Konservatorja Giorgia Meloni dhe socialdemokratja Mette Frederiksen kanë lënë mënjanë dallimet politike për një çështje ku ndajnë të njëjtin qëndrim: emigracionin. Në një mesazh të përbashkët të publikuar në rrjetet sociale, dy kryeministret deklarojnë se Europa nuk mund të pranojë emigracion të pakontrolluar duke argumentuar se ai ka pasoja negative për shoqëritë.
Mesazhi vjen në ditët e përplasjes mes Italisë dhe Spanjës, pas krizës në Ceuta dhe vendimit të qeverisë italiane për pezullimin e Schengenit.
"Së bashku me Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës, ndajmë disa reflektime për të ardhmen e Europës, sigurinë e qytetarëve të saj dhe nevojën për të mbrojtur vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës", shkroi Meloni në Facebook.
Në mesazhin e përbashkët, dy kryeministret, të cilat më herët nxitën një letër të nënshkruar nga 22 vende europiane drejtuar institucioneve të Bashkimit Europian, pas mbërritjes së mbi 70 mijë emigrantëve të paligjshëm në enklavën spanjolle të Ceutës , shprehen se janë të vetëdijshme se shumë njerëz mund të pyesin për bashkëpunimin e tyre.
"Vijmë nga pozicione politike shumë të ndryshme dhe sigurisht nuk biem dakord për gjithçka. Jemi dy gratë e vetme që drejtojnë një qeveri në Bashkimin Europian. Njëra drejton një vend të madh në jug, tjetra një vend të vogël në veri. Por na bashkon dëshira për të mbrojtur Europën", thuhet në deklaratë.
"Nuk pranojmë emigracionin e pakontrolluar drejt Europës dhe kemi promovuar një politikë të rreptë migratore, si në vendet tona ashtu edhe në Europë. Askush nuk mund të mohojë pasojat negative të emigracionit të paligjshëm për shoqëritë tona: rritjen e nivelit të kriminalitetit, presionin në rritje mbi shërbimet publike dhe gërryerjen e besimit të qytetarëve", shprehen Meloni dhe Frederiksen.
Dy lideret shtojnë se situata është veçanërisht e rëndë kur emigrantë të paligjshëm, të cilët nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre, kryejnë krime të dhunshme, merren me trafik droge ose janë përgjegjës për dhunë seksuale.
Sipas Melonit dhe Frederiksen, qytetarët europianë presin veprime konkrete nga përfaqësuesit e tyre politikë.
"Për shumë kohë, sidomos njerëzit e zakonshëm kanë paguar një çmim shumë të lartë për shkak të emigracionit të pakontrolluar. Është detyra jonë të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për t'u dhënë përgjigje konkrete qytetarëve, veçanërisht atyre më të ekspozuar, dhe për të garantuar më shumë siguri dhe mbrojtje për komunitetet tona", përfundon deklarata e përbashkët.










Komente
Komento