Samiti i 36-të ndërqeveritar mes Francës dhe Italisë në Antibe shënoi një kthesë në marrëdhëniet mes Emmanuel Macron dhe Giorgia Melonit. Pas muajsh tensionesh të akullta, dy liderët dolën të buzëqeshur në një konferencë të përbashkët për shtyp ku folën për bashkëpunimin mes dy vendeve, dosjet kryesore ndërkombëtare dhe luftën në Lindjen e Mesme. I pyetur për raportin me Melonin, Macron tha se "nuk ka më asgjë të ftohtë mes nesh", duke shtuar se gjatë muajve të fundit kanë arritur të ngrejnë "pika të përbashkëta dhe ndërtojnë bashkëpunim".
Që në hapje të konferencës, presidenti francez e cilësoi Italinë një "partner të domosdoshëm"
"Ky është kuptimi i Traktatit të Quirinales që kemi nënshkruar", tha Macron.
Macron njoftoi gjithashtu se Franca dhe Italia do të bashkëpunojnë për zhvillimin e një reaktori të ri bërthamor civil. Sipas presidentit francez, forcimi i pavarësisë energjetike është sot më i nevojshëm se kurrë dhe projekti i përbashkët synon pikërisht këtë objektiv.
Bashkëpunimi për konfliktet
Macron tha se Franca dhe Italia do të kontribuojnë, së bashku me partnerët e tjerë, në operacionet për çminimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa shtoi se në Bregun Perëndimor duhet të shmanget zgjerimi i vendbanimeve izraelite.
Presidenti francez nënvizoi se mbështetja për Ukrainën dhe pjesëmarrja e përbashkët në misionet e paqes mbeten objektiva të përbashkëta të Parisit dhe Romës.
Duke folur për samitin e G7 në Evian, Macron tha se për herë të parë Shtetet e Bashkuara nënshkruan një dokument për Ukrainën ku nuk paraqiten më si ndërmjetës neutralë, por mbështesin integritetin territorial të Ukrainës.
Nga ana e saj, Giorgia Meloni falënderoi Macron për organizimin e G7, duke thënë se samiti dha "një sinjal të rëndësishëm uniteti dhe dialogu përtej blloqeve tradicionale".
Kryeministrja italiane tha se mbrojtja mbetet një nga dosjet strategjike të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke theksuar se Franca dhe Italia kanë një industri të avancuar në këtë sektor. Ajo shtoi se nevojat e reja të buxhetit të Bashkimit Europian nuk duhet të financohen në kurriz të bujqësisë, duke nënvizuar se për këtë çështje ka dakordësi me Macronin.
Meloni përmendi gjithashtu si prioritete garantimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe krizën humanitare në Gaza. Dy liderët ranë dakord edhe për të nisur një bashkëpunim për Libanin që të shkojë përtej misionit UNIFIL, i cili pritet të përfundojë pas pak muajsh.
Meloni sqaron deklaratën e Rutte
Një nga momentet më të ndjekura të konferencës ishte përgjigjja e Melonit ndaj deklaratave të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Pak ditë më parë, ai deklaroi se rreth 500 avionë amerikanë u ngritën nga bazat në Itali gjatë operacionit ushtarak kundër Iranit, duke shkaktuar debat politik në Romë.
Meloni e hodhi poshtë këtë interpretim dhe këmbënguli se Italia nuk ka marrë pjesë në konflikt.
"Nuk kemi marrë pjesë në konfliktin me Iranin. Përndryshe nuk do të shpjegohej tensioni me presidentin amerikan. Kemi vënë në dispozicion bazat vetëm për misione logjistike dhe teknike. Kur janë paraqitur kërkesa që dilnin jashtë atij kuadri, kemi refuzuar përdorimin e tyre. Rutte, në përshkrimin e tij entuziast, ka bashkuar gjëra që janë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe më pas e ka korrigjuar deklaratën", tha ajo.
Në fund të konferencës, Meloni u pyet edhe për procesin gjyqësor ndaj Marine Le Pen. Kryeministrja italiane u përgjigj se nuk i takon asaj të thotë se çfarë është më e mira për francezët, duke shtuar se nuk i ka pëlqyer kur komente të tilla janë bërë për Italinë.
Komente










