TIRANE - Presidenti, Ilir Meta me anë të një mesazhi të bërë publik në rrjete sociale ka reaguar sërish për ndarjen nga jeta të legjendës së Kombëtares dhe të klubit të Tiranës, Fatmir Frashëri.
Meta ka dhënë një mesazh ngushëllimi për Frashërin në një moment kur familjarët dhe dashamirësit e futbollit po i japin lamtumirën e fundit.
Meta deklaron se në këto 'momente dhimbje e nostalgjie', dëshiron të shprehë mirënjohje të thellë për veprën e tij.
"Njeriu i cili ndryshoi futbollin botëror, legjenda e Ajax, Johan Cruijff deklaronte se nuk është e rëndësishme vetëm të fitosh, por edhe si fiton. Për të mbështetur këtë filozofi të re, ai publikoi 14 rregullat bazë që i shkojnë aq shumë edhe legjendës kuqezi dhe bardhë e blu, i cili u ndesh si i barabartë me Ajax-in e madhërishëm të asaj kohe. Sidomos rregulli i 14: "Bring beauty to the sport" i shkonte aq shumë Fatmir Frashërit. Ndaj sot në këto momente dhimbje e nostalgjie, familjes Frashëri, kolegëve dhe të gjithë sportdashësve dua t'u shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për veprën e tij, dhe ne do ta kujtojmë përherë me dashuri me këto foto nga ndeshjet me Ajax-in, ku u mësoi të gjithëve se si duhet të ndeshemi me dinjitet dhe të barabartë edhe me më të mëdhenjtë", shkruan Presidenti.