Duket sikur deri më tani ne shqiptarët kemi pasur gjithnjë nevojë për “njerëz të mëdhenj” të famshëm, autoritarë, por sidomos… hileqarë. Na ka mjaftuar kjo për t’i ndjekur pas pa e vrarë mendjen shumë. Mbajmë gjallë mite që na gënjejnë haptazi në kohën kur vende të tjera i kanë hedhur në koshin e plehrave të historisë për shumë më pak gjë.
Plluskojnë në realitetin tonë individë nga më të ndryshmit, të cilët, meritën më të madhe që kanë, është se dinë të gënjejnë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë pavarësisht se koha dhe faktet vazhdojnë t’i përgënjeshtrojnë. Shqipëria është shumë zemërgjërë me ata që përfitojnë prej saj, që përfitojnë prej tolerancës “alla shqiptare” me njerëzit që gabojnë rëndë.
Pa shkuar larg pamë se çfarë ndodhi me “njeriun e madh” Victor Orban. Mjafton pak Europë, mjafton pak liri, mjafton pak ndërgjegje, mjafton pak demokraci dhe gjërat ndryshojnë. Realitetet përmbysen dhe e reja merr vendin që meriton. Nuk na duhen më “njerëz të mëdhenj” por njerëzim, njerëzillëk inteligjent, cilësor, njerëzillëk i madh. Duhen qytetarë të kenë forcën të mos i japin shansin e dytë, të tretë, të katërt, të pestë shqiptarëve që gabojnë. Duhen shqiptarë që të kuptojnë se nuk mund të konvertohen njerëz që kanë grabitur, që kanë vrarë, që nuk kanë respektuar Kushtetutën, njësoj si gjithë të tjetërt përditë e bëjnë. Duhen njerëz që nuk mund të negociojnë me askënd që të keqen e ka bërë në pazar, në sy të të gjithëve, vetëm e vetëm se e keqja, përkohësisht nuk i ka prekur ata.
Që në shekullin e katërt para lindjes së Krishtit Platoni, një grek shumë afër nesh, që me siguri shqiptarë të sotëm do t’ja gjejnë farefisin shqiptar, vriste mendjen e shpirtin për të përcjellë përmes dialogëve të jashtëzakonshëm në “Republikën” e tij se si duhet të ishin udhëheqësit në një vend: “…Pra, nga grupi i qeverisësve duhen zgjedhuar ata, që sipas nesh, ofrojnë garancinë të kryejnë gjatë gjithë jetës, me maksimumin e zellit atë që është interesi i qytetit dhe të refuzojnë absolutisht ta dëmtojnë”, shkruan pastër, qartë, thjeshtë. Është kjo që e kuptuan hungarezët dhe masivisht, me atë energjinë që lind vetëm nga dëshira e pakorruptueshme e ndryshimit, bën ndryshimin që deshën.
Shqiptarët duhet të gjejnë respektin e thellë për vetveten dhe të mos i japin më asnjë mundësi kujt i ka lënduar, kujt i ka vrarë, kujt i ka grabitur, vetëm e vetëm se vazhdon të luajë në skenë teatrin tragjikomik e të pafajshmit që kërkon prap dhe pafundësisht një shans.
Komente










