Zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task-Forcës, ka reaguar sot lidhur me mosmiratimin nga ana kreut të Bashkisë së Vlorës për përdorimin e sheshit para pallatit të sportit “Flamurtari” nga LSI.
 
Bashkia Vlorë ka refuzuar këtë kërkesë me argumentimin se ky shesh i është dhënë në përdorim një subjekti tjetër politik. LSI ka bërë të ditur se sheshi i është lënë PS-së për aktivitetete e saj elektorale, nga data 1 maj e deri në 30 qershor, pra për rreth 2 muaj. 
 
Pas bërjes publik të shqetësimit nga LSI, zv/kryeminitrja i kërkoi Bashkisë Vlorë, informacione në lidhje me këtë situatë, pasi referuar Kodit Zgjedhor, periudha zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve.

Zv/ Kryeministrja Mandija kërkoi të vihet në dijeni se për cilin subjekt politik është dhënë në përdorim sheshi, llojin e aktivitetit praktikën e ndjekur dhe bazën ligjorë në të cilën është mbështetur dhënia e lejes. 

LSI bën kërkesë për sheshin, Bashkia Vlorë: Është i zënë
Bashkia e Vlorës i ka dhënë një subjekti politik një shesh publik në qendër të qytetit, që ta përdorë për qëllime elektorale për plot 2 muaj. 

Gjithçka është zbuluar pas një kërkese të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim drejtuar Bashkisë së Vlorës për të marrë në përdorim sheshin para pallatit të sportit "Flamurtari". 

Përgjigjia e kryebashkiakut Dritan Leli ka qenë se ky shesh është zënë nga një tjetër subjekt politik, për dy muaj. Burime pranë LSI-së bëjnë të ditur se sheshi i është dhënë Partisë Socialiste nga muaji maj e deri në fund të qershorit, për aktivitetet e saj elektorale. 

Kësisoj, LSI-së i duhet të synojë një tjetër hapësirë publike në qytetin e Vlorës për të zhvilluar aktivitetet e saj politike. 
 
Në përgjigje të kërkesës suaj ju sqarojmë se Bashkia Vlorë me shkresën nr. 3314/1 datë 5.05.2017 i ka dhënë leje një subjekti tjetër për përdorim nga data 01.05.2017 deri më datën 30.06.2017 sheshin para Pallatit të Sportit “Flamurtari” Vlorë për qëllime elektorale”, – shkruhet në dokumentin që mban firmën e kryebashkiakut Dritan Leli. 
letra
(Përgjigjia e Bashkisë Vlorë për LSI)

Sheshi i është dhënë PS-së që në datin 1 maj 2017 dhe do jetë në dispozicion të aktiviteteve të saj politike deri në përfundim të procesit zgjedhor, fundi i muajit qershor. 

Këshilltarët e LSI kërkojnë dorëheqjen e Lelit
Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste në Bashkinë e Vlorës, kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Dritan Leli.

LSI denoncoi më herët se Bashkia e Vlorës i ka dhënë një subjekti politik 2 muaj në përdorim sheshin publik për qëllime elektorale. 

Por me anë të një reagimi zyrtarë këshilltarët e LSI-së në këtë bashki i kërkojnë kryeministrit Rama dhe zv. kryeministres  që të marrin në konsideratë në mënyrë të menjëhershme këtë akt të paprecedentë.

Nga ana tjetër ata i kërkojnë Kryetarit të Bashkisë të japë menjëherë dorëheqjen.  

Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com