Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mori pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të zhvilluar në selinë e NATO-s në Bruksel, ku në fokus ishte vijimi i mbështetjes së koordinuar ndërkombëtare për Kievin përballë agresionit rus.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Nufi bëri të ditur se gjatë takimit u riafirmua angazhimi i vendeve pjesëmarrëse për të mbështetur Ukrainën, me synimin për t'i hapur rrugë përfundimit të luftës dhe arritjes së një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Ministri theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Ukrainën, duke e konsideruar këtë angazhim pjesë të përgjegjësive të saj si anëtare e NATO-s.
"Si një anëtare e përgjegjshme e NATO-s, Shqipëria e konsideron këtë si angazhim ndaj vlerave që na bashkojnë, ndaj së drejtës së një kombi për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e tij, sikurse është një përgjegjësi e vendit tonë ndaj sigurisë kolektive dhe kontributit për një hapësirë euroatlantike më të sigurt.",- shkruan Nufi.
Takimi u zhvillua nën kujdesin e ministrit federal të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, dhe sekretarit britanik të Shtetit për Mbrojtjen, Wes Streeting.
Lajmi kryesor:
Ministri Nufi takohet me Ejup Maqedoncin në Bruksel: Kosova në NATO nevojë strategjike për stabilitetin rajonal, Shqipëria e mbështet me vendosmëri




