Biznesmeni Behgjet Pacolli i ka bërë sot Qeverisë së Shqipërisë një apel publik të zbatojë urdhërin e arbitrit të emergjencës të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), që sipas tij, me 16 shtator, ka nxjerrë një urdhër paraprak, ku i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të mos ndërmarrë veprime që lidhen me ndërprerjen e koncesionit, deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së kompanisë Mabco. 

Në deklaratën e tij, Pacolli thotë se MABCO,nuk ka synuar zgjidhjen e çështjes përmes arbitrazhit, I bën thirrje Qeverisë edhe një herë  të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar për aeroportin e Vlorës dhe ta lejojë atë që të përfundojë punimet. 

Deklarata e plotë e Behgjet Pacollit 

"Pas vendimit të njëanshëm të Qeverisë për ndërprerjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, MABCO, investitori dhe financuesi i këtij projekti, si dhe zotëruesi i 98% të kuotave të VIA-s, u detyrua, në përputhje me kushtet kontraktuale, t’i drejtohej arbitrazhit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe investimit të saj.

Më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar.

I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv.

MABCO NUK KA SYNUAR  zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes ARBITRAZHIT. Përmes më shumë  shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmanjen e pëngesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit.

Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion.

Në këtë fazë, kërkojmë që në VIA të kthehet legjitimiteti, puna dhe investimi ynë të respektohen dhe që procesi i përfundimit të aeroportit të vijojë.

I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë  të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore.

Behgjet Pacolli"

Kujtojmë se në fund të gushtit, pas nisjes së procedurave për zgjidhjen e kontratës së koncesionit, përfaqësues të MABCO dhe 2A Group zhvilluan një takim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në përfundim të takimit, sipas MABCO, palët ranë dakord të paraqisnin propozimet e tyre me synimin për të gjetur një zgjidhje dhe për të mundësuar rifillimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës.