OSLO - Në Norvegji një burrë 50-vjeçar, me thikë në dorë ka sekuestruar një autobus dhe ka vrarë 3 persona. Lajmin e ka dhënë media lokale, duke theksuar se agresori i tragjedisë, është ndaluar dhe arrestuar nga policia dhe sipas kësaj të fundit bëhet fjalë për një shtetas të huaj.
 
Sipas informacioneve të para, agresori ka qenë brenda në autobus dhe gjithashtu, mendohet se mes viktimave është edhe shoferi. Tashmë, policia po kërkon të zbardhë shkaqet e kësaj ngjarje dhe gjithashtu faqja e internetit e televizionit norvegjez, ka hapur një forum për të mbledhur ndonjë informacion të mundshëm.
 
Lajmi është dhënë nga kalimtarë të rastit, të cilët e kanë sinjalizuar tek policia si një aksident rrugor, ku më pas në vend ngjarje kanë mbërritur zjarrëfikësit që kanë bllokuar 50-vjeçarin.
Dëshmitarët kanë parë një person me ngjyrë në brendësi të autobusit dhe kanë menduar se ai kishte nevojë për ndihmë, por më pas kanë vënë re që mbante në dorë një thikë.
 
Edhe në vitin 2003, në të njëjtën linjë mes Valdres dhe Oslo-s, një etiopian vrau një shofer autobusi, pasi kishte vrarë edhe një azilkërkues në qendrën e pritjes lokale. Më pas, vrasësi ishte transferuar në spitalin psikiatrik.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)