Prokuroria e Fierit mbylli hetimet dhe dërgoi për gjyq, 2 zyrtarë të bashkisë së Fierit për shpërdorim të detyrës dhe një drejtor te tatimet në rajonin jugor. Sipas prokurorisë, drejtoresha e përgjithshme e taksave dhe urbanistikës, Adela Hysenaj, e cila më herët ka mbajtur postin në nënkryetares së bashkisë, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në pikat e parkimit në administrim të Bashkisë, duke shmangur taksat në vlera të larta.
Me ndikim e saj mbi drejtoritë në varësi, “janë realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar në vlera më të ulëta”, ndërsa në një rast është lëshuar një vërtetim se subjekti me taksa pa paguar, nuk kishte asnjë detyrim për të shlyer. Zyrtarët akuzohen se nuk arkëtuan mbi 400 mijë euro nga taksat e parkingut publik që administron bashkia, duke shpërdoruar detyrën në disa raste dhe favorizuar persona të caktuar.
Drejtoresha e Taksave në bashki, Anisa Cjapi, ka favorizuar disa subjekte përmes faturave fiktive të taksave jo me vlerat reale. Ndërkohë, Vasil Çeku, drejtor i DVKT Rajoni Jugor ka urdhëruar inspektorët të kryejnë kontroll vetëm në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Njoftimi i Prokuorisë Fier
Abuzuan me detyrën, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë si dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen A.H., Drejtoreshë e Përgjithshmë të Taksave dhe Urbanistikës, shtetasen A.C., Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier si dhe shtetasin V.Ç. për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.68 të vitit 2025, të regjistruar kryesisht për këto dy vepra penale, rezultoi e provuar se, e pandehura A.H., në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien nga pagimi i detyrimeve tatimore në vlera të larta. Gjithashtu, mbi ushtrimin e ndikimit të paligjshëm prej të pandehurës mbi drejtoritë në varësi, janë realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar në vlera më të ulta. E pandehura A.H., ka ushtruar ndikim të paligjshëm edhe tek Drejtoresha e Takasve në Bashkinë Fier për të kryer përllogaritje të parregullt të taksave subjektit “R...” shpk, si dhe për të lëshuar një vërtetim se ky subjekt nuk kishte detyrime, ndërkohë që ai ka pasur taksa pa paguar në një vlerë të konsiderueshme.
E pandehura A.C., në cilësinë e Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar (konceptuar) fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale për subjekte të caktuara dhe, pasi u janë njoftuar subjekteve të cilët kanë bërë ankesa, vlera ka ndryshuar, duke u ulur në disa raste edhe tej parashikimeve të vendosura nga Këshilli Bashkiak. E pandehura ka realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar ata me taksa në vlerë më të ulët se ajo për të cilën ata duhej të taksoheshin. Gjithashtu, e pandehura nuk ka marrë asnjë masë për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.
Ndërkohë, i pandehuri V.Ç., me detyrë Drejtor i DVKT Rajoni Jugor, me urdhrin e nxjerrë prej tij ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga DPT. Pas kryerjes së kontrollit, i pandehuri nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:
• A.H., e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;
• A.C., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
• V.Ç., i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lajmi në përditësim...
Komente






Ja do shohim ç'vendim gjykate do të marrin këta hajdutë të taksave të popullit!!!!
Përgjigju