Një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ka shkaktuar debat politik në Itali, pasi ai tha se vendi lejoi ngritjen e 500 avionëve ushtarakë amerikanë nga bazat e SHBA-së në territorin italian gjatë sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

Duke folur për Fox News të martën në mbrëmje, para një takimi me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, Rutte tha se Italia ishte ndër aleatët që vunë në dispozicion bazat e tyre për operacionin ushtarak.

“500 avionë u ngritën nga bazat amerikane në Itali”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se nga bazat europiane janë ngritur gjithsej mes 4 mijë dhe 5 mijë avionë për të mbështetur operacionin “Epic Fury”.

“Europa është një platformë për projeksionin e fuqisë amerikane”, tha kreu i NATO-s.

Deklarata e tij bie ndesh me qëndrimin e deritanishëm të qeverisë së Giorgia Melonit, e cila kishte bërë të ditur se bazat amerikane në Itali do të përdoreshin vetëm për fluturime logjistike dhe teknike, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe që rregullojnë praninë ushtarake amerikane në vend.

Pas komenteve të Rutte, reagoi Ministria italiane e Mbrojtjes. Ministri Guido Crosetto kundërshtoi publikisht deklaratat e kreut të NATO-s, duke thënë se janë lejuar vetëm fluturime në përputhje me traktatet ekzistuese.

“Mesazhi i Rutte është krejtësisht i gabuar”, tha ministria në një deklaratë të cituar nga media italiane Il Sole 24 Ore.

Por opozita nuk u bind nga sqarimet e qeverisë. Deputeti i të Gjelbërve, Angelo Bonelli, akuzoi kryeministren Meloni se ka mashtruar opinionin publik dhe parlamentin.

“Meloni mashtroi italianët dhe parlamentin. Ajo duhet të sqarojë menjëherë çfarë ka ndodhur dhe të raportojë në parlament”, tha Bonelli.

Në të njëjtën intervistë, Rutte vlerësoi edhe kontributin e vendeve europiane të NATO-s në mbështetje të operacioneve amerikane dhe përmendi veçanërisht Rumaninë, duke thënë se aeroportet e saj kufizuan trafikun civil për t’i lënë më shumë hapësirë operacioneve ushtarake.

Kreu i NATO-s komentoi edhe zhvillimet diplomatike pas konfliktit me Iranin, duke deklaruar se Trump “bëri pikërisht atë që duhej të bënte” dhe se tani ka të drejtë të përqendrohet te një marrëveshje.