Prej 9 muajsh, banorët e Patos-Marinzës nuk kanë marrë pagesat për qiranë e tokës nga gjigandi i naftës “Bankers Petroleum”.

Këtë të martë banorë të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë mbajtën sërish një protestë. Ndryshe nga dy protestat e mëparshme që u mbajtën në zyrat qendrore në Fier, këtë herë banorët u zhvendosën pranë zyrave ku ‘Bankers Petroleum’ zhvillon aktivitetin e tij.

Ata kanë kërkuar njëzëri që kontratat të mos ndryshojnë duke u ulur vleren e pagesës pasi në të kundërt do te përshkallëzojnë protestën e tyre.

“Do të përshkallëzojmë protestën, do të bllokojmë rrugën”, tha një banor.

"Kemi patur takime edhe me deputetë të zonës, por nuk ka dhënë zgjidhje. Do t’i bllokojmë aktivitetin",  tha një tjetër.

“Paga e nje kinezi është baraz sa 10 qira të tokave të banorëve” thonë ata.

Banorët pohojnë gjithashtu se protestat e deritanishme nuk kanë sjellë asnjë negociatë dhe shprehen të vendosur për t’i qëndruar deri në fund kauzës së tyre.