BRINDISI - Hetimet mbi incidentin fatal të tragetit "Norman Atlantik" mbeten ende të pazgjidhura teksa haset në të ashtëquajturin “misterin e kutisë së zezë”, ku pjesa më e madhe e regjistrimeve vokale mungon, ndërsa pjesa tjetër është e padeshifrueshme.

Këto janë përfundimet e teknikëve të cilët thonë se të dhënat e “voyage data recorder” mungojnë. Norman Atlantik, i nisur nga Greqia mëngjesit e 28 dhjetorit të 2014-tës lundronte në drejtim të Anconës, kur mori zjarr përballë brigjeve shqiptare për motive ende të panjohura. Ndërkohë aktualisht situata paraqitet e tillë: 11 të vdekur të identifikuar, 18 të humbur e një numër ende i papërcaktuar klandestinësh në bord.

Nga trageti ende nuk janë eksploruar pjesët qendrore të urave 3 dhe 4 (vatrat e zjarrit), dhe janë në hetim 6 individë (persona fizikë dhe kompani) nga Prokurori i Barit, Ettore Cardinali. Informacionet e “voyage data recorder” janë shumë të rëndësishme për të kuptuar menaxhimin e emergjencës, “rreziqet specifike” të lundrimit dhe hapat për shmangien dhe trajtimin në mënyrën e duhur të situatës.

Komandanti i anijes, Argilio Giacomazzi duket e se ka përmbushur detyrën e tij, me ‘ngrirjen’ e “kapsulës” që ruan të dhënat e 12 orëve të fundit pas një aksidenti apo përmbytje. Tashmë do duhej vetëm të përpunohej informacioni i mbledhur për të hetuar të dhënat; por nuk ka ndodhur kështu! Mesa kuptohet nga rezultatet e deritanishme nuk ka asnjë mundësi që të arrihet marrja e një informacioni të tillë, për shkak se flakët e kanë shkatërruar pajisjen.

Mediat italiane ngrenë dyshimin se mund të ketë ende viktima brenda tragetit, duke thënë se në këtë histori gjithcka mbetet ende një mister, teksa shpresojnë që ky ‘mister’ të gjejë zgjidhje sa më parë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)