Disa nga mjekët që do të ndihmojnë Italinë në përballjen me koronavirusin, u nisën pa njoftuar prindërit për të mos i shqetësuar e ndoshta për të shmangur edhe faktin që frika se do të rrezikonin jetën e tyre t'i bënte prindërit të mos i jepnin "leje" me zemër e t'i mbyllnin derën.

"Nëse do t'i thonim ndoshta do të na kishin mbyllur derën", iu shprehën disa prej tyre kryeministrit Edi Rama teksa i përcolli në aeroportin e Rinasit për në Itali.

Moderatorja italiane e emisionit "Agora" në Rai3, nisur nga ky fakt, në një komunikim të drejtpërdrejtë me Skype nga Tirana me kryeministrin Edi Rama iu drejtua prindërve të mjekëve shqiptarë:

"Rrini të qetë se do të kujdesemi për ta edhe ne. Edhe ne si italian jemi popull bujar dhe i ndjeshëm", u shpreh Serena Bortone.

"Jemi të varfër, por nuk e kemi kujtesën e shkurtër". Ky fjalim i kryeministrit Edi Rama teksa dërgoi në Itali 10 mjekë dhe 20 infermierë pushtoi mediat italiane me ndihmën që Shqipëria e vogël dha miqve italianë për të luftuar kundër COVID-19.

"Ajo që ndodh në Evropë në përgjithësi, nuk ishte se pritej që ta nxirrte në pah ky virus, është humbje e kujtesës se pse vetë Evropa është krijuar si një hapësirë, paqeje, bashkëpunimi. Të shohësh Italinë në një situatë të tillë të bën të ndihesh keq, por nga ana tjetër jemi përballë një armiku që na ka sulmuar të gjithëve. Është shtëpia jonë e përbashkët që digjet dhe nuk mund të rrimë të gjithë të mbyllur në dhomën tonë dhe të iluzionojmë që nëse digjet një dhomë nuk do të djegë tjetrën. Njerëzit duhet të rrinë në shtëpi, por shtete nuk duhet të rrinë në shtëpi, duhet të projektojnë kundërsulmin. Nuk mund të fitohet një luftë botërore nëse shtetet nuk rrinë në shtëpi si njerëzit", tha Rama për emisionin Agora në Rai3.

"Edi Rama lider i botës më duket se ka thënë gjërat me direkte se ato që kemi dëgjuar këto ditë", u shpreh moderatorja Serena Bortone.