Gjykata e Tiranës ka rrëzuar ankimin e Ilir Metës ndaj vendimit të Prokurorisë për të mos nisur hetimet mbi kallëzimin e tij kundër punonjësve të burgut 313.

Vendimi u mor këtë të martë në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cilësoi kërkesën e ish-presidentit si të pabazuar në prova dhe në ligj, duke lënë në fuqi vendimin e Prokurorisë të 21 janarit 2026 për mosfillimin e procedimit penal.

Meta kishte kundërshtuar vendimin e prokurorisë, pasi pretendonte se punonjësit e burgut 313 kishin shpërdoruar detyrën dhe i kishin shkelur të drejtat, duke mos e lejuar të komunikonte nga ambientet e institucionit. Ai kishte ngritur pretendime edhe për mënyrën e trajtimit gjatë qëndrimit në paraburgim.

Me vendimin e sotëm, Gjykata rrëzoi kërkesën e Metës, ndërsa ndaj këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 10 ditëve nga njoftimi.

Kreu i Partisë së Lirisë, ndodhet në burg prej datës 21 tetor 2024. Ai përballet me akuza nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për vepra penale që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.