Ish-deputeti i Kuvendit Kastriot Islami, është liruar nga komisariati numër 2 në Tiranë, ku u mbajt për më shumë se 1 orë pasi u shoqërua për shkak se ka kundërshtuar forcat e policisë në momentin që ata i kanë kërkuar kartën e identitetit kur e kanë kapur duke lëvizur pa maskë, në një rrugicë pranë lagjes së tij.

Report Tv mëson se policia e ka shoqëruar Islamin në rrugën "Sulejman Delvina", pasi ky i fundit kur është kapur pa maskë nuk ka pranuar të tregojë kartën e identietit por edhe ka ofenduar policët, ndonëse e kanë kapur duke shkelur rregullat e vendosura nga qeveria kundër përhapjes së COVID. Siç vihet re nga pamjet, në momentin që Islami ka dalë nga komisariati, ka vënë maskë. 

Në reagimin e tij pasi ka dalë nga komisariati, Islami shprehet se ishte duke bërë vrap si çdo ditë me veshje sportive, ndërsa shton se gjykon se ishte kryeministri Edi Rama që e ka ndaluar dhe izoluar për 1 orë e gjysmë në ambientet e komisariatit.

"Policia gjatë kontrolleve per zbatimin e masave anti-COVID ka konstatuar shtetasin K.I pa maskë i cili ka kundërshtuar e fyer punonjësit e policisë te komisariatit numër 2 që i kanë kërkuar kartën e identitetit dhe të vinte maskën. Ne këto kushte ne këto momente ai është shoqëruar ne komisariat  dy shtetasi K.I për veprime të mëtejshme", thotë policia.

Kujtojmë se nga data 11 nëntor (para 3 ditësh) përpos mbajtjes së maskës në çdo ambient jashtë shtëpisë, kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese anti-COVID, e për pasojë u rikthyen autorizimet online në portalin e- Albania por edhe kufizimet në lëvizje.

Qytetarët për të dalë pas orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit,  duhet të pajisjen me autorizim në e-Albania. Përjashtim bëjnë rastet kur janë emergjenca shëndetësore apo për institucionet e shëndetësisë dhe punonjësit e shërbimeve kritike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
U mbajt 1 orë në polici, reagon Kastriot Islami: Po bëja ecje me veshje sportive! Gjykoj Rama më ndaloi dhe forcërisht më izoloi në komisariat

Ish-deputeti Kastriot Islami reagon pasi ka dalë nga komisariati numër 2 ku u mbajt për 1 orë sepse u kap pa maskë dhe kundërshtoi policinë për t'u treguar kartën e identitetit.

Në reagimin e tij ai shkruan se ka qenë duke bërë ecje me veshje sportive dhe sipas tij kryeministri Edi Rama e ka ndaluar dhe forcërisht e ka izoluar në komisariat për rreth 1 orë e 30 minuta.

"Jam në shtëpi...! Si çdo ditë, po bëja ecjen e përditshme me veshje sportive nga parku i Tiranës në drejtim te shtepise... Gjykoj se ishte Edi Rama qe me ndaloi dhe forcerisht me izoloi ne komisariat per rreth 1 ore e 30 minuta... Sepse ju prezantova qe jam Kastriot Islami dhe perseri perdoren forcen ndaj nje profesori dhe nje figure publike... ! Me shume ndoshta do te sqaroj ne vijim... Falenderoj te gjithe ata miq qe me mbeshteten me telefonata dhe mesazhe", shkruan Islami.

Ora 21:32
U mbajt 1 orë brenda, Islami 'zë' mend dhe del nga komisariati me maskë

Ish-deputeti Kastriot Islami i cili është mbajtur në komisariat për 1 orë pasi ka kundërshtuar dhe fyer policët, kur ka dalë ka vendosur maskë.

Ai është shoqëruar në komisariat pasi është kalur duke lëvizur pa maskë, dhe në momentin që policët i kanë kërkuar kartën e identitetit ai ka refuzuar që t'ua tregojë madje dhe i ka ofenduar.   

Ora 21:16
U kap pa maskë dhe u mbajt më shumë se 1 orë në komisariat, lirohet Kastriot Islami

Ish-deputeti Kastriot Islami i cili u shoqërua në polici pasi është kapur pa maskë duke lëvizuer në një rrugicë pranë lagjes së tij është liruar nga komisariati numër 2 pasoi u mbajt më shumë se 1 orë.

Ai ka marrë gjobë për mosmbajtje maske si dhe po procedohet për mosbindje dhe fyerje të punonjësve të policisë.

Arsyeja e shoqërimit ka qenë se pasi ka refuzuar që të t'u tregojë policëve kartën e identitetit edhe i ka ofenduar ata.

Ora 21:10
U kap pa maskë dhe ofendoi policët, Islami mbahet më shumë se 1 orë në komisariat

Ish-deputeti Kastriot Islami i cili është shoqëruar në polici pasditen e sotme në rrugën "Sulejman Delvina", pranë lagjes ku banon, pasi u kap pa maskë, po mbahet për më shumë se 1 orë në komisariatin numër 2 në Tiranë.

Ai pasi është kapur pa maskë, nuk ka pranuar që t'u tregojë policëve kartën e identitet, madje edhe duke i ofenduar.

Ora 21:04
Islami në polici, PD akuza Ramës: Hakmarrës i vogël i neveritshëm, ja për çfarë e përdor policinë

Pak pasi ish-deputeti Kastriot Islami është shoqëruar në polici pasi është kapur pa maskë, ka reaguar PD, e cila ka akuzuar kryeministrin Edi Rama.

Ish-deputeti Edi Paloka, akuzon Ramën se po përdor policinë për hakmarrje.

"Hakmarrës i vogël e i neveritshëm. Ja për çfarë e përdor policinë...", shkruan ish-deputeti Edi Paloka.