Normanet dhe Shqiperia, Ja ku
gabojnë historianët shqiptarë

Për normanët, kalorësit që u bënë tmerri i Mesdheut ka shkruajtur gjerësisht edhe kronistja bizantine Ana Komneni. Në 15 librat e veprës së saj Aleksiada, të cilën ajo ja kushtoi me devocion të atit, perandorit bizantin Aleks Komnenit,  që e adhuronte deri në ekstrem, kjo grua intelektuale i përshkruan gjerësisht ata.

Edhe Historia e Shqipërisë, si teksti zyrtar i botuar vite më parë nga Akademia e Skencave, po ashtu edhe shumë tekste të ndryshme të huaja dhe shqiptare, trajtojnë në faqet e tyre edhe historitë mbi pushtimet normane në vendin tonë, të cilat nisin me fushatën e Robert Guiskardit në vitin 1081, për të vazhduar me Boemundin në vitet 1107-1108 dhe duke përfunduar me mbretin Guljelm i II-të, në vitin 1185.

E veçanta është se, shumica e të dhënave dhe fakteve historike që përbajnë këto tekste, janë marrë kryesisht nga historiania Ana Komneni dhe “Aleksiada” e saj. Duke u bazuar këtu por edhe në botime të tjera të autorëve bizantinë dhe perëndimorë, ne, kemi krijuar imazhin dhe përfytyrimin tonë për normanët dhe fushatat e tyre pushtuese përgjatë bregdetit shqiptar. Ndërkohë që do të ishte me interes të dinim edhe mbi aktivitetin e gjerë që zhvilluan normanët në bregun përtej, pikërisht në Itali ku ata krijuan një nga shtete më të fuqishme të kohës.
 
2
Normanët, për të cilët Historia asnjeherë nuk ka nguruar së shkruari, ishin një komunitet luftëtarësh të paepur që dominuan në shekujt XI-XII, në historinë e Italisë, Ballkanit dhe Kryqëzatës së parë. Më ambicjen për të qenë protagonistë të ngjarjeve të kohës që jetuan, ata si pasardhës të drejtëpërdrejtë të vikingëve, dëshmuan se ishin luftëtarë të aftë dhe të destinuar për të qenë veçse pushtues. Edhe sot në analet historike gjejmë gjurmët e ekspeditave të dhunshme kundër Bizantit, të cilat janë të lidhura me emrat e strategëve legjendarë si të Robertit, Roxherit, Boemundit apo Tankredit, për të ardhur së fundmi tek Guljelmi i II-të, i fundmit i dinastisë normane të Italisë, Altavilave.

Normanët u shfaqën në Italinë e jugut të ftuar nga Bizanti, i cili fillimisht i përdori ata kundër arabëve saraçenë, të cilët në vitet 827-902, i kishin shkëputur Perandorisë Bizantine, Siçilinë. Grupi i parë mbërriti nga Normandia në Itali në vitin 1009, nën drejtimin e Rainulfo Drengot, për të shtypur revoltën antibizantine të Barit. Për këtë qëllim atij ju premtua si shpërblim një feud i madh, i cili përfshinte qytetin e Aversës që ishte nën juridiksionin e Dukës së Napolit. Më pas erdhën me radhë të bijtë e Tankredit të Hautevilit (Hauteville), një fisniku të vogël norman, të cilët këtu morën mbiemrin e italianizuar Altavila. I pari ndër ta ishte Vilhelm Krah-hekuri, i cili në vitin 1043 pushtoi Kontenë e Melfit në Pulia.

Më pas do të zbarkonte i vëllai i tij, Robert Guiskardi, pushtimet e mëdha të të cilit e bindën Papën që ta njihte në vitin 1059 me titullin, “Dukë i Kalabrisë, i Pulias dhe i Siçilisë”.
Ndërkohë që, Pulia dhe Kalabria kishin qenë zotërime të Bizantit, ndërsa Siçilia ishte nën zotërimin e saraçenëve. Megjithatë kjo gjë nuk i ndali normanët. Në vitin 1061 nën drejtimin e Roxherit, vëllait tjetër Altavila, nisi fushata ndaj Siçilisë, e cila përfundoi me largimin e arabëve nga ishulli, ndërsa për merita të veçanta, Papa i dhuroi atij, titullin “Kont i Siçilisë”.

Kështu, Papati u përpoq që ti përdorte normanët si instrument për të vendosur kontrollin politik dhe fetar në Italinë e Jugut, me qëllimin që të dëbonte që aty bizantinët ortodoksë dhe arabët myslymanë. Natyrisht që kjo politikë i dha frytet e veta. Në vitin 1071 Robert Guiskardi dëboi përfundimisht Bizantin nga Italia e jugut, ndërsa 20 vjet më vonë Roxheri bëri këtë gjë me arabët.

Ndërkohë për tu ndalur si një ngjarje e bujshme historike, është pikërisht momenti, kur në vitin 1071, Robert Guiskardi dëboi nga kjo pjesë e Italisë Bizantin dhe bashkoi të gjitha zotërimet normane të Italisë së jugut. Vetëm pas këtij proçesi (1061-1071) Roberti, Roxheri, Boemundi dhe Tankredi, nisën sulmet ndaj bregdetit shqiptar, për të cilat shkruajnë edhe tekstet e mësipërme.

Këtu nis edhe një nga gabimet që bën historia e Shqipërisë, si edhe disa autorë perëndimorë. Kështu, teksti i Historisë së Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, botuar në Tiranë në vitin 2002, në faqen 224, thotë se “pas pushtimit të Barit, Robert Guiskardi arriti të bashkojë të gjitha zotërimet e princave normanë, të Italisë së jugut dhe krijoi me to një mbretëri të fuqishme, që menjëherë i hodhi sytë në anën tjetër të Adriatikut”.

Ndërsa e vërteta është ndryshe. Robert Guiskardi jo vetëm që nuk krijoi një mbretëri të vetën, por gjatë sundimit mbajti titullin “Dukë i Apuljes dhe Kalabrisë”. Ndërkohë që pas vdekjes së tij në vitin 1085, trashëgimtari që e pasoi ishte i vëllai Roxheri, i quajtur ndryshe edhe Roxheri i I-rë, sundimtar i Italisë së jugut.

Pas tij erdhi në pushtet i biri, Roxheri i II-të, i cili në vitin 1130 bashkoi zyrtarisht zotërimin e të atit, Kontenë e Siçilisë me zotërimet e xhaxhait, Robert Guiskardit, siç ishin dukatet e Pulias dhe Kalabrisë, duke krijuar “Mbretërinë e Dy Siçilive”, me qendër Palermon, vendin ku e kurorëzoi një kardinal i dërguar nga Papa.Pra, ky është korigjimi që i duhet bërë tekstit të mësipërm, duke theksuar se Mbretëria Normane e quajtur ndryshe “Mbretëria e Dy Siçilive”, nuk u krijua nga Robert Guiskardi, por nga i nipi, Roxheri i II-të.
Pikërisht ky mbret, Roxheri i II-të, është konsideruar nga historianët si mbreti më i madh norman.

Ai jo vetëm mori nga Papa titullin e Mbretit, por themeloi edhe dinastinë mbretërore të Altavilave. Nën drejtimin e tij, Palermo, u bë kryeqyteti i Mesdheut, ku u zhvilluan tre kultura, si ajo normane, latine dhe arabe.Roxheri i II-të u shqua edhe si diplomat, ushtarak, ligjvënës dhe administrator i kujdesshëm. Ai nxiti midis të tjerave edhe zhvillimin e ndërtimeve të shumta me karakter laik dhe fetar, si dhe investoi për kulturën në mënyrë të veçantë. Por, periudha e artë e qeverisjes së tij përfundoi në vitin 1154, kur ai vdiq.

Pas tij në fronin e “Mbretërisë së Dy Siçilive” u ngjitën me radhë Guljelmi i I-rë dhe Guljelmi i II-të.Guljelmi i I-të ishte jo vetëm mbreti i parafundit i Altavilave, por edhe mbreti i fundit norman i cili ndërmori pushtime në Shqipëri. Në vitin 1185 ai zbarkoi në brigjet shqiptare dhe në marrëveshje me strategun bizantin, Gjon Vranën, mori qytetin e Durrësit. Që këtu nëpërmjet rrugës Egnatia, normanët arritën deri në Selanik, por për shkaqe që dihen u tërhoqën përsëri duke mbajtur vetëm Durrësin dhe disa ishuj të Jonit.

Ndërsa Guljelmi i II-të, ishte një sundimtar që u shqua edhe si diplomat. Me përpjekjet e tij ai arriti që pas një shekulli lufte midis normanëve dhe Perandorisë Gjermane, të lidhej një aleancë, e cila u “celebrua” me martesën e së bijës, Kostancës, me të birin e perandorit gjerman, Frederikut Hohenshtaufen, Henrikun e VI-të.

