatmirësisht edhe numri i vdekjeve është i ulët këto ditë. Nëse do të vazhdojë kjo situatë, por edhe sezoni favorizon, periudha e verës e ul virulencën, sigurisht që ekonomia do të ketë rritje. Turizmi që është prapë një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, përfaqëson mbi 20% të GDP-së së vendit, pritet të jetë me sukses”, pohon guvernatori.

Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë sipas Guvernatorit kanë ndikuar edhe tek mbajtja e kredive me probleme në nivel të ulët edhe pse rreziku për rritjen e tyre është prezent edhe këtë vit.

Ora 13:43
Kartëmonedha me vlerë më të madhe se 10 mijë lekë? Sejko: S’është në projektet tona, mund të ndodhë në situatë të jashtëzakonshme

Prerja e kartëmonedhës 10 mijë lekë që është dhe vlera më e madhe në treg, ka ngritur pikëpyetje nëse do të ketë një prerje më të madhe se kaq. Guvernatori Sejko shprehet se aktualisht nuk parashikohet si mundësi, pasi nevojat e tregut përmbushen me serinë e re.

“Jo, ne nuk parashikojmë që të kemi një prerje më të madhe se 10.000 lekëshi. Nuk kemi asnjë plan. 10.000 lekëshi në fakt ka qenë planifikuar për t’u hedhur në qarkullim, vite para se unë të vija në Bankën e Shqipërisë, para mandatit tim. Veçanërisht periudha e krizës nga pandemia e COVID-it, rriti përdorimin e parasë në qarkullim për ato arsye që ne i kemi komunikuar gjatë konferencave tona të politikës monetare dhe sigurisht që nevoja për një prerje më të lartë ka vite që ka ardhur. Ne materializuam një nevojë të ekonomisë dhe të tregut për prerjen më të madhe që vlerësuam 10.000 lekë, pra Këshilli Mbikëqyrës e vlerësoi prerjen 10.000 lekë. Por nuk parashikojmë që të kemi një prerje më të madhe, pra për momentin prerja 10.000 lekë është prerje që u përgjigjet nevojave të tregut, përdoruesve dhe nevojave të ekonomisë për para fizike”, tha Sejko.

Një kartëmonedhë me vlerë më e lartë se 10 mijë lekëshi do të projektohet vetëm në rast se do ketë inflacion të lartë dhe krizë të jashtëzakonshme.

“Nëse do të ketë një inflacion pas shumë vitesh, më të lartë, rritje çmimesh, fluturime në faktorët ekonomikë, parametrat, atëherë është tjetër histori. Rishikohet sipas situatave. Zakonisht këto ndodhin në situata krizash. Aktualisht ne jemi në një moment stabël ekonomik, kemi parashikimet tona dhe nuk parashikojmë që të kemi situata të tilla që të na detyrojnë neve që të hedhim prerje më të larta në qarkullim”, pohon guvernatori.

Ora 13:27
Brenda qershorit 2022 në duart e qytetarëve kartëmonedhat 500 lekë dhe 2.000 lekë, Sejko: Janë në proces prodhimi

Në proces prodhimi janë dhe dy kartëmonedhat e tjera 500 dhe 2.000 lekë, që sipas guvernatorit dot dalin në treg brenda vitit 2022. Praktikisht synimi i Bankës së Shqipërisë është që e gjithë seria e re të përmbyllet në vitin e ardhshëm.

“Janë edhe dy prerje të tjera të mbetura të serisë, pasi seria ka gjashtë prerje, është prerja 500 lekë dhe prerja 2.000 lekë, e cila edhe ajo është rishikuar, është në proces prodhimi dhe parashikojmë që afër fundit të vitit do të vijë edhe kjo sasi e këtyre prerjeve, e cila do të hidhet në qarkullim besoj në fillimin e vitit tjetër ose në fund të vitit, në varësi të momentit. Do të prezantohen edhe ato të dyja njëherësh, në momentin që ato do të vijnë, por parashikimi dhe planifikimi është për në tremujorin e katërt ose fundi i vitit që ne do të bëjmë prezantimin e këtyre dy prerjeve të reja dhe seria e re është e kompletuar. Pra ne do të hedhim në qarkullim të gjitha prerjet e serisë së re të miratuar në vitin 2016”, përgjigjet guvernatori.

E gjithë seria e kartëmonedhave është e prodhuar nga 2 kompani të huaja Angleze dhe Franceze, të njohur për prodhimin e parave. 

“Atëherë, janë katër-pesë, por dy kompani janë më të mëdhatë në botë që janë të njohura për prodhimin e kartëmonedhave. Prerja 200 dhe 5.000 lekë është prodhuar nga kompania angleze De La Rue. Këto prerje që aktualisht ne do të hedhim në qarkullim, 10.000 lekëshi dhe 1.000 lekëshi, janë prodhuar nga kompania franceze Oberthur. Këto janë dy kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e kartëmonedhave. Ndërkohë seria e plotë e kartëmonedhës është dizajnuar nga kompania gjermane JD, me përjashtim të 10.000 lekëshit, dizajnimi i të cilit është bërë nga një piktor shqiptar ndërkohë që komisioni ka qenë i përbërë nga albanologë, historianë, numizmatë shqiptarë për të përcaktuar tematikën e kësaj kartëmonedhe”, pohon Sejko.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI