Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku dështuan të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri. Abdixhiku tha se nuk do të takohet më me kreun e qeverisë, pasi ai nuk heq dorë nga ambicia që presidenti të vijë nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje. Ai nuk e mohoi edhe një afrim të mundshëm të ish-presidentes Vjosa Osmanni pranë LDK-së.

“Presidenti nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë. Provova të gjejmë zgjidhje, nuk arrita. Refuzova të flas për gjithçka tjetër përveç presidentit. LVV s’ka diskutuar asnjë emër tjetër përveç Glauk Konjufcës. Përafrimi i Vjosa Osmanit me LDK do të ishte një lajm i mirë. E lëmë të hapur diskutimin për partitë e tjera, kemi edhe 7 ditë kohë. U dakordësuam që të mos takohemi më”, tha Abdixhiku.

Kryeministri Kurti deklaroi pas takimit se i ka ofruar LDK-së 4 ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit. Në këto kushte, lëvizja e radhës e kreut të qeverisë, do të jetë takimi me kreun e PDK-së Bedri Hamza që të shmangen zgjedhjet.

Megjithatë as kjo tryezë diskutimesh nuk duket premtuese. Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues partiak, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, sqaroi se nuk i ka ardhur asnjë ftesë zyrtare për takim, por vetëm një mesazh në aplikacionin WhatsApp.

“Oferta është kjo, që deputetët e partisë e PDK-së të qëndrojnë në sallë, të votojnë dhe si rezultat i kësaj, PDK-së i ofrohet posti i kryetarit të Kuvendit me një lloj ndryshimi, që LVV-së t’i kalohet pozita e nënkryetarit të Kuvendit që aktualisht e ka PDK. E para kjo nuk është serioze, sepse kryesia e Kuvendit është e konstituuar”, tha Hamza.

28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri në Kosovë, dhe nëse nuk do të arrihet një marrëveshje, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Deri më tani, Albin Kurti ka artikuluar emrin e Glauk Konjufcës, si i dyti më i votuari në historinë e Kosovës.

 

U.D/K.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • goshi: 20/04/2026 22:04

    Kurti plera e UDB po e shkatërron Kosovën...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 18 Prill, 08:22

    Si ju duk strategjia e drejtorit Hita në organizimin e policisë gjatë protestës së PD?