Lufta në Gjirin Persik duhet të jetë një “këmbanë zgjimi” për Shqipërinë. Kështu u shpreh eksperti ushtarak Arben Çuko në emisionin “Bota Report” në Report TV, duke insistuar se vendi duhet të rrisë sa më shpejt kapacitetet ushtarake dhe mbrojtjen kundërajrore.
Sipas tij, konflikti që po zhvillohet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të sjellë pasoja të mëdha për aleancën dhe për sigurinë globale. Për këtë arsye, Shqipëria si një vend i vogël duhet të rrisë fuqinë ushtarake dhe të forcojë kapacitetet e mbrojtjes. Por jo vetëm kaq. Sipas Çukos, uniteti politik në Shqipëri për këtë çështje është gjithashtu i rëndësishëm
“Për ne është si këmbanë zgjimi, sepse nëse ky konflikt i brendshëm i aleancës thellohet, mund të nisë një rrugë pa kthim për aleancën. Lufta në Gjirin Persik na duket larg, por nuk është aq larg. Ka ardhur tek ne në formën e çmimeve të rritura të naftës. Nuk jemi larg luftës, por lufta na ka kapur ne. Ne jemi vend i vogël dhe kemi vetëm një rrugë: duhet të shtojmë shpejt kapacitetet ushtarake dhe të rrisim fuqinë, sepse i vogli dhe i dobti nëpërkëmbet. Para rritjes së fuqisë duhet të rrisim edhe fuqinë politike dhe të ketë bashkim politik të të gjithë shqiptarëve”, tha ai.
Sipas ekspertit, Shqipëria duhet të investojë urgjentisht në sisteme të mbrojtjes kundërajrore për të mbrojtur infrastrukturën dhe popullsinë nga kërcënimet me raketa.
“Duhet të rrisim fuqinë ushtarake, kapacitetet luftarake dhe mbrojtjen kundërajrore. Raketat e Iranit janë të rrezikshme për infrastrukturën dhe popullsinë tonë, ndaj duhet të krijojmë ombrellën tonë ajrore. Ka disa sisteme kundërajrore të provuara në Ukrainë dhe Izrael dhe, bazuar në përvojën e këtyre konflikteve, mund të nxjerrim mësime dhe t’i blejmë ato sisteme. Ne nuk mund të blejmë F-22 apo F-16, por një sistem me rreze të mesme veprimi mund ta përballojmë. Rrezja e veprimit është rreth 100 kilometra. Një sistem mund ta përballojmë për ta blerë, sepse prodhohet nga vende aleate. Ne nuk kemi as fuqinë financiare dhe as luksin për të blerë sisteme të paprovuara. Sistemi i parë kundërajror erdhi në vitin 1959 nga rusët. Kur u operua nga ushtria shqiptare atëherë, sot mund t’ia dalim edhe më mirë”, tha ai.
Në analizën e tij, Çuko u ndal edhe te rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit, që sipas tij është pika më kritike e konfliktit aktual.
“Ngushtica e Hormuzit është leva e Arkimedit në këtë krizë. Është e një rëndësie të veçantë strategjike dhe është kthyer në një problem madhor për SHBA-të. Nga përmasat është aq e vogël sa Irani mund ta mbyllë kur të dojë. Bllokimi i anijeve po sjell pasoja ekonomike, sepse aty kalon rreth 20% e fluksit global të naftës”, tha ai.
Çuko theksoi se konflikti ka hyrë në javën e tretë dhe Irani po përdor strategji asimetrike me raketa dhe dronë, ndërsa sipas tij SHBA përballet me dy skenarë strategjikë: një luftë të shpejtë ose një konflikt të gjatë.
“Për një superfuqi si SHBA-të ka dy koncepte strategjike: luftë e shpejtë dhe vendimtare ose luftë e gjatë që kërkon futjen e këmbësorëve në territor. Mendoj se koncepti i parë nuk ka shumë sukses dhe kjo mund të çojë në një luftë të stërzgjatur që do të sjellë krizë të fortë energjitike në gjithë botën”, tha ai.
Sipas Çukos, një nga arsyet pse president Donald Trump po kërkon ndihmën e vendeve evropiane lidhet me mungesën e mjeteve detare për të siguruar kalimin e anijeve me naftë në Ngushticën e Hormuzit.
“Çdo cisternë nafte duhet të shoqërohet nga një ose dy fregata dhe nuk del llogaria. Fregatat apo destroyerët mund të shkatërrojnë raketa tokë-det dhe dronë detarë apo ajrorë”, u shpreh ai.
Në fund, eksperti theksoi se Shqipëria duhet të jetë e qartë në aleancat e saj, duke nënvizuar se aleati strategjik i vendit mbetet SHBA.
Komente