Në vitin 1189 Guljelmi vdiq dhe Altavilat të cilët nuk kishin trashëgimtarë të vijës mashkullore e humbën pushtetin e fituar dikur luftëra e sakrifica të panumërta. Trashëgimtarja e tyre nga linja femërore, Kostanca, bëri, që prej martesës së saj kurora e tyre ti kalonte Hohenshtaufenëve gjermanë. Ky ishte edhe fundi pa lavdi i kësaj familjeje luftëtarësh, për të cilët shkroi dikur edhe Ana Komneni.
 
                                                                           *  *  *

Ana Komneni, e vetmja historiane femër në kulturën bizantine, është pa dyshim edhe një emër i njohur në Historinë e Shqipërisë. Në veprën e saj, “Aleksiada”, ajo i kushton faqe të tëra historisë mesjetare të Shqipërisë. Ndërsa “Historia e Popullit Shqiptar”, i cili është teksti bazë i historisë sonë zyrtare, e citon atë në pesë raste, përkatësisht në faqet: 211, 225, 226, 347 dhe 356, ku midis të tjerave jep edhe pasazhe të shkruara prej saj, për Fushën Ilirike, Durrësin, Shkodrën, qytetet e tjera të Arbërisë, luftimet normano-bizantine, etj.Në librin e tij, Historia e Perandorisë Bizantine, autori i saj Georg Ostrogorski, një nga bizantologët më të njohur, na jep edhe një jetëshkrim të shkurtër të saj. Midis të tjerave në ligjëratë të drejtë, Ostrogorski shkruan: “Ana Komnena, vajza e zgjuar dhe e ditur e perandorit Aleks I (1081-1118) në veprën Aleksiada shkruajti hisorinë e të atit që nga fillimi, e deri në vdekjen e tij (1069-1118).

Princesha që ishte e shkolluar sipas modeleve klasike dhe që e njihte mirë historiografinë, poezinë e filozofinë e lashtë greke, e shkruajti këtë vepër me një stil të kërkuar dhe arkaik: ajo nuk përfaqëson vetëm një moment të rëndësishëm të humanizmit Bizantin, por edhe një burim historografik të dorës së parë. Rrëfimi i hollësishëm i Anës përbën bazën kryesore të njohurive tona. Mbi këtë periudhë të rëndësishme, në të cilën realizohet restaurimi i Perandorisë Bizantine, takimi i Perëndimit me Bizantin gjatë kryqëzatës së parë, luftërat me normanët dhe me popujt e stepave të veriut dhe të lindjes.

Prirja për panegjirizëm e Aleksiadës dhe kufizime të tjera të saj, ndër të cilat duhet vënë në dukje konfuzioni kronologjik, kompesohet nga gjerësia dhe shumllojshmëria e informacionit, që autorja ishte në gjendje të siguronte falë pozitës dhe etjes së madhe për dije. Një përpjekje për të shkruar histori bëri edhe burri i anës, Çezari Niqifor Brieni, nipi i atij Niqifor Brienit që ishte ngritur si antiperandor kundër Mihal Dukës dhe Niqifor Botaniatit” (Georg Ostrogorski. Historia e Perandorisë Bizantine. Tiranë 1997. Fq 252 ).

Ndërkohë që te “Aleksiada” (VI.7), ajo e përshkruan në këtë formë momentin kur lindi: “Perandori i shoqëruar nga latinët e kontit Brieni, që kishte kaluar në anën e tij, u kthye në kryeqytet me dafinat e fitores. Ishte data një dhjetor në indiktin e shtatë (1083). Ai e gjeti perandoreshën me dhimbjet e lindjes në dhomën e caktuar kohë më parë….Paraardhësit tanë e quanin atë Porfyra, prej nga vjen emri Porphyrogenitus. Në mwngjes (ishte ditë e shtunë ) atyre u lindi një vajzë, që i ngjante babait të vetë. Kështu u tha gjithandej. Kjo foshnje isha unë”.

Kështu pasazhe të rëndësishme të Aleksiadës në gjuhën shqipe janë botuar të përkthyera tek vëllimi tjetër i Akademisë së Shkencave, Burime Tregimtare Bizantine Për Historinë E Shqipërisë, botuar në Tiranë në vitin 1975. Në pesëdhjetë e gjashtë faqet e tij (fq 71-127) jepet një biografi e Ana Komnenit dhe ngjarjet historike që nisin me kryengritjen e Proedrit Niqifor Brieni, Dukë i themës së Durrësit kundër Perandorit bizantin, kryengritja e Dukës tjetër të Durrësit Niqifor Baziliakut, e deri tek luftimet e Aleks Komnenit kundër normanëve të Robert Guiskardit dhe Boemundit.

Perandori bizantin Aleks Komeni
(Në foto: Perandori bizantin Aleks Komeni)

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)