Normat tavan të interesit për kreditë konsumatore ulen përsëri për 6-mujorin e parë të këtij viti

Normat tavan të interesit për kreditë konsumatore ulen përsëri për 6-mujorin e parë të këtij viti

Foto ilustruese

Normat tavan të interesit për kreditë konsumatore janë ulur sërish për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në lekë, për shumat deri në 200 mijë lekë është ulur në 118.96%, nga 136.58% që kishte qenë për gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.

Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) do të jetë 18.16%, nga 18.26% që kishte qenë për 6-mujorin e mëparshëm. Ndërsa për kartat e kreditit, NEI maksimal do të rritet në 27.18%, nga 26.21% që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Ulje të ndjeshme NEI maksimal ka pësuar edhe për kreditë në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë. Tavani për këto kredi është ulur në 23.63%, nga 25.89% që kishte qenë në 6-mujorin e parë. Ndërkohë, për ovedraftet në këtë interval, NEI maksimal është rritur në 16.66%, nga 16.47% që kishte qenë në 6-mujorin paraardhës.

Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit. Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.

Sipas rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, NEI maksimal do të llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë gjashtëmujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën. NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.

Por, qysh në fund të vitit të kaluar institucionet e mikrofinancës kanë shprehur zyrtarisht shqetësimin në Bankën e Shqipërisë lidhur me efektet që kjo masë po jep në tregujn financiar. Sipas tyre, veçanërisht për kreditë në shujma mbi 200 mijë lekë NEI maksimal është në nivele shumë të ulëta për institucionet e mikrofinancës dhe kjo e bën gjithnjë e më të vështirë konkurrencën e tyre me bankat.

Kompanitë e mikrofinancës mendojnë se duhet të ekzistojë një fashë e ndërmjetme në intervalin midis 200 mijë dhe 600 mijë, që është edhe kufiri i sipërm që rregullorja përcakton për klasifikikimin e institucioneve të mikrokredisë.

Sipas tyre, aplikimi i një fashe të gjerë në intervalin 200 mijë – 2 milionë lekë, e ekspozon mikrofinancën ndaj një konkurrence të pabarabartë me sektorin bankar, që ka kosto shumë të ulët të sigurimit të fondeve, falë mundësisë për të pranuar depozita nga publiku.

Gjithashtu, kompanitë e këtij sektori argumentojnë se rritja e shpejtë e normave të interesit në tregjet financiare këtë vit po rrit koston e sigurimit të financimeve prej tyre.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, një ulje e mëtejshme e normave maksimale efektive të interesit për vitin në vazhdim do t’i vendoste më shumë nën presion marzhet e tyre të fitimit. Në këto kushte, ato kanë kërkuar gjithashtu mosndryshimin e NEI-t maksimal për një periudhë të caktuar, të paktën njëvjeçare, deri në stabilizimin e normave të interesit.

Burime nga Banka e Shqipërisë janë shprehur për “Monitor” se kërkesat e institucioneve të mikrofinancës do të shqyrtohen, por, në çdo rast, ndryshime të mundshme mund të aplikohen vetëm pas mesit të këtij viti, kur, sipas rregullores, parashikohet rishikimi i radhës i NEI-t maksimal./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik