Një turist gjerman ka fituar një dëmshpërblim prej afro 1000 eurosh pasi gjatë pushimeve verore në Greqi nuk arriti të siguronte shezlongë pranë pishinës së hotelit. Vendimi u mor nga Gjykata e Hanoverit, e cila i dha të drejtë pushuesit pas ankesës ndaj operatorit turistik.
Sipas mediave gjermane, burri kishte rezervuar një pushim 11-ditor në ishullin grek Kos për veten, bashkëshorten dhe dy fëmijët, duke paguar rreth 7.186 euro për qëndrimin në një hotel me 384 dhoma. Por familja u përball me mungesën e shezlongëve, një problem që, sipas gjykatës, ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e pushimeve:
Turisti pretendoi se pushues të tjerë i zinin shezlongët që në orën 06:00 të mëngjesit duke vendosur peshqirë, edhe pse hoteli e kishte të ndaluar këtë praktikë. Ai tha se kishte njoftuar stafin e hotelit dhe operatorin turistik, por situata nuk ndryshoi gjatë gjithë pushimeve. Sipas dëshmisë së tij, familja arriti të siguronte shezlongë vetëm një herë, ndërsa fëmijët detyroheshin të qëndronin në tokë mbi peshqirë pranë pishinës.
Gjykata vendosi se pushimi nuk kishte përmbushur standardet dhe kushtet e premtuara gjatë rezervimit, duke urdhëruar pagesën e 986.70 eurove si kompensim. Megjithatë, gjykata sqaroi se hoteli nuk ka detyrim të sigurojë shezlong për çdo klient, por duhet të ketë një numër të arsyeshëm në raport me kapacitetin e strukturës hoteliere.
Komente










