Në emisionin Repolitix sonte në Report Tv u diskutuan disa tema aktuale, nga procesi i integrimit në BE, situata aktuale politike, por nuk mbeti jashtë vëmendjes edhe dita e Çlirimit. Duke komentuar nostalgjikët e diktatorit Hoxha sot te Varrezat e Dëshmorëve, Dashamir Shehi i cilësoi si rraqe të vjetra.

Por historiani Paskal Milo replikoi duke kërkuar që të respektohen, pasi jemi në një vend demokratik. Si gjithmonë në muajin nëntor me rastin e festave nuk kishte si të mungonte edhe debati për largimin e gjermanit të fundit nga Shkodra.

E ndërsa e djathta i qëndron 28, Milo tha se së fundi ka dalë edhe një dokument i ri nga Gjermania që vërteton se ushtari i fundit është larguar në 29 nëntor. “Mariglen Kasmi ka sjellë një dokument të ri, që tregon se ushtria gjermane ka ikur nga Shkodra në datë 29. Diskutimi i kësaj cështje është budallallëk”.

Debati për nostalgjikët e Enver Hoxhës
Shehi: Këto janë rraqe të vjetra. Unë nuk do të merrem me këto, por me gjeneratën e dytë të tyre që kanë zaptuar shtetin sot në çdo zyrë...

Milo: Nuk kemi të drejtë t’i fyejmë këta njerëz. Ne pretendojmë se jemi një vend demokratik. Nuk mund t’i ndalosh me ligj. Përsa kohë nuk i ke nxjerrë, pasi janë 4 parti komuniste. Janë qytetarë që atë mendje kanë, ti mos i ndiq nga pas, injoroni, por nuk ke të drejtë që të thuash të heqin dorë nga një mendim. Çfarë do ta gjejë Shqipërinë nga këta?

dy.b/shqiptarja.com