Nuk është tradhti, është më keq

Nuk është tradhti, është më keq

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Në kohë të tjera, do të ishim një hap larg luftës. Nëse kjo nuk ndodh, është vetëm sepse shqiptarët janë populli më pak agresiv dhe më pak nacionalist në të gjithë Ballkanin, dhe ndoshta ai më imuni për sa i përket shkëndijave etnike brenda territorit të tij.

Por fushata elektorale e koalicionit të djathtë “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatit të saj për kryebashkiak në Himarë, dhe mbi të gjitha deklaratat agresive të kryeministrit grek Mitsotakis dhe ministrit të tij të jashtëm Dendias, kanë krijuar atë që është shumë më tepër se një incident shumë i rëndë diplomatik mes të dy vendeve fqinje.

Dikush mund të pyesë veten se pse partitë politike shqiptare vendosin ta ngrenë fushatën e tyre elektorale me përmbajtje që lidhet me një vend të huaj. Dhe, për këtë arsye, kërcënojnë bashkëqytetarët e tyre me hakmarrje që do të zbatonte ajo qeveri e huaj (sipas akuzës së pretenduar për tërheqje dokumentesh emigrantëve shqiptarë nëse nuk votojnë për ata).

Të dyshosh se kanë marrë diçka nga Athina dhe po veprojnë në emër të saj (siç thoshte politikani italian Giulio Andreotti), ndoshta është mëkat, por mund të jetë e vërtetë.

Greqia ka nxitur prej dekadash (duke filluar nga fillimi viteve 90’ me krijimin e shoqatës Omonia) një mosmarrëveshje territoriale mbi Himarën dhe përdor mjete si subvencionet ekonomike dhe atribuimin e dokumenteve të saj për banorët e Himarës, në ushqyerjen e një çështjeje që është kombëtare në fakt, atë të zgjidhjes së problemit të pronave.

Dhe reagimi i rëndë për arrestimin e Fredi Belerit konfirmon gatishmërinë e Qeverisë greke për ta konsideruar atë zonë si zonën e saj të influencës, duke mbështetur edhe një herë si në gjithë këto tre dekada retorikën e helenizimit.

Qeveria në Athinë thotë se synon t’u drejtohet liderëve të BE-së për të dënuar arrestimin e kandidatit në zgjedhje nga autoritetet shqiptare. Por, në realitet, janë ata që duhet të sanksionohen për ndërhyrje të rënda në politikën e brendshme të një vendi kandidat për anëtarësim evropian dhe për më tepër, brenda vetëm disa orë larg nga drejtimi i qytetarëve në kutitë e votimit.

Një ndërhyrje, për më tepër, që i ofron mbështetjen e saj një personi i cili me drejtësinë shqiptare ka pasur probleme, autor i dënuar dhe nën hetim për krime shumë të rënda, apo deri edhe akuza për lidhje me grupet terroriste greke.

Sigurisht që arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie disa orë pak para votimit nuk ka efekt të pëlqyeshëm as në nivel ndërkombëtar. Dhe, së brendshmi, rrezikon t’i sjellë vota solidariteti atij duke e bërë të shfaqet si person i përndjekur.

Por, edhe në bazë të fjalëve të Prokurorit në konferencë shtypi, gjyqtarët duket se kanë në dorë prova (përgjime dhe dëshmi të drejtpërdrejta) për blerjen e votave, të afta për të mohuar çdo teori konspirative.

Për sa i përket ish-presidentëve shqiptarë Meta dhe Berisha, çka konfigurohet gjithsesi nuk është një faj që ka vlerë dhe pasoja gjyqësore, por që është shumë i rëndë në planin politik dhe moral: ai i tradhtisë së lartë.

Mund të themi fare mirë se ata tani janë bërë kolona e pestë e pretendimeve greke ndaj një zone të vendit të tyre. Nëse janë të ndërgjegjshëm ose jo për këtë, rezultati është i njëjtë.

Dy liderët e së djathtës janë përfshirë në një betejë politike kundër kryeministrit Edi Rama, e cila përfshin përdorimin e çdo mjeti për ta sulmuar atë.

Më shumë se një strategji politike duket se është një obsesion i vërtetë që po iu merr mendjen. Publiku shqiptar është mësuar tashmë me akuzat e tyre pa prova dhe marifetet e tyre konspirative të krijuara nga ajri.

Në fund të fundit, rezultati është që janë më shumë se patetikë.

Por kur furia e tyre anti-Rama bëhet një kërcënim i drejtpërdrejtë për interesat e shtetit shqiptar, kjo atëherë është absolutisht e papranueshme.

Dhe klima e tensionit që tani po ndez kufirin jugor të Shqipërisë, nxit atë strategji të destabilizimit të Ballkanit që ushqehet vazhdimisht nga Moska.

Në pritje të më shumë informacioneve nga qarqet gjyqësore, si dhe një thirrjeje të dëshirueshme nga Brukseli drejtuar pushtetarëve grekë, na mbetet të shpresojmë vetëm për një valë patriotizmi në mendjet e shqiptarëve.

Përtej çdo retorike, është koha për të zbuluar nëse krenaria e pasardhësve të Skënderbeut është thjesht një legjendë, apo ka lënë disa gjurmë në ADN-në e bijve të shqiponjave.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu