TIRANË- Një 49-vjeçar është vënë në hetim pasi u kap duke dalë nga aeroporti i Rinasit drejt Romës me 42 300 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar. Mësohet se bëhet fjalë për J.M, 49 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i një universiteti privat. Ndaj tij rëndon akuza për r veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

"Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të shtuara, në dalje  kanë kaluar për kontroll të detajuar  bagazhet e shtetasit J. M., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit  të bagazheve të këtij shtetasi janë gjetur   dhe sekuestruar 42 300 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore.   

Në vijim të veprimeve  shtetasi J. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, u procedua penalisht dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.  Materialet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së  Rrethit Gjyqësor Tiranë", thuhet në njoftim. 

Ndërkohë më herët për të njëjtën vepër penale është arrestuar në Durrës një 35-vjeçar pasi ka tentuar të fusë në Shqipëri 33 mijë euro të padeklaruara.