Problemet me ligjin në Mbretërinë e Bashkuar duket se nuk e kanë penguar aspak Dorian Pukën të vazhdojë të festojë ne klubet vip të Londrës duke sfiduar hapur autoritetet ligjzbatuese.

Sipas mediave britanike, 31 vjeçari, i dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar për vjedhje, ndodhet aktualisht në liri me masë imigracioni, ndërsa pret shqyrtimin e kërkesës për azil.

Sipas The Sun, Puka ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga klube nate në zonën Mayfair të Londrës, si dhe fotografi me një automjet luksoz Rolls-Royce, pavarësisht se ndodhet nën mbikëqyrje elektronike nga autoritetet britanike. 

Në videot e marra nga gazeta, Puka shfaqet duke tymosur në një klub, ose duke shëtitur macen e tij ekzotike që kushton 10,000 paundë. Në video të tjera, Puka mburret me koleksionin e tij të orave, ku përfshihet edhe një orë Rolex DayDate me vlerë 53,000 paunde. 

Sipas gazetës, ai është rikthyer ilegalisht në Britaninë e Madhe pas dëbimeve dhe ka vijuar aktivitetin kriminal, derisa është ndaluar nga policia. Në vitin 2020, ai paraqiti kërkesë për azil, çka sipas ligjit britanik pezullon përkohësisht procedurat e dëbimit deri në përfundimin e gjykimit.

Që nga viti 2023, Puka ndodhet në liri me kusht dhe me byzylyk elektronik, deri në vendimin e gjykatës për çështjen e tij.

Një zëdhënës i Home Office ka deklaruar se qeveria britanike po reformon sistemin e migracionit dhe apelimit, me synimin për të rritur dëbimet dhe për të shmangur abuzimet me ligjin.

Sipas mediave britanike, raste të ngjashme me persona të dëbuar që rikthehen në vend dhe shfaqin jetesë luksoze në rrjetet sociale kanë nxitur kritika mbi funksionimin e sistemit të azilit dhe kontrollit kufitar në Mbretërinë e Bashkuar.